Drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Edin Shehu, ka reaguar publikisht pas përfshirjes së emrit të tij në një aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shehu ka deklaruar se është informuar për këtë zhvillim përmes mediave dhe se aktakuza nuk ka lidhje me përgjegjësitë e tij institucionale.
“Zyrtarisht, aktakuza ende nuk është konfirmuar dhe besoj që nuk do të konfirmohet, sepse padrejtësisht jam involvuar në të për gjëra të cilat nuk janë në kompetencën dhe përgjegjësinë time,” është shprehur ai.
Shehu ka mohuar çdo përfshirje në çështjen në fjalë, duke thënë se “nuk kam asnjë lidhje apo përfshirje me këtë aktakuzë”.
Në deklaratën e tij, ai gjithashtu ka shprehur besim në institucionet e drejtësisë: “Besoj fuqishëm se në institucionet vendimmarrëse të drejtësisë ka njerëz profesionistë të cilët gjykojnë drejtë dhe pa ndikime politike.”
Në fund, Shehu ka falënderuar të gjithë ata që, siç u shpreh ai, po e përkrahin dhe besojnë në pafajësinë e tij.
- Reklama -