Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se vetingu në drejtësi është shumë i domosdoshëm dhe se duhet gjetur vetëm mënyrën se si të shtyhet para ky proces.
Haxhiu në emisionin “Tempus” në KTV, ka thënë se dy zotimet kryesore të Vetëvendosjes kanë qenë drejtësia dhe punësimi.
“Pikërisht dy prej problemeve më të mëdha që i kanë qytetarët në Kosovë është mungesa e drejtësisë dhe mungesa e punësimit, këto ndërlidhen mes vete. Ne kemi marrë mbështetje të madhe qytetare dhe unë nuk mund të pajtohem me atë që sot ka diskutime a duhet të ketë veting apo jo. Më nuk ka dilema se në Kosovë vetingu është i domosdoshëm. Nuk ka diskutime a duhet të ketë a jo, por cila është mënyra që duhet ta shtyjmë vetingun para, duke marrë parasysh se nevojiten edhe ndryshime kushtetuese, marrë parasysh kompetencat e këshillit gjyqësor dhe këshillit prokuroria në raport me propozimin për emërim apo shkarkim të gjyqtarëve”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka shtuar se për veting është shumë me rëndësi të ketë konsensus të gjerë politik, por edhe me institucione të tjera të drejtësisë dhe me shoqërinë civile.