Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se ka ndaluar importin e deleve dhe dhive te gjalla nga Maqedonia e Veriut pas konfirmimit të prezencës se sëmundjes “gjuha e kaltër”.
“Pas konfirmimit të rasteve të para me sëmundjen ‘gjuha e kaltër’ në Maqedoninë e Veriut, me qellim të parandalim të përhapjes se sëmundjes në vendin tonë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nga sot ka vendosur masën ndalese të pakohshme, për import të ruminantëve të vegjël dele dhe dhi”, thuhet në njoftim.
Njëkohësisht AUV-i u ka bërë thirrje të gjithë fermerëve, të cilët i lëshojnë bagëtitë në zonat e brezit kufitar me Maqedoninë e Veriut t’i mbajnë nën mbikëqyrje tufat e tyre dhe të shmangin kontakte me kafshët e tufave nga ky vend.
“Të gjitha autoritetet të ndihmojnë në respektim të masave strikte kufizuese të lëvizjes se bagëtive të imta në kullosat e brezit kufitarë. Fermerët mbajtës të deleve dhe dhive të respektojnë urdhëresat për të ruajtur shëndetin e tufave të tyre”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se sëmundja e kafshëve “gjuha e kaltër” është sëmundje virusale jongjitëse, e cila transmetohet përmes pickimit të insekteve të llojit Colicoides.
“Nga kjo sëmundje preken ruminantët shtëpiakë (gjedhi, delet dhe dhitë). Prej këtyre me e ndjeshme është delja pastaj dhitë dhe gjedhi. Shenjat klinike dhe ngordhjet shfaqen vetëm tek delja. Gjedhi shërben si rezervar i sëmundjes”, thuhet në njoftim.
Sipas AUV-it sëmundja nuk transmetohet nga kafshët te njeriu dhe nuk transmetohet nga kafsha në kafshë.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është mobilizuar qe të mbikëqyrë me rreptësi masat e vendosura dhe ta parandaloj përhapjen e sëmundjes në vendin tonë. Përderisa kemi dy sëmundje të ndryshme prezentë në dy vendet fqinjët, e të cilat prekin të njëjtat lloje të kafshëve dele, dhi. Kërkojmë qe fermerët të aktivizojnë masat e biosigurisë në fermat e tyre. Njëkohësisht mbi çdo ndryshim të gjendjes shëndetësore të kafshëve ne tufë, të njoftojnë menjëherë veterinarin”, thuhet në njoftim.