Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe ajo e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Prizrenit janë dy nga drejtoritë që më së shumti japin subvencione. Praktika që ndiqet gjatë publikimit të listës së përfituesve është që në të vendoset, emri i përfituesit, titulli i projektit dhe shuma e përfituar.
Por, nga organizata “EC Ma Ndryshe” vlerësojnë se kjo mënyrë nuk i përmbush kërkesat për transparencë të mirëfilltë. Ata kanë kërkuar që në këto lista të përfshihen edhe kriteret e vlerësimit, në bazë të të cilave janë përzgjedhur përfituesit; anëtarët e komisioneve; shumën financiare me të cilën ka aplikuar organizata/shoqata; shumën financiare të përkrahur nga drejtoria; sikurse edhe përshkrimin e shkurtër të projektit dhe rezultatet e pritura. Për të cilat kanë thënë se mungojnë në publikimet që bëjnë këto drejtori komunale.
Në listën e përfituesve të subvencioneve për kulturë, rini dhe sport në Komunën e Prizrenit, e cila mban datën 18.04.2024, të siguruar nga TV Prizreni, përfituesit janë ndarë në tri fusha, sipas fushës, kulturë, rini dhe sport. Në secilën fushë janë renditur emrat e organizatave përfituese, emrat e projekteve dhe shumën me të cilin është mbështetur projekti nga Komuna e Prizrenit.
Në fund të secilës fushë, është llogaritur shuma totale e përfituar nga organizatat. Në fushën e kulturës kanë përfituar 46 organizata një vlerë totale prej 811,200 euro, në fushën e rinisë 17 organizata janë mbështetur me 93 mijë euro në total ndërsa në fushën e sportit janë mbështetur 45 organizata me 494,600 euro në total. Në fund të listës, janë vendosur edhe emrat e anëtarëve të Komisionit që kanë bërë përzgjedhjen.
Zyrtarja për dokumentacion dhe informim në Komunën e Prizrenit, Adelina Hoxhaj, është shprehur se shuma e përkrahur nga drejtoria u përcillet të gjitha OJQ-ve përfituese përmes e-mail adresave të tyre. Ndërsa, ka shtuar se në bazë të rregullores, të dhënat e plota të projekteve përfituese nuk është e nevojshme të publikohen për shkak të ruajtjes së privatësisë.
“Sa i përket kritereve, DKRS-ja bazohet në rregulloren MF-04/2017 mbi kriteret dhe procedurat e financimit publik të OJQ dhe në rregulloren komunale nr.001/011-201. Anëtarët e komisionit janë në web-faqe të komunës me një vendim të kryetarit të komunës me nr: 01/049/24 të datës 12.02.2024. Shuma e përkrahur nga drejtoria i dërgohet në e-mail të gjitha OJQ-ve fituese. Ndërsa, sa i përket përshkrimit të shkurtër të projekteve, në bazë të rregullores nuk është e nevojshme dhe nuk mundemi për shkak të thyerjes së privatësisë”, thuhet në përgjigjen e Hoxhajt.
Ndërsa drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Adem Morina, ka thënë se këto të dhëna nuk publikohen në mënyrë që përfituesit të mos krijojnë mosmarrëveshje me njëri – tjetrin për këtë çështje.
“Sa i përket të dhënave për projekte dhe organizatat përfituese, ne nuk i publikojmë në mënyrë që mos të kenë organizatat plasaritje ose keqkuptime mes vete. Për atë arsye, se jo për diçka tjetër”, ka thënë drejtori Morina.
Ramadan Tarashaj, drejtori i Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik në Prizren, ka thënë se janë të hapur t’i ndajnë listat e përfituesve me të gjitha detajet.
“Ne ja kemi përcjellë listën me qasje në dokumenta. Me vlera me të gjitha infot. Kush do të ketë qasje na jemi të hapur për gjithçka si drejtori”, është shprehur drejtori Tarashaj.
Ai ka treguar se OJQ-të përfituese nga kjo drejtori, në përfundim të projektit sjellin raportin narrativ dhe financiar sipas formularëve që i posedon kjo drejtori. TV Prizreni ka siguruar qasje në formularët e raportit narrativ dhe financiar që OJQ-të duhet të dorëzojnë. Në formularin e raportit narrativ, përveç të dhënave të përgjithshme në lidhje me projektin përfitues dhe organizatës përfituese, kërkohen edhe të dhëna arritjet dhe rezultatet, bashkëpunimin me akterët e tjerë, si ka ndikuar projekti në ngritjen e kapacitetit të organizatës, si është bërë monitorimi dhe vlerësimi i suksesit të projektit, qëndrueshmëria e projektit, etj. Përveç formularit të raportit narrativ, organizatat përfituese duhet të dorëzojnë edhe tabelën e buxhetit, në të cilën duhet të përshkruajnë shpenzimet në kuadër të projektit, të ndara në kategori.
