Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Christopher Hill, duke folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, tha se është ende herët për të vlerësuar rezultatin e takimit të 27 shkurtit në Bruksel.
Siç raporton “Beta” pas takimit të fundit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, Hill ka thënë sot se duhet pritur bisedime të reja.
“Mendoj se po ecim në drejtimin e duhur, por duhet të presim dhe të shohim sepse ende askush nuk ka rënë dakord për asgjë”, tha Hill.
“Nuk do të doja të flisja për gjëra konkrete dhe afate, mendoj se është e rëndësishme që çështjet të zgjidhen, që pas 10 vitesh më në fund po formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe se shumë e shohin këtë si një test nëse bashkësia ndërkombëtare është seriozisht e interesuar për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe mund të them se po. Na duhet vetëm durim”, tha ai.
Hill gjithashtu tha se Serbia do të duhet të marrë një vendim për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë sepse, siç vlerësoi ai, po paguan një çmim të lartë për mosvendosjen e tyre.