







Sektori i mbrojtjes është njëra prej fushave në të cilat shtetet investojnë një pjesë të rëndësishme të buxhetit të saj.Dje qeveria e vendit ka propozuar t’i ndajë 100 milionë euro nga kuleta e shtetit për Forcën e Sigurisë së Kosovës apo 1.3 për qind të bruto produktit vendor për vitin e ardhshëm.Ndonëse kjo është një rritej e buxhetit për ushtrisë, prapë shtetet fqinje kanë buxhet më të madh se Kosova për ushtrinë.Shqipëria ka dyfish më shumë buxhet të ndarë për ushtrinë sesa Kosova.
Ministria e Mbrojtjes e shtetit shqiptar kishte ndarë në buxhetin e vitit 2021 mbi 22 milionë euro më shumë se sa vitin e kaluar. Tani, buxheti për mbrojtjen do të jetë mbi 225 milionë euro për vit.“Ky buxhet vazhdon trendin e rritjes si në vlerë nominale ashtu edhe si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Pra, nëse për vitin 2020 kishim një buxhet sa 1,46 % e Produktit të Brendshëm Bruto, për vitin 2021 buxheti shkon në 1,5% të PBB, çka është në përputhje të plotë me objektivat dhe angazhimet tona në Samitin e Uellsit për ta çuar atë në 1,75% në vitin 2022, dhe 1,85% të PBB në buxhetin e vitit 2023”, tha të mërkurën ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka.Kujtojmë që Shqipëria është pjesë e Aleancës së NATO-s.
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 30 Tetor 2021
“The Globe” ka botuar, të martën e 4 majit 1880, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me personalitetet e huaja që kanë marrë pjesë asokohe në komitetin ekzekutiv të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
“Lidhja Shqiptare drejtohet nga një komitet ekzekutiv dhe duket se në mbledhjet e këtij komiteti marrin pjesë disa të huaj të njohur.
La Gazette de Cologne (Gazeta e Këlnit) përmend në këtë numër majorin Saint-Clair, ish-udhëheqësin e kryengritjes në malet e Rodopit, polakun Malinowski, ish-major në shërbimin osman, një ish-oficer prusian të quajtur Sarro dhe disa italianë nga Reggio di Calabria.
Trazirat nuk kanë gjasa të shtrihen te mirditorët, pasi princi Prenk Doda, i cili banon në Shkodër, duke iu dorëzuar trupës konsullore, i ka ndaluar krerët e fiseve të marrin pjesë në lëvizje.”
https://www.darsiani.com/la-gazette/the-globe-1880-ja-personalitetet-e-huaja-qe-kane-marre-pjese-ne-komitetin-ekzekutiv-te-lidhjes-shqiptare-te-prizrenit/ / KultPlus.com
Zyra e drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar Amerikan (ODNI) njoftoi një vlerësim të ri të komunitetit të inteligjencës, nga i cili u hoq shenja sekrete, për origjinën e COVID-19, dhe raporti vlerëson se coronavirusi nuk u zhvillua si një armë biologjike.
Origjina natyrore dhe rrjedhja nga laboratori janë hipoteza bindëse se si virusi infektoi njerëzit për herë të parë, por analistët nuk arrijnë të bien dakord për atë që është më e mundshme dhe nëse mund të bëhet fare një vlerësim përfundimtar, thuhet në raportin e ODNI.
Raporti gjithashtu hedh poshtë indikacionet se coronavirusi e ka origjinën si një armë biologjike dhe thekson se përkrahësit e kësaj teorie “nuk kanë qasje të drejtpërdrejtë në Institutin e Virologjisë në Wuhan” dhe akuzohen për përhapjen e dezinformatave, raporton dw.
Raporti është produkt i një rishikimi 90-ditor të lëshuar nga administrata e presidentit amerikan Joe Biden në muajin gusht, mes polemikave të forta politike nëse dhe në çfarë mase Kina duhet të fajësohet për pandeminë globale, apo qeveritë që mund të mos kenë reaguar mjaft shpejt. mbrojnë qytetarët e tyre.
Në raportin e ODNI thuhet se katër agjenci amerikane të inteligjencës dhe një organ që bashkon disa agjenci kanë një “nivel të ulët besimi” se kovid-19 e ka origjinën nga një kafshë e infektuar ose një virus i lidhur.
Por një agjenci tha se kishte “besim të moderuar” se infeksioni i parë njerëzor COVID-19 ka të ngjarë të ishte rezultat i një aksidenti laboratorik, i cili ndoshta përfshinte eksperimentimin e kafshëve në Institutin e Virologjisë Wuhan.
Agjencitë e inteligjencës amerikane besojnë se nuk do të jenë në gjendje të japin një shpjegim më të saktë për origjinën e virusit pa informacione të reja që tregojnë se virusi ka kaluar një rrugë specifike nga kafshët te njerëzit ose se një laborator në Wuhan ka punuar mbi virusin ose virusin e lidhur para COVID-19.
