Me rastin e shënimit të Ditës Botërore Kundër Duhanit, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) organizuan një konferencë për media, ku u bë thirrje për masa të reja dhe më të rrepta kundër ndikimit të industrisë së duhanit, sidomos te të rinjtë.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë , Arben Vitia, tha se duhani vazhdon të jetë një ndër sfidat më serioze të shëndetit publik. Ai bëri të ditur se do të rrisin numrin e inspektimeve në hapësirat, ku është e ndaluar duhanpirja.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë , Arben Vitia, tha se duhani vazhdon të jetë një ndër sfidat më serioze të shëndetit publik. Ai bëri të ditur se do të rrisin numrin e inspektimeve në hapësirat, ku është e ndaluar duhanpirja.
Arben Lila nga Qendra për Avokim dhe Zhvillim (KADC) tha se industria e duhanit po përdor mjete gjithnjë e më të sofistikuara për të shënjestruar të rinjtë.
“Ne jemi këtu sot për të ritheksuar mbështetjen tonë për draft- Ligjin e ri për Kontrollin e Duhanit, i cili përmban masa thelbësore dhe të domosdoshme për të mbrojtur brezat e rinj: ndalim të plotë të reklamimit dhe promovimit të produkteve të duhanit dhe nikotinës, përfshirë ato në platformat digjitale; zbatim të paketimit standard (plain packaging) për të larguar çdo efekt joshës vizual si dhe ndalimin e shijeve të ëmbla frutash që targetojnë posaçërisht fëmijet dhe të rinjtë. Ky ligj është një hap i guximshëm, por i drejtë”, tha ai.
Zëdhënësi i IKSHPK-së, Faik Hoti, tha se rezultatet e hulumtimeve tregojnë një ulje të përdorimit të duhanit pas hyrjes në fuqi të ligjit për kontrollin e tij.
“Që nga hyrja në fuqi të ligjit për duhanin, hulumtimet që janë zhvilluar nga instituti, për fat të mirë, kanë nxjerrë edhe atë që ka qenë synim i ligjit: ulje të numrit të përdorimit të tij. Ajo çka duhet të bëjmë më shumë është ndalimi i reklamimit (të duhanit)”, tha ai.
Dita Botërore Pa Duhan (WNTD) shënohet në mbarë botën çdo vit më 31 maj, me ç’rast informohet publiku për rreziqet e përdorimit të duhanit