Boshnjakët dhe goranët e rajonit të Prizrenit dhe Dragashit po interesohen gjithnjë e më shumë për pasaportat bullgare, derisa përfaqësuesit e komunitetit boshnjak këtë dukuri e konsiderojnë si përpjekje për krijimin e një bashkësie të re bullgare. Deputeti boshnjak Rasim Demiri i tha Radio Kosovën thotë se viteve te fundit, ka përpjekje për bullgarizim të qytetarëve boshnjakë të Kosovës.
Mungesa e zhvillimit ekonomik dhe thellimi i varfërisë në vend ka shtyrë disa qytetarë të Komunës së Dragashit dhe rajonit të Zhupës që të pajisen me pasaporta dhe shtetësi bullgare, me qëllim të shkuarjes nëpër vendet e Bashkimit Evropian.
Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, në një intervistë për Radio Kosovën, thotë se ambasada e Bullgarisë në Kosovë disa herë ka vizituar këtë komunë duke bërë investime kapitale me qëllim joshjen e popullatës që të regjistrohen si bullgarë dhe të pajisen me pasaporta bullgare.
“Ambasada e Bullgarisë bën investime në Dragash çdo vit, realizon nga një ose dy projekte kapitale. Edhe më herët ka pasur raste kur disa qytetarë janë regjistruar si bullgarë për të marrë pasaportë bullgare. Regjistrimi i fundit ka treguar se ka shumë pak raste të tjera, pasi në fshatrat ku kanë menduar se do të regjistrohen si bullgarë, kanë dështuar”, tha ai.
Përfaqësuesit e komunitetit boshnjak këtë dukuri e konsiderojnë si përpjekje për përçarje dhe ndarje të mëtejshme të bashkësisë së tyre dhe krijimin e një bashkësie të re bullgare. Ata kanë apeluar te përfaqësuesit e BE-së që të ndalin këtë dukuri.
Rasim Demiri, deputet në Kuvendin e Kosovës, për Radio Kosovën thotë se vitet e fundit ka pasur përpjekje për bullgarizimin e qytetarëve të Kosovës. Në regjistrimin e fundit të popullsisë, asnjë pjesëtar nga komuniteti boshnjak nuk është regjistruar si bullgar, sqaron Demiri.
“Ky regjistrim ka qenë edhe dëshmi se përpjekja për bullgarizimin në Kosovë ka dështuar, përkundër përpjekjeve. Sa i përket dokumenteve, ka ndonjë individ që për interesa personale ka marrë pasaportë bullgare, për arsye se Kosova ka qenë nën regjimin e vizave dhe njerëzit kanë dashur të udhëtojnë nëpër botë”, theksoi ai.
Ndërkaq, qytetarët thonë se askush që ka marrë pasaportë bullgare nuk është bullgar, por se një gjë të tillë e kanë bërë krejtësisht për interesa personale.
“Nuk janë bullgarë, krejt e dimë. Janë shqiptarë, marrin pasaporta bullgare për interesa personale. Kam dëgjuar fjalë… nuk e di, më duket se e kanë një zyrë, por nuk e di a është këtu, apo në Dragash, apo ndoshta diku tjetër”, thekson qytetari i intervistuar.
Ndryshe, Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion, në një përgjigje përmes postës elektronike, ka sqaruar se nuk ka kufizime ligjore, pasi që ligji lejon dy ose më shumë shtetësi./RTK/