Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të 18 oficerëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila u mbajt në Kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë.
Zyra e Kryeministrit bën të ditur se në adresimin e tij, në këtë ceremoni të veçantë, Kurti rikujtoi zotimin se ushtria do ta ketë përkrahjen e pakursyer të Qeverisë, duke theksuar se kemi ngritur buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes në 208 milionë euro, pra në nivel të 2% të Bruto Produktit Vendor, kriter ky që deri më tani është plotësuar nga vetëm shtatë shtete anëtare të NATO-s.
“Nga sot ju filloni detyrën fisnike, por po aq edhe sfiduese. Ju jeni shtylla mbi të cilën do të vazhdon ndërtimi strukturor e profesional i Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe që do ta shoqërojë etapën e ushtrisë sonë drejt shërbimit në Aleancën Veriatlantike të shteteve demokratike, në aleancën e madhe të NATO-s. Kosova në aspektin gjeografik, ideor, vleror e politik është Evropë, andaj pashmangshëm jo vetëm i nevojshëm është anëtarësimi në familjen evropiane demokratike së cilës i takojmë. Me dëshmorët e kombit në zemër dhe mësimet profesionale në mendje, kadetë, urime diplomimi”, tha kryeministri Kurti duke iu drejtuar oficerëve të sapo diplomuar dhe familjarëve të tyre, njofton ZKM.
Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Komandanti i FSK-së, gjeneralmajor Bashkim Jashari, zëvendësministra, oficerë e nënoficerë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.