Dy aksidente trafiku kanë ndodhur në të njëjtin lokacion në autostradën “Ibrahim Rugova”, dalja Veternik – Bresje 3, në mbrëmjen e 04.11.2024.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili ka njoftuar se në aksident janë përfshirë disa automjete.
Ai ka thënë se si pasojë e aksidentit, disa persona të lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor.
“Sonte në orët e mbrëmjes është raportuar për një aksident trafiku në autostradën “Ibrahim Rugova” dalja e autostradës Veternik – Bresje 3. Policia e Kosovës, konkretisht njësitet kompetente policore kanë dal në vendin e aksidentit dhe jemi njoftuar se bëhet fjalë për dy aksidente në të njëjtin lokacion dhe janë të përfshira disa automjete. Në këtë fazë raportohet për disa të lënduar dhe të njëjtit janë përcjell për trajtim mjekësor. Për gjendjen e tyre mund të ju adresoheni shërbimeve emergjente mjekësore”- ka thënë ai për KALLXO.com.
Hoxha ka njoftuar se sipas analizave të aksidenteve në Kosovë, nga 70 persona që kanë humbur jetën në aksidente të trafikut rrugor për periudhën janar-shtator 2024, 39 apo rreth 55%, kanë qenë shoferë.
Ai ka thënë se Policia kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit, në veçanti shoferët, që gjatë qarkullimit në rrugë të jenë me të kujdesshëm dhe t’u përmbahen rregullave të përcaktuara me Ligjin mbi trafikun rrugor, në të kundërtën masa ligjore të ashpra po aplikohen dhe do të aplikohen nga Policia në vazhdimësi.