Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ku po planifikohej të mbahej seanca e radhës konstituive të shtunën është evakuuar për shkaqe sigurie, pas kërcënimit me bombë, ka bërë të ditur deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.
“Ka një kërcënim me gjasë, me bombë. Policia për shkak të masave të sigurisë, ka thënë se duhet të evakuohet stafi. Ka një kërcënim, nuk e di më tutje, Policia duhet të japë sqarime. Krejt çka na kërkun është me liru ndërtesën”, ka thënë Tahiri.
E deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se nuk beson që ka ndonjë rrezik për deputetët.
“Është tepër e pakuptimtë kjo çka po ndodh. Ndoshta është ndonjë telefonatë e qëllimshme me i largu deputetët nga Kuvendi. S’ka njeri normal që e sulmon Kuvendin”, ka thënë ajo.
E në një përgjigje për KOHËN, Kuvendi e ka konfirmuar se po dyshohet për bombë të mundshme.
“Policia na ka njoftuar se ka marrë njoftim për alarm për një bombë të mundshme në hapësirat e objektit të Kuvendit. Për pasojë ka kërkuar evakuimin e objektit. Të gjithë janë jashtë. Për më tepër informata kontaktoni Policinë”, thuhet në përgjigjen e tyre./Koha/