Marrja e shpeshtë e antibiotikëve dëmton ekuilibrin e baktereve të mira dhe të këqija në zorrë.
Problemi i përdorimit të pakontrolluar të antibiotikëve po bëhet çdo vit më i theksuar.
Në këtë lloj sezoni të vonë të vjeshtës, dimrit, pritet rritje e numrit të infeksioneve respiratore. Këto janë infeksionet më të zakonshme te njerëzit, megjithatë në 90 për qind të rasteve shkaktohen nga viruse që nuk preken nga antibiotikët.
“75 për qind e antibiotikëve shpenzohen vetëm për këto indikacione të infeksioneve respiratore, ndaj padyshim që po harxhojmë kot antibiotikët”, shpjegon Ariana Tambiq Andrasheviq, nga Klinika për Sëmundje Infektive “Dr. Fran Mihaljeviq” në Kroaci.
Ajo thotë se kjo nuk është vetëm një humbje financiare, por një pasojë shumë më e keqe është krijimi i një numri në rritje të varianteve të baktereve rezistuese ndaj antibiotikëve në dispozicion që është një problem global.
“Nëse konsumojmë shumë antibiotikë ne nuk e dimë se te ne krijohen baktere të tilla rezistuese, të cilat gjejnë rrugën drejt sëmundjes herë pas here dhe sot problemi është se këto sëmundje dhe infeksione janë gjithnjë e më të vështira për t’u trajtuar”, shton Andrasheviq.
“Prej kohësh antibiotikët janë përdorur për të trajtuar sëmundjet për të cilat nuk janë të indikuar dhe tashmë ka pasoja negative, ka rezistencë ndaj disa antibiotikëve të rëndësishëm që na kanë shpëtuar jetën gjatë 20 apo 50 vjetëve të fundit”, paralajmëron Ana Soldo, kryetare e Dhomës së Farmacistëve të Kroacisë, shkruan KP.
Konsumi i antibiotikëve në baza vjetore e vendos Kroacinë në mesataren evropiane, ndërsa vendet skandinave dhe Holanda konsumojnë shumë më pak antibiotikë. “Ata shpenzojnë më pak dhe kanë më shumë. Ata kanë një jetëgjatësi më të lartë, më pak vdesin nga infeksionet. Pra, me më pak para mund të arrihet më shumë”, tha Andrasheviq për HRT.
Ekspertët paralajmërojnë se është koha e fundit që të fillojmë të sillemi me përgjegjësi ndaj antibiotikëve për të reduktuar konsumin e tyre, me përdorim të synuar. Infeksionet bakteriale, jo virale, trajtohen me antibiotikë. Antibiotikët nuk trajtojnë gripin apo ftohjen, antibiotikët nuk ulin temperaturën. Duhet të merret vetëm me rekomandimin e mjekut, dhe të pihet dozën e plotë të rekomanduar.