Sami Kurteshi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje është paraqitur sot në Departamentin e Hetimeve të Policisë së Kosovës për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale.
Kurteshi është paraqitur në Departamentin e Hetimeve rreth deklaratave që i ka bërë në lidhje me rastin e Astrit Deharit.
Ai në një prezantim para mediave tha se pyetjet ishin lidhur me prononcimin e tij të 12 gushtit.
“Ka qenë një paragraf i përdorur në konferencën për media dhe komunikatën që e ka shpërndarë nga Vetëvendosja që ka të bëjë me implikimin dhe urdhrat e dhëna nga maja e shtetit për institucionet e drejtësisë dhe sigurisë në Republikën e Kosovës…Thelbi i pyetjeve dhe i çështjes ka qenë ai sot dhe unë jam përgjigjur në të gjitha pyetjet…” shtoi Kurteshi.
Ai tutje tha se mban përgjegjësi për çdo fjalë që ka thënë për rastin Dehari.
“…Jam i bindur dhe ka shumë fakte që i dhashë në prokurori se implikimi i funksionarëve të majës së shtetit bashkë me institucionet varëse të sigurisë dhe drejtësisë është i dukshëm nga të gjitha dëshmitë, provat, dokumentet, deklaratat që deri sot janë në dorë të publikut dhe institucioneve”, tha ai.
Kurteshi tha më tej se janë mbi 3 mijë faqe dokumente të ndryshme në lidhje me rastin Dehari. /Telegrafi/