Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka deklaruar se ndonëse situata e sigurisë në Kosovë është përgjithësisht e qetë, ajo mbetet ende e brishtë për shkak të çështjeve të pazgjidhura politike.
Barduani theksoi përkushtimin e NATO-s për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në vend, duke vënë në pah se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është e vetmja rrugë drejt një paqeje të qëndrueshme.
“Pavarësisht përmirësimeve të mëdha që kemi parë në dy dekadat e fundit, situata mbetet e ndjeshme për shkak të moszgjidhjes së problemeve politike. Tensionet e vitit 2023 çuan në rritjen e pranisë së KFOR-it me mbi 1,000 trupa shtesë – një ndër përforcimet më të mëdha të kësaj dekade,” tha Barduani në një intervistë për RTVDukagjinin.
Duke folur për vizitën e përfaqësueses së lartë të BE-së, Kaja Kallas, në veri të Kosovës, Barduani tha se ndonëse situata është e qetë, ekziston rreziku për shpërthime të menjëhershme të dhunës.
Ai përmendi sulmin ndaj trupave të KFOR-it në Zveçan në maj 2023 dhe incidentin në kanalin Ibër-Lepenc në nëntor 2024 si dëshmi të brishtësisë së situatës, duke shtuar se KFOR-i është duke ndërmarrë masa parandaluese për të ruajtur qetësinë dhe bashkëpunimin me të gjitha komunitetet lokale.
“Jemi të përgatitur dhe të pranishëm me kapacitete të plota për të përmbushur mandatin tonë nga OKB-ja. Por stabiliteti në rajon nuk varet vetëm nga KFOR-i – ai varet nga vullneti politik për dialog dhe bashkëpunim,” u shpreh ai.