Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, ka pritur sot në një takim njoftues Atasheun e ri Ligjor të FBI-së, Brendan Collins, i cili mbulon Kosovën me seli në Sofje të Bullgarisë.
Policia ka njoftuar se në këtë vizitë, Collins ishte i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të FBI-së nga Sofja dhe përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.
Sipas njoftimit të policisë, drejtori i përgjithshëm e falënderoi Collins për vizitën e tij në Policinë e Kosovës dhe i uroi suksese në pozitën e re si Atashe Ligjor i FBI-së.
Në njoftim bëhet e ditur se gjatë takimit u diskutua për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe FBI-së.
“Drejtori i përgjithshëm deklaroi se ky bashkëpunim ka qenë gjithmonë i shkëlqyer dhe ka prodhuar rezultate të prekshme në fushën e sigurisë. Ai shprehu gatishmërinë e tij për të forcuar më tej këtë partneritet në të ardhmen. Theks i veçantë u vu mbi bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomeneve të tjera me interes të përbashkët”, thuhet tutje në njoftim.
Policia e Kosovës tutje ka theksuar se mbetet e përkushtuar për të forcuar partneritetet ndërkombëtare në funksion të sigurisë së qytetarëve.