KOSTT nënshkruan kontratën për nënstacionin e ri të Malishevës, Kurti: Lajm i shumëpritur për banorët
Komandanti i KFOR-it takon Jasharin, diskutojnë për situatën e sigurisë në Kosovë
Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash ka pritur sot në takim komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari.
Në një njoftim për media të misionit të NATO-s në Kosovë theksohet se në takim, dy komandantët kanë folur për situatën e sigurisë në Kosovë.
“Ata shkëmbyen pikëpamje mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe mbi bashkëpunimin e KFOR-it me organizatat e sigurisë në Kosovë, përfshirë FSK-në, të cilën NATO vazhdon ta mbështesë sipas mandatit të saj fillestar. Gjeneral Major Ulutash theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm dhe të ngushtë, në dobi të sigurisë së qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe stabilitetit rajonal”, theksohet më tej në njoftim.
Nga OVL-UÇK paralajmërojnë ish-luftëtarët: Mos merrni pjesë në protestën e Shkupit, mund të arrestoheni
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka bërë të ditur se pjesëmarrja në ngjarjen e nesërme në Shkup është vullnetare dhe se deri më tani nuk janë dhënë garanci për lirinë e lëvizjes mes dy shteteve.
Në komunikatën e saj, OVL-UÇK shprehet: “Shkuarja është vullnetare dhe besojmë se do të kemi mirëkuptimin e bashkëluftëtarëve tanë për rrethanat e krijuara. Kjo ngjarje është një mesazh për bashkësinë ndërkombëtare dhe presim mirëkuptimin e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, e cila është anëtare e NATO-s”.
“Ne ju preferojmë luftëtarëve tanë të UÇK-së që mos me marr atë rrugë, sepse nuk kemi garanci. Edhe sikur ta kërkojmë, është e pamundur që shteti i Maqedonisë së Veriut të japë garanci kur je në listat e Europolit”.
“Automatikisht, kur futet letërnjoftimi në databazën e policisë kufitare dhe del se je i kërkuar, polici ka detyrim të të arrestojë. Prandaj u themi bashkëluftëtarëve tanë të mos marrin pjesë. Ka plot qytetarë që do marrin pjesë”, thuhet më tej në reagim.
Organizata thekson se protesta është paqësore dhe ka për qëllim shprehjen e pakënaqësisë për procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Sipas OVL-UÇK-së, nesër në Shkup do të bashkohen edhe qytetarë nga Prishtina dhe Tirana. /Telegrafi
Rrugët mbulohen nga mjegulla, Policia thirrje urgjente për kujdes maksimal
Policia e Kosovës ka lëshuar një njoftim për qytetarët, duke bërë thirrje për kujdes të shtuar në trafik për shkak të shfaqjes së mjegullës në disa pjesë të vendit, veçanërisht në zonat me pozitë gjeografike më të ulët, ku dukshmëria bie më shpejt.
Sipas Policisë, mjegulla e dendur mund të paraqitet kryesisht pranë lumenjve dhe akseve rrugore të ekspozuara ndaj lagështisë së lartë, duke e bërë ngasjen më të rrezikshme. Shoferëve u kërkohet të përcjellin me vëmendje ndryshimet e dukshmërisë dhe të shmangin shpejtësinë e lartë.
Në njoftim theksohet rëndësia e përdorimit të dritave të mjegullës, nëse automjeti i posedon ato, pasi ndihmojnë të ndriçohet rruga para dhe e bëjnë veturën më të dukshme për shoferët tjerë. Disa automjete kanë edhe drita të pasme të mjegullës, të cilat rrisin sigurinë për drejtuesit që vijnë nga prapa.
Policia paralajmëron se mjegulla mund të krijojë edhe iluzion optik, duke bërë që shoferët të mendojnë se po lëvizin më ngadalë sesa në të vërtetë. Për këtë arsye, rekomandohet ruajtja e vëmendjes maksimale dhe shmangia e shpejtimit të panevojshëm.
Gjithashtu, kërkohet që të mos përdoren dritat me rreze të gjata, pasi reflektimi i tyre në mjegull mund t’i kthehet drejtuesit të automjetit dhe të zvogëlojë dukshmërinë, duke rrezikuar më tej edhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik.
Policia bën apel që shoferët të lëvizin me kujdes, të respektojnë rregullat e trafikut dhe t’i përshtatin shpejtësinë kushteve atmosferike, me qëllim që të shmangen aksidentet dhe të garantohet siguria në rrugët e vendit.
