Me qëllim të ndryshimeve të skemës pensionale të punëtorëve të arsimit dhe punëtorëve të sektorit publik, kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka inicuar nismën për mbledhjen e nënshkrimeve.
Kjo nismë, sipas tij, ka të bëjë që t’i kthehet e drejta punëtorëve të arsimit të viteve të 90-ta që të marrin pensionin e plotë. Jasharaj u shpreh i bindur që për një periudhë të shkurtër kohore do t’i mbledhin më shumë se 10 mijë nënshkrime.
“Duke respektuar qëndrimet e përfaqësuesve të SBASHK-ut që nga çerdhet deri në universitet, kemi ardhur në përfundim që të fillojmë më një nismë qytetare për mbledhjen e nënshkrimeve nga anëtarësia e jonë, por edhe nga qytetarët. Fjala është se do t’i drejtohem Parlamentit të Kosovës që të ndryshojë pjesën e Ligjit për skemat pensionale, ngase me ndryshimet e bëra kohëve të fundit, janë mohuar të drejtat e fituara të punëtorëve të arsimit dhe jo vetëm. Kjo nismë ka të bëjë që t’i kthehet e drejta që e kishte dhënë vetë Parlamenti punëtorëve të arsimit të viteve të ‘90-ta që vitet e ‘90-ta të jenë vite kontributdhënëse për t’ju ndihmuar që të marrin pensionin e plotë. Nga ana tjetër, si shtesë e kësaj është që edhe kërkesa nga vitit ‘99 deri kur filloi së vepruari ‘Trusti Pensional’, pra janë 3 vjet e gjysmë, të konsiderohen si vite kontributdhënëse, gjë që do t’i ndihmonin jo vetëm punëtorëve të arsimit, por edhe të punësuarve të tjerë në sektorin publik, që t’i arrijnë kriterin 15 vjet. Sot do ta lajmërojmë Parlamentin për iniciativën dhe jam i sigurt, duke u nisur nga uniteti që e kemi në SBASHK, se jo vetëm 10 mijë, por shumë ma shumë se këto nënshkrime do t’i mbledhim brenda një afati shumë të shkurtër dhe do t’ia dorëzojmë organeve gjegjëse kërkesën tonë duke shpresuar që Parlamenti do të debatojë, do ta respektoj iniciativën tonë dhe do të na e kthej të drejtën që na u mohua nga vetë ky Paralment tani”, tha Jasharaj./RTK/