Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas marrjes në pyetje të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, si i pandehur nga Prokuroria, nën dyshimet për keqpërdorim në projektin e fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Abdixhiku theksoi rëndësinë e ndërtimit të një shteti ku drejtësia nuk njeh emra të mëdhenj dhe ku çdo akt korruptiv ndëshkohet, veçanërisht kur ai vjen nga njerëz të pushtetit.
“Edhe në Kosovë, sikurse në secilin vend tjetër në Evropë, do të dalë një ditë një prokuror a dy, djem e vajza të reja e të rinj, që kanë guxim e integritet të trajtojnë secilin akt korruptiv; secilën hajni. Edhe atë të pushtetarëve. Sidomos atë të pushtetarëve,” ka shkruar ai.
Abdixhiku shprehu shpresën se kjo ditë mund të ketë ardhur tashmë, duke e quajtur këtë si fillimin e një epoke të re për popullin e Kosovës, në të cilën drejtësia triumfon dhe pasuria e vjedhur i kthehet vendit.
“Atë ditë do të mburremi të gjithë – me shtetin tonë, me arritjet tona; me integritetin e njerëzve që i shërbejnë popullit të tyre pa frikë. Le të shpresojmë e besojmë, se pas aq shumë vitesh pritjeje, një guxim i tillë tashmë ka lindur. Dhe me të, ka lindur dhe një epokë e re e popullit tonë,” shkroi ai më tej.
Në fund, kreu i LDK-së potencoi se në këtë epokë të re, “paratë e vjedhura nga ata që e shohin veten mbi shtet, ligj e vend, do të kthehen cent më cent. Nga të gjithë!”
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është marrë në pyetje nga autoritetet për çështje që ndërlidhen me projektin për ndërtimin e një fabrike për përpunimin e mbetjeve shtazore – një projekt i kritikuar për mungesë transparence dhe dyshime për shkelje ligjore.