Mediat serbe sot kanë nxjerrë si kryelajm vendosjen e një flamuri me stemë të UÇK’së, të vendosur në një rrethojë në fshatin Hoçë e Madhe e Rahovecit, i banuar i tëri me pjesëtarë të komunitetit serb. Këtë e kanë raportuar si provokim të rëndë. Pyetja lind se kujt i konvenon ky provokim në ditën që në Kosovë po qëndrojnë i dërguari special i SHBA’së për rajonin, Gabriel Escobar, bashkë me ndërmjetësin e BE’së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Një praktikë e tillë tashmë nuk është e re për Kosovën. Pothuajse çdo herë në këto 20 vite të pasluftës, sa herë që në Kosovë ka pasur ndonjë vizitë nga përfaqësues të rëndësishëm të politikës ndërkombëtare, e në veçanti kur ata vinin në Kosovë për tema që lidhen me raportet e Kosovës me Serbinë, ndodhte ndonjë incident që lidhej me komunitetin serbë që jeton në Kosovë. Ndërsa kjo, nuk është e vështirë të deshifrohet, se kujt i shërben, dhe rrjedhimisht edhe kush mund ta bëjë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Paraqitja e një provokimi të tillë në ditën që në Kosovë vijnë përfaqësuesi amerikan dhe ai i BE’së për dialogun, s’do mend se bëhet me qëllimin për ta paraqitur situatën e serbëve në Kosovë si shumë të rëndë, instrument të cilin më pas Serbia mund ta përdorë në negociatat gjatë takimeve me ndërmjetësit në dialog.
Siç raportojnë mediat serbe, mëngjesin e sotëm në hyrje të Hoçës së Madhe është vërejtur një flamur me stemën UÇK’së.
Tutje, në raportimet e këtyre mediave thuhet se, banorët e kësaj ‘enklavë serbe’ janë shqetësuar veçanërisht nga fakti që flamuri ishte varur në gardhin nën kishën e Shën Gjon Pagëzorit, në pronën e së cilës ndodhet monumenti i serbëve të vrarë dhe të rrëmbyer gjatë luftës në Kosovë. /Reporteri.net