Organizata “EC Ma Ndryshe” konsideron se me publikimin e informatave më të detajuara në lidhje me projektet përfituese, drejtoritë komunale do të tregonin transparencë dhe llogaridhënie, duke dhënë shembull për praktika të mira të qeverisjes.
“Njëkohësisht ky është edhe njëri prej parimeve të përgjithshme të legjislacionit në fuqi, sikurse edhe zotim i dhënë para qytetarëve nga lidershipi aktual komunal. Praktika e ndarjes jo-transparente të subvencioneve bie ndesh me parimet themelore të qeverisjes transparente dhe po ashtu nuk përputhet me përpjekjet për promovimin e standardeve të qeverisjes së mirë, kanë thënë ata në fund të reagimit të tyre”, kanë thënë nga “EC Ma Ndryshe”.
Mangësi në proceset e subvencionimit janë evidentuar edhe në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Prizrenit. Në raportin e ZKA-së për vitin 2022, janë renditur disa parregullsi të evidentuara në ndarjen e subvencioneve në kulturë, sport e bujqësi.
E para thotë se Komisionet e vlerësimit të kërkesave për subvencione në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit nuk kanë aplikuar formularët zyrtarë të vlerësimit të kërkesave, siç kërkohet me Rregulloren MF-Nr-04/2017.
“Kjo është hasur në pesë mostra të testuara, e të cilat janë në vlerë të përgjithshme 54,550 euro. Gjithashtu, kryesuesi i komisionit të vlerësimit të kërkesave ishte caktuar monitorues i projekteve të financuara. Monitoruesi nuk kishte përgatitur ndonjë raport përreth projekteve të subvencionuara apo se ka realizuar ndonjë vizitë në mbikëqyrjen e projekteve”, thuhet në raport.
Ndërsa për thirrjen publike në fushën e sportit, lot 2, përveç kritereve tjera ishte kërkuar që ekipi i futbollit të ketë së paku 2 trajnerë të licencuar. Në raport thuhet se përfituesi i projektit “Masovizimi i futbollit prizrenas”, në vlerë 3,000 euro, kishte sjellë një konfirmim me shkrim për trajnerët, por emrat e trajnerëve nuk figuronin në regjistrat e Shoqatës Rajonale të Futbollit – Prizren.
“Përfituesi i subvencionit nuk kishte sjellë dëshmitë/licencat e trajnerëve”, vazhdon gjetja.
Te e njëjta gjetje, për mangësitë në proceset e subvencionimit është përmendur edhe një rast në bujqësi. Në raport thuhet se te procedurat e subvencionimit të thirrjes për subvencionim për bujqësi, përveç kritereve tjera për aplikim, ishte kërkuar nga fermerët që të kenë bërë regjistrimin dhe verifikimin e kafshëve të lëshuara për identifikim dhe regjistrim në kuadër të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV).
“Përfituesi/fermeri kishte sjellë marrëveshjen për identifikim të nënshkruar, por nuk kishte vulosur nga vetë fermeri për numrin e kafshëve të tij”, theksohet në raportin e ZKA-së.
Auditori ka evidentuat se në dy raste përfituesit e subvencioneve nuk kishin dorëzuar raportet narrative dhe financiare për projektet e subvencionuara. Projekti i parë në vlerë 45,000 euro sipas ZKA-së i takon fushës së sportit për mbështetjen e pjesëmarrjes në gara të kombëtare të basketbollit, ndërsa projekti tjetër në vlerë 4,000 euro është për mbështetjen e promovimit të punës vullnetare në komunitet.
“Kjo ka ndodhur për shkak të kontrollit jo adekuat dhe monitorimit të mangët të proceseve të subvencionimit nga komisionet vlerësuese dhe monitoruesit, dhe mbikëqyrjes së pamjaftueshme nga monitoruesit e projekteve”, vazhdon raporti.
ZKA ka theksuar se në mungesë të raporteve narrative dhe financiare nuk krijohet siguri se fondet financiare janë shfrytëzuar nga përfituesit për qëllimin e dedikuar.
“Gjithashtu të sigurohet se, monitoruesit e projekteve bëjnë kujdes për realizimin e projekteve të subvencionuara dhe se përfituesit dorëzojnë raportin narrativ dhe financiar pas përfundimit të projekteve” – thuhet në rekomandimin e ZKA-së për Komunën e Prizrenit.
Ky artikull është përgatitur përmes mbështetjes nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it, Qeverisë së Shteteve të Bashkuara apo BIRN.