Presidentja e vendit, Vjosa Osmani para nisjes së Samitit të liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Danimarkë ka folur për sigurinë në rajon dhe më gjerë, gjersa theksoi se Serbia historikisht i ka trajtuar fqinjët e saj si shtete joekzistente, si shtete të përkohshme, duke vepruar ndaj tyre me agresion.
Osmani theksoi tutje se aktualisht ka dy kërcënime kryesore të sigurisë ndaj vendeve të kontinentit, njëri nga Rusia dhe tjetri Serbia.
“Aktualisht ka dy kërcënime kryesore të sigurisë ndaj vendeve të kontinentit tonë. Njëri vjen nga Rusia, sigurisht. Tjetri, sidomos në rajonin tonë, vjen nga proxy i Rusisë, nga zgjatimi i Rusisë në rajon – Serbia. Dhe mendoj se është e domosdoshme që Bashkimi Evropian të ketë konsistencë në trajtimin e të dy këtyre agresorëve, sepse nuk mund të trajtosh njërin si agresor e diktator dhe tjetrin si partner”, tha ajo.
E para e shtetit u pyet nëse Bashkimi Evropian po tregohet hipokrit.
“Jo, nuk po them se janë hipokritë. Besoj se kanë qëllimet më të mira. Megjithatë, është e rëndësishme që të mësojmë nga historia. Dhe siç thashë, historia, veçanërisht në trajtimin e Putinit, na tregon se politika e qetësimit nuk sjell paqe të qëndrueshme. Presidenti Vuçiq po përpiqet të kopjojë Putinin, duke përdorur agresion dhe taktika destabilizimi ndaj fqinjëve. Për këtë arsye, është thelbësore që vendet e BE-së ta kuptojnë se shpërblimi i Serbisë për qëndrimin e saj pranë Rusisë nuk është rruga e duhur. Duhet shpërblyer vendet që janë 100% të përafruara me BE-në, jo ato që kanë zgjedhur Moskën si rrugën e tyre”, tha ndër të tjera ajo.