Qendra Kinematografike e Kosovës, njofton se, pas sukseseve me filmat “Pa vend” (2021) dhe “Rrugës” (2024), me të cilët u përzgjodh dy herë në konkurrencën zyrtare të filmave të shkurtër në Festivalin e Filmit të Kanës – një arritje që e bën atë një nga regjisorët e paktë në botë me këtë sukses – regjisori Samir Karahoda tashmë nis rrugëtimin e tij të parë në metrazh të gjatë me projektin LOST FRAMES.
“Jemi të lumtur të ndajmë lajmin se LOST FRAMES, projekti i parë i metrazhit të gjatë me regji nga Samir Karahoda, i përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës si projekt në zhvillim, është përzgjedhur për të marrë pjesë në Focus COPRO’ 2025, në kuadër të Marché du Film në Festivalin e Filmit të Kanës.
Që nga viti 2018, Focus COPRO’ është pjesë e programeve kreative te Festivalit te Kanes që synojnë të përkrahin dhe nxjerrin në pah regjisorë me potencial të fortë, duke mbështetur prezantimin e projekteve të tyre të parë të metrazhit të gjatë para vendimmarrësve kyç të industrisë globale të filmit.
Projekti LOST FRAMES është një ndër 7 projektet internacionale që do të prezantohen këtë vit.
Besojmë se LOST FRAMES do të përfitojë nga mundësitë që ofron Focus COPRO’, duke e bërë këtë përfshirje një pikënisje të rëndësishme për hapat e ardhshëm të projektit”, thuhet në fund të këtij njoftimi nga QKK.

- Reklama -