Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari mori pjesë në Konferencën e 28-të, të nismës SHBA-Karta e Adriatikut A5.
Konferenca e 28-ta me rradhë është realizuar në Tiranë, ku ishin pjesëmarrës Shefat e Mbrojtjes të vendeve fqinje dhe Agjutantët e Përgjithshëm të Gardave Kombëtare, të cilët kanë partneritet me shtetet përkatëse të rajonit.
Kjo konferencë është udhëhequr nga Komandanti i Komandës Amerikane për Evropë (EUCOM), Komandanti Suprem i Forcave Aleate pë Evropë (SACEUR) dhe bashkëkryesuar nga Shqipëria dhe Bosnie Hercegovina.
Në margjinat e kësaj konference u theksua rëndësia e rritjes së bashkëpunimit rajonal në favor të ballafaqimit me sfidat e sigurisë. Gjithashtu u diskutua edhe rëndësia e bashkëpunimit civilo-ushtarak, në kontekstin e adresimit të sfidave të sigurisë shumë dimensionale.
Gjatë adresimit, GLT Jashari edhe kësaj radhe theksoi nevojën dhe rëndësinë e anëtarësimit të Republikës së Kosovës si anëtare me të drejta të plota në këtë nismë.
Në fund të konferencës të gjitha shtetet pjesëmarrëse u pajtuan që nisma të tilla i shërbejnë sigurisë rajonale dhe adresimit të sfidave të përbashkëta në Ballkanin Perëndimor.