Kryetari i Dragashit priti përfaqësues të shoqatës “Sharri”, ritheksoi përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit me sektorin privat
Kryetari i komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, priti sot në takim përfaqësuesit e shoqatës së afaristëve “Sharri”.
Sipas njoftimit të komunës, Xheladini i falënderoi për vizitën dhe urimet, duke e vlerësuar lartë bashkëpunimin e deritashëm me komunitetin afarist të komunës së Dragashit, i cili sipas tij, është një partner i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e mundësive të reja për qytetarët e kësaj komune.
Tutje, bëhet e ditur se kryetari Xheladini ritheksoi përkushtimin e tij për ta thelluar edhe më tutje bashkëpunumin me sektorin privat, duke mbështetur iniciativat që sjellin zhvillim të qëndrueshëm, rritje të investimeve dhe përmirësim të kushteve për bizneset lokale.
Kryetari i Dragashit takoi drejtuesit e projektit WIntegra, shprehu interesimin që Qendra e Grave në Dragash të vazhdojë funksionimin
Komuna e Dragashit ka njoftuar se sot, kryesuesja e Zyrës së ASB në Kosovë, Dafina Hoxha, së bashku me zyrtarin e projektit WIntegra, Shpend Dobroshi, realizuan një vizitë zyrtare te kryetari i komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini.
Sipas njoftimit, takimi u hap me urimet për mandatin e ri të kryetarit dhe me vlerësimin e bashkëpunimit të deritanishëm institucional.
Në njoftim thuhet se gjatë takimit u diskutuan aktivitetet kryesore të projektit që janë zhvilluar përgjatë dy viteve të fundit, si dhe u theksua bashkëpunimi ndërmjet ASB-së dhe komunës së Dragashit në kuadër të implementimit të projektit WIntegra, të financuar nga BE. Stafi i projektit dorëzoi gjithashtu dy përmbledhje legjislative të hartuara në bazë të aktiviteteve të realizuara gjatë procesit të implementimit.
Tutje thuhet se kryetari Xheladini përgëzoi ekipin për rezultatet e arritura, duke shprehur interesimin që Qendra e Grave në Dragash të vazhdojë të funksionojë edhe pas përfundimit të projektit. Ndërkohë, Arijeta Qafleshi Skeraj, në cilësinë e asamblesites së komunës, shprehu përkushtimin e saj personal dhe të asambleistëve të tjerë, si dhe mbështetjen e shoqërisë civile për vazhdimësinë e aktiviteteve ne këtë Qendër.
Në përfundim të takimit, thuhet se palët u dakorduan që bashkëpunimi ndërmjet ASB-së dhe komunës së Dragashit do të vazhdojë edhe në të ardhmen për projekte të tjera që synojnë zhvillimin lokal dhe fuqizimin e komunitetit.
Ushtarët amerikanë në Kosovë me kapacitete të reja kundër kërcënimeve ajrore
Ushtarët amerikanë të Komandës Rajonale Lindore në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, kanë zhvilluar së fundi një trajnim të specializuar për zbulimin, gjurmimin dhe neutralizimin e dronëve – një aftësi gjithnjë e më e domosdoshme në mjedisin aktual të sigurisë.
Pajisjet e përdorura në këtë trajnim funksionojnë duke ndërprerë frekuencat e kontrollit të dronit, duke e detyruar atë të rikthehet tek operatori.
Ato mund të ndërhyjnë gjithashtu në sinjalet GPS/GNSS, duke bërë që droni të qëndrojë pezull, të ulet ose edhe të bie.
Sipas KFOR-it, ushtrimet e tilla rrisin aftësitë teknike të trupave dhe theksojnë rëndësinë e koordinimit, punës ekipore dhe përshtatshmërisë ndaj kërcënimeve të reja ajrore.
Këto kapacitete tashmë janë përdorur edhe në situata operative, duke rritur efektivitetin e misionit përballë sfidave në zhvillim.
Misioni thekson se bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, secili në rolin e vet si përgjegjës për sigurinë.
Ministria e Shëndetësisë forcon shërbimet emergjente: 8 autoambulanca të reja për komunat
Ministria e Shëndetësisë njofton se ka nënshkruar sot marrëveshje me 8 komuna për furnizimin me 8 autoambulanca të reja. Me këtë shpërndarje, numri i autoambulancave të siguruara vetëm gjatë këtij viti arrin në 20, me vlerë rreth 600 mijë euro, të destinuara për komunat e vendit.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, zëvendësministri i Shëndetësisë, Dr. Arsim Berisha, dhe ushtruesi i detyrës së sekretarit të Përgjithshëm, Jahë Gecaj, theksuan se këto investime forcojnë kapacitetet emergjente në nivel lokal, rrisin sigurinë dhe shpejtësinë në qasje në shërbime shëndetësore.
