Në shtatë prej 13 lokacioneve që janë gërmuar deri tash këtë vit janë gjetur eshtra të njerëzve që mund të jenë viktima të luftës në Kosovë.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se pa u përfunduar gërmimet në lokacionet Prekaz dhe Tusuz, ku janë gjetur mbetje së fundmi, nuk do të vazhdojnë gërmimet diku tjetër.
“I kemi lokacionin e Podujevës që presim ta kryejmë me ardhë por pa u përfunduar lokacioni i Prekazit dhe Tususit nuk do vazhdojmë diku tjetër. Sepse në Prekaz kemi gjetur tre trupa, por jemi në kërkim të më së paku pesë trupa”, ka thënë ai.
Hoti ka theksuar se nga gërmimet që kanë rinisur këtë javë në Shtaval të Serbisë nuk ka ende rezultate.
“Për këtë javë kanë përfunduar, ende nuk kemi hasur në mbetje të personave që po i kërkojmë. Informatat e para i kemi pasur nga dëshmitarë, përfshirë serbë, që i kanë parë autobusë që kanë shkuar atje që i kanë vrarë dhe i kanë varrosur. Lokacioni i Shtavallit është afër një miniere që me tonelata dhe është hedhë në atë vend dhe pa pasë informacione kredibile të arkivave që i kërkojmë nga Serbia, është e vështirë të kemi koordinatën e saktë se ku mund të jetë kjo varrezë masive. Deri sot që është dita e katërt nuk kanë hasur në eshtra të njerëzve”, ka deklaruar ai.
Hoti ka thënë se Serbia vazhdon të mos bashkëpunojë në këtë çështje, ndërsa ka shtuar se po mungojnë informacionet kredibile për lokacionet.
“Kemi pasur kërkesë jo vetëm për këtë lokacion por edhe tjetra, dhe rikthim në disa lokacione ku janë bërë gërmime në të kaluarën. Nuk kemi marrë përgjigje për këto lokacione nga Serbia”, ka përfunduar ai.