Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se ka vendosur marzhë tregtare për produktet e naftës që përdoren për transport.
Siç njoftoi ajo në Facebook, marzha tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë do të jetë deri në 2 centë për litër, e me pakicë deri në 12 centë për litër.
Hajdari ka theksuar se vendimi u mor me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe konkurrencës së drejtë në tregun vendor.
“Ky vendim është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, përmes evidencave të përditshme të Doganës së Kosovës dhe raporteve nga ana e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku është evidentuar se ndryshimet e çmimeve furnizuese nga importi shpesh pasqyrohen në rritje të menjëhershme të çmimeve të shitjes, ndërsa nuk ndodh një reflektim proporcional në ulje kur çmimet furnizuese bien”, ka shkruar ajo.
Hajdari ka shtuar se me vendim parashihet mbikëqyrje e shtuar inspektuese nga Inspektorati i Tregut në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore.
Më 2022 dhe 2023 Qeveria po ashtu pati vendosur masa mbrojtëse për naftën.
