Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar paraburgim ndaj Sh.C., i dyshuar se ka kryer veprën penale mashtrim dhe falsifikim i dokumenteve.
Siç ka njoftuar Prokuroria, Sh.C. nga data 12 shtator i vitit 2019 e deri në shtator të vitit 2021, në agjencinë “BCD Travel” në bashkëkryerje me disa persona tjerë, ka mashtruar 120 persona, duke u premtuar viza pune në këmbim të parave.
Mendohet se dëmi që u është shkaktuar është mbi 500 mijë euro.
“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se Sh.C., nga data 12.09.2019 e deri në muajin shtator 2021, në Agjencinë “BCD Travel”, për të cilin rast prokuroria ka njoftuar opinionin publik, i njëjti në bashkëkryerje me disa persona kanë mashtruar 120 persona, tani të dëmtuarit, në atë mënyrë që duke përdorur dokumente të falsifikuara kanë hapur agjencinë e lartcekur, kështu duke i mashtruar të dëmtuarit kinse për t’ju siguruar viza pune për në shtetet perëndimore dhe skandinave, për të cilat shërbime të aplikimit përmes kontratave të pavërteta, të dëmtuarit kanë paguar shuma të caktuara të parave me premtimin se do t’i marrin vizat, mirëpo pas përpjekjeve për të kontaktuar me personat përgjegjës, të pandehurit nuk janë lajmëruar, me ç’ rast të dëmtuarve ju kanë shkaktuar dëm material. Është shkaktuar dëmi në vlerë mbi 500.000 euro”, thuhet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.