Një delegacion i lartë i Policisë së Kosovës, i udhëhequr nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, i shoqëruar nga drejtori i Departamentit të Hetimeve, drejtori i Drejtorisë së Bashkëpunimit Policor Ndërkombëtar dhe zyrtari ndërlidhës i Kosovës në Europol, morën pjesë në Konventën Vjetore të Shefave të Policive, e cila u mbajt në selinë e Europol-it në Hagë, më 23 dhe 24 shtator 2025.
Konventa e organizuar nga Europol-i dhe Presidenca Daneze e Bashkimit Evropian, ka mbledhur përfaqësues nga të gjitha vendet anëtare dhe partnere për të diskutuar sfidat e reja të sigurisë dhe mënyrat e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar.
Sipas njoftimit të Policisë, në qendër të diskutimeve ishin temat që lidhen kryesisht me krimin e organizuar ndërkombëtar, luftën kundër trafikimit të narkotikëve, pastrimin e parave, keqpërdorimin e shërbimeve financiare digjitale, si dhe format e reja të krimit financiar.
“Gjatë punimeve të Konventës, delegacioni i Policisë së Kosovës zhvilloi një sërë takimesh bilaterale me përfaqësues të lartë të policive partnere dhe institucioneve ligjzbatuese ndërkombëtare. Në këto takime u diskutuan çështje që lidhen me sigurinë rajonale dhe globale, format inovative të bashkëpunimit policor, si dhe shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira që synojnë forcimin e profesionalizmit dhe kapaciteteve të organizatave policore. Pjesëmarrja e Policisë së Kosovës në këtë konventë është një dëshmi e qartë e angazhimit të saj për të avancuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të përmirësuar aftësitë dhe kapacitetet për të përballuar sfidat e sigurisë që po evoluojnë në nivel global”, thuhet në njoftimin e Policisë.