Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, në rrjete sociale ka përmbledhur shkurt mesazhet që ka përcjellë në vizitën në Kosovë, Serbi dhe Maqedoni të Veriut ditëve të fundit.
Në udhëtimin e saj, Kallas vizitoi Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, ku përcolli mesazhe të qarta për secilin vend.
“Në Serbi, kërkova që autoritetet të përshpejtojnë reformat dhe të përcaktojnë qartë drejtimin strategjik të vendit drejt BE-së, përmes rikthimit të besimit dhe përkushtimit ndaj parimeve demokratike. Bisedova edhe me të rinj dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kërkuan drejtësi dhe përgjegjësi – zëri dhe energjia e tyre janë thelbësore për të ecur përpara”, shkroi ajo në Instagram.
Sa i përket Kosovës, Kallas apeloi për tejkalimin e ngërçit politik dhe formimin sa më të shpejtë të një qeverie funksionale.
“Liderët duhet të lënë ndarjet anash dhe të vendosin në plan të parë të ardhmen e Kosovës”, theksoi ajo.
Ndërsa për Maqedoninë e Veriut, Kallas nënvizoi se vendi ishte i pari në rajon që nënshkroi një Partneritet për Siguri dhe Mbrojtje me BE-në dhe përfitoi nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
“Maqedonia e Veriut i përket familjes evropiane dhe tani është thelbësore të vazhdohet në rrugën drejt BE-së”, u shpreh ajo.
View this post on Instagram