Autoritetet kineze kanë nisur ndërtimin e asaj që e kanë quajtur diga më e madhe e një hidrocentrali në botë në territorin tibetian në një projekt që ka shkaktuar shqetësimin e Indisë dhe Bangladeshit, ka raportuar BBC.
Kryeministri kinez, Li Qiang, ka dominuar në ceremoninë e përurimit të punimeve në Lumin Yarlung Tsangpo, kanë bërë të ditur mediat vendase.
Lumi rrjedh përgjatë rrafshnaltës tibetiane si dhe përshkon shumë shtete të Azisë jugore. Projekti ka shkaktuar kritika për shkak të ndikimit të mundshëm në mesin e miliona qytetarëve të Indisë dhe Bangladeshit që mund të përballen me tharje të shtratit të lumit nëpër territorin e tyre. Shqetësime ka pasur edhe prej banorëve të zonës tibetiane, por edhe prej aktivistëve të mjedisit.
Pekini ka thënë se zhvillimi i projektit do ta ketë prioritet mbrojtjen mjedisore dhe se do të zhvillojë prosperitetin vendas.
Kur të përfundojë, projekti prej rreth 1.7 miliard dollarësh – i njohur si Stacion i Hidrocentralit Motuo – do të jetë më i madh se diga e Tri Grykave, që deri tani njihej si diga më e gjerë e botës, dhe se mund të gjenerojë trefish më shumë energji elektrike.
Ekspertët dhe zyrtarët kanë thënë se diga e re mund të fuqizojë kontrollin e Kinës ndaj rajoneve përreth, por edhe mbi Bangladeshin, pasi lumi është shumë i rëndësishëm edhe për rrjedhën e lumenjve Siang, Brahmaputra dhe Jamuna.
Edhe një raport i vitit 2020 i Instituti Lowy, organizatë studimesh nga Australia, kishte shprehur shqetësim për ndikimin kinez të projektit në ekonominë e Indisë./BBC/Kallxo.com/