Në katër vitet e fundit, përmes investimeve të vazhdueshme, Ministria e Shëndetësisë ka siguruar mbi 40 autoambulanca dhe mbi 30 vetura për vizita në shtëpi, duke përmirësuar ndjeshëm shërbimet emergjente dhe duke garantuar ofrim të kujdesit shëndetësor sipas standardeve më të larta.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe përfaqësues të komunave përfituese.

Donatorët konfirmojnë besimin në ATK: Reforma dhe projekte të reja strategjike
Menaxhmenti i Lartë i Administratës Tatimore të Kosovës ka mbajtur takim me donatorët ndërkombëtarë – Bashkimin Evropian, FMN-në, GIZ-in, si dhe përfaqësues nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, Ambasada e Zvicrës dhe Ambasada e Luksemburgut, ku u diskutuan zhvillimet e fundit në ATK, mbështetja e deritanishme dhe prioritetet për fazën e ardhshme.
Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë, duke theksuar se kontributi i tyre ka qenë vendimtar në modernizimin e administrimit tatimor ndër vite. Ai theksoi se asistenca teknike, projektet e digjitalizimit dhe përkrahja në ngritjen e kapaciteteve profesionale kanë ndihmuar që ATK të bëhet një institucion më transparent, më efikas dhe më i orientuar drejt tatimpaguesve.
Partnerët dhe donatorët ndërkombëtarë, në komentet e tyre, vlerësuan progresin e ATK-së, duke theksuar se institucionet ndërkombëtare po shohin rezultate të prekshme dhe përkushtim të qartë në zbatimin e reformave. Ata theksuan se ATK ka demonstruar gatishmëri për modernizim dhe qeverisje të mirë, duke justifikuar plotësisht mbështetjen e dhënë deri më tani dhe duke krijuar bazë të fortë për projekte të reja zhvillimore.
Gjatë takimit, Hyseni paraqiti pritjet e ATK-së për mbështetjen e mëtejshme në projektet strategjike të radhës.
Në përmbyllje, donatorët dhe ATK rikonfirmuan vullnetin e përbashkët për të thelluar bashkëpunimin dhe për të mbështetur projektet që do të çojnë përpara transformimin e administrimit tatimor në Kosovë, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Votimi me raport mjekësor – Supremja e hedh si të pasafatshme ankesën e “Down Syndrome Kosova”
Gjykata Supreme e ka hedhur si të pasafatshme ankesën e Shoqatës “Down Syndrome Kosova” kundër PZAP-së, e cila e pati refuzuar ankesën e shoqatës ndaj udhëzuesit të KQZ-së për votim me asistencë.
Shoqata ishte ankuar fillimisht në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kundër udhëzuesit të KQZ-së për votim me asistencë, i cili parasheh që personat me aftësi të kufizuara, të cilët votojnë me asistencë, të kenë edhe raportin mjekësor. Pasi PZAP-ja ia refuzoi ankesën, shoqata paraqiti ankesë në Supreme.
Përmes ankesës, shoqata kërkoi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve para organizimit të çdo procesi zgjedhor të ardhshëm, të rishikojë dhe harmonizojë Udhëzuesin për Procedurat e Votimit me Asistencë me dispozitat kushtetuese, ligjore dhe me standardet ndërkombëtare që garantojnë të drejtën e votës, duke siguruar që të mos pamundësohet ushtrimi i së drejtës së votës për personat me aftësi të kufizuara.
“Gjykata Supreme e Kosovës e vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të kontestuar, në kuptim të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë, dhe pas shqyrtimit edhe të shkresave të lëndës, gjeti se: Ankesa është e pasaftshme”, thuhet në njoftimin e Supremes.
Supremja në arsyetimin e saj ka thënë se ankesa është paraqitur jashtë afatit ligjor.
“Nga shkresat e lëndës konstatohet se vendimin Shoqata Down Syndrome Kosova, e ka pranuar më datën 05.12.2025 në orën 15:52h., ndërsa ankesën kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, e ka dorëzuar në Gjykatën Supreme më datë 08.12.2025 në ora 13:20h, e që rrjedhimisht rezulton se ankesa është dorëzuar pas kalimit të afatit prej dyzet e tetë (48) orëve”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme./KOHA










