Kryetari i LPRK-së dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Erxhan Galushi, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me gjendjen e kriijuar në lagjen “Ali Ibra” në Prizren, ku banorët e komunitetit rom që jetojnë në këtë lagje janë të rrezikuar nga kabllot elektrike dhe shtyllat e vjetra.
Sipas tij, këto shtylla mbesin në gjendje të dëmtuar dhe pjesërisht të rrëzuara edhe pas ankesave të shumta të banorëve ndaj KEDS-it.
“E turpshme dhe aspak e tolerueshme! Banorët e lagjes Ali Ibra në Prizren, ku kryesisht banojnë anëtarët e komunitetit rom, janë të rrezikuar nga kabllot elektrike dhe shtyllat e vjetra, shumica e të cilave janë të dëmtuara dhe pjesërisht të rrëzuara. Kjo gjendje vazhdon të mbetet e njejtë, pavarësisht ankesave të shumta të banorëve drejtuar KEDS-it. Megjithatë, gjendja mbetet e pandryshuar.”, shkruan deputeti Galushi në Facebook.
Tutje, ai u ka bërë thirrje KEDS-it në Prizren që të intervenojnë urgjentisht për të shmangur rreziqet e mundshme ndaj fëmijëve dhe banorëve të tjerë që jetojnë në këtë lagje.
“Urgjentisht kërkoj nga KEDS në Prizren një intervenim të menjëhershëm për të shmangur çdo rrezik, para se të ndodhë një ngjarje e padëshiruar që mund të rrezikojë jetën e fëmijëve dhe të banorëve në këtë lagje.”, shkruan në fund ai./TVPrizreni/