Kolegjet e Gjykatës Supreme kanë vendosur lidhur me ankesën e Xhezide Selimit, komisioneres së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan.
Supremja e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Selimit. E njëjta do të detyrohet të paguajë dënimin prej 1 mijë eurove. E asaj PZAP-ja ia ka ndaluar pjesëmarrjen në zgjedhje, si kandidate, apo si pjesë admistrative e ndonjë organi zgjedhor për pesë vite.
Ajo kishte bërë postimin dhe shpërndarjen e materialeve zgjedhore në rrjetin social Facebook, ku kishte postuar një fotografi duke votuar – teksa pati ftuar qytetarët që të dalin dhe të votojnë numrin 144 në ditën e zgjedhjeve.
“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Xh.S., anëtare e Komisionit zgjedhor në Vendvotimin QV2614/01D nga subjekti politik “Lëvizja Vetëvendosje”, e paraqitur kundër pikës III të vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), A.nr.630/2021, të datës 20.10.2021”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Vetëvendosje ishte munduar të arsyetohet se ajo nuk është komisionere e tyre.
“Nga shkresat e lëndës, shihet se subjekti polik Lëvizja Vetëvendosje, përkatësisht komisionierja e këtij subjekti, Xhezide Selimi, gjatë ditës së votimit, në rrjetin social facebook, ka bërë fushatë zgjedhore dhe ka udhëzuar që të votohet subjekti politik LVV. Pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje se nuk vërtetohet se Xhezide Selimi është komisioniere e LVV-së, Paneli i vlerëson të pa bazuar për arsyeje se nga fotoja e paraqitur në ankesë, shihet se e njëjta bartë ID, me të cilën identifikohet si komisioniere. PZAP ka bërë kërkesë në KQZ, për të verifikuar komisionieren në fjalë në Gjilan. Paneli, vendimin e tij e mbështetë në dëshmi të qarta dhe bindëse, konform nenit 117 të LZP-së”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
Andaj Paneli, duke iu referuar provave, konstaton se LVV, përkatësisht komisionierja e saj është përgjegjëse për veprimet e saj, pasi ka shkelur nenin 36, paragrafi 1, pika b të LZP.