Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prizrenit, Luljeta Veselaj Gutaj, ka njoftuar se nga data 27 maj 2025 fillon procesi i aplikimit për Provimin e Maturës Shtetërore për të gjithë maturantët e komunës.
Aplikimi do të bëhet në mënyrë elektronike përmes platformës e-Kosova dhe do të qëndrojë i hapur deri më 10 qershor 2025. Ndërkohë, periudha për aprovimin e aplikimeve nga koordinatorët e shkollave do të zgjasë nga 1 deri më 11 qershor.
Veselaj Gutaj u ka bërë thirrje maturantëve që të respektojnë afatet dhe të përgatiten me përkushtim për këtë hap të rëndësishëm drejt të ardhmes së tyre akademike.
Provimi do të mbahet më 21 qershor 2025, ndërsa rezultatet do të shpallen më 30 qershor. Nxënësit që kalojnë me sukses testin do të mund të shkarkojnë certifikatën digjitale përmes platformës e-Kosova.
Testi do të zhvillohet në një ditë dhe do të përfshijë katër lëndë: Gjuhë Shqipe, Gjuhë Angleze, Matematikë dhe një lëndë me zgjedhje nga vetë nxënësi. Secila lëndë përmban 25 pyetje, duke e çuar në 100 numrin e përgjithshëm të pyetjeve në test.
Drejtoria Komunale e Arsimit në Prizren, në krye me znj. Veselaj Gutaj, u uron të gjithë maturantëve suksese dhe një proces të mbarë të testimit.