Akterë politikë në Kosovë e Shqipëri kanë mirëpritur deklarimin e James Rubin, ndihmëssekretar i shtetit pranë Dhomave të Specializuara në Hagë. Dëshmia e tij është vlerësuar se do të ndikojë në vënien e drejtësisë në gjykimin që është duke u zhvilluar ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Dëshmia e ish-ndihmëssekretarit amerikan të shtetit, James Rubin, në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi, e të tjerëve në Gjykatën Speciale, është mirëpritur në Kosovë e Shqipëri.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se në Hagë është duke dëshmuar një mik i madh i Kosovës.
Sipas Krasniqit, me SHBA-në në krah Kosova ka triumfuar mbi padrejtësitë e sfidat.
“James Rubin, diplomat dhe patriot amerikan, me ndërgjegje të pastër dhe kujtesë të gjallë, po flet në mbrojtje të presidentit Thaçi dhe shokëve të tij. Kjo është një dëshmi e qartë, e bazuar në fakte të pakontestueshme, për drejtësinë e luftës sonë çlirimtare, për qëllimet e saj dhe përpjekjet e çlirimtarëve tanë për paqe e liri, duke hedhur poshtë të gjitha akuzat e Prokurorisë ndaj tyre”, ka deklaruar Krasniqi.
Një fotografi me Rubin, të hënën e ka ndarë kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
“Atëherë kur koha kërkonte guxim dhe vendime të mëdha, ishim krah për krah. Sot, fjala e dhënë dhe e vërteta qëndrojnë po aq fuqishëm sa atëherë”, ka thënë Limaj.
E ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, është shprehur e bindur se paraqitja e provave dhe dëshmive të mbrojtjes do të ndikojë që të fitojë drejtësia.
“Në këtë moment, kur paraqitja e provave dhe dëshmive të mbrojtjes do të largojë përfundimisht njollat e fantazisë mbi emrin e UÇK-së, drejtësia duhet ta mundë njëherë e mirë padrejtësinë. Çdo vendosje ekuivalence mes akuzave të fajësisë mbi çlirimtarët dhe lirisë që ata sollën për shqiptarët e Kosovës do të ishte një barazim i turpshëm i së keqes me të mirën, një pllakë turpi në historinë e popujve për liri dhe drejtësi”, është shprehur Spiropali.
Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, është dëshmitari i parë i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit Thaçi, nga 11 sa është paralajmëruar se do të paraqiten gjithsej në rastin më të madh të Speciales.