Raporti thekson se agjencive amerikane dhe komunitetit shkencor global u mungojnë “mostrat klinike ose një kuptim i plotë i të dhënave epidemiologjike të rasteve më të hershme të virusit” në mënyrë që ky raport i diskutueshëm të mund të rishqyrtohet nëse shfaqen më shumë prova.
Kina është përballur me kritika ndërkombëtare për mosbashkëpunim më aktiv në hetimet për origjinën e coronavirusit. /Telegrafi/
Në Serbi mediat janë krejt hapur të rreshtuara, prandaj politika zgjedhë shpesh që qëndrimet, për t’i testuar, t’i lëshojë si analiza nëpër mediume të ndryshme.Për këtë arsye, një ide se ku qëndron qeveria serbe dhe presidenti Aleksandër Vuçiç, mund të fitohet edhe nga ajo se çfarë zgjedhë të raportojë gazeta serbe Vevernje Novosti dhe këtë të shtunë kjo gazetë ka publikuar një analizë të gjatë ku flitet për qasjen e Vuçiç-it, i cili konstaton se është koha që “Serbia ta kuptojë kornizën në të cilën operon”, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të bindën dot më që të kthehet mbrapa procesi i pavarësisë së Kosovë.
“Por, është shumë e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të detyrojnë Prishtinën të respektojë atë që shqiptarët tashmë kanë nënshkruar vetë, por se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndryshojnë mendimin e tyre kur bëhet fjalë për avokimin për pavarësinë e Kosovës, dhe se ne duhet të kuptojmë kornizën”, deklaroi ai të premten.
“Amerika e filloi këtë lloj politike të njohjes reciproke tre vjet më parë. Mund t’u themi menjëherë se nuk kemi nevojë për njohjen e tyre. Nuk e di se çfarë na duhet?
Sepse jemi të njohur nga të gjithë. Dhe, sa u përket atyre, SHBA-ja është fuqi e madhe, fuqia më e madhe në botë, e ka njohur Kosovën dhe nuk do ta ndryshojë mendimin e saj, sepse kanë investuar shumë”, shtoi ai.Sipas tij, “duhet ta kuptojmë mirë që nuk po çmendemi dhe nuk mendojmë se do të ndryshojmë opinionin amerikan për Kosovën”.“Kjo është një çështje e vendimeve strategjike politike të marra nga amerikanët.
Kjo, megjithatë, nuk do të thotë se duhet të pranojmë gjithçka që thonë, por duhet të kuptojmë shkallën dhe kornizën në të cilën po lëvizim, sepse sigurisht që Amerika nuk na duhet si armik, por si mik”.
“Nga ana tjetër, ne kemi pikëpamjet dhe politikat tona dhe prandaj jam krenarë për Serbinë, sepse Serbia është e pavarur, merr vendimet e veta dhe është shtet i lirë. Ne do të mbajmë tonat dhe do të kujdesemi që të mos kemi inat me ata që janë më të fuqishmit dhe më të mëdhenjtë”, përfundoi Vuçiç.Deklaratat e tij vijnë pasi Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dha një dëshmi para Nën-Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Evropë, Energji dhe Ambient.Escobar, duke folur për Ballkanin, deklaroi se “dialogu mes Kosovës e Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke”, derisa pohoi se të gjitha përpjekjet shtesë të Uashingtonit në këtë Ballkan, kanë një qëllim të rëndësishëm: të parandalojnë ndikimin e Kinës dhe Rusisë.
“Ne po bashkëpunojmë me partnerët tanë në BE për të forcuar mesazhin se anëtarësimi është një mundësi reale në një kornizë realiste dhe një stimul kyç për vullnetin politik të aspirantëve për të zbatuar reforma të vështira dhe për të forcuar rezistencën ndaj ndikimit të dëmshëm rus dhe kinez”.“Moska dhe Pekini po kundërshtojnë në mënyrë aktive integrimin perëndimor të Ballkanit Perëndimor, duke përhapur dezinformata dhe duke përdorur cenueshmërinë për të devijuar vendet në rajon nga rrugët e tyre të zgjedhura në mënyrë demokratike”.“Rusia po përdor kapacitetin e saj energjetik si një armë për të detyruar politikanët, për të inkurajuar korrupsionin dhe për të ndalur potencialin e rritjes. Republika Popullore e Kinës po punon gjithashtu për të zgjeruar ndikimin e saj në infrastrukturën kritike dhe përmes detyrimit ekonomik. Ne
Dhunimi seksual i 40 burrave nga Kosova gjatë luftës së fundit tashmë po njihet ligjërisht nga shteti i Kosovës.Ata dhe 968 gra të tjera kanë dokumentuar dhunën seksuale që kanë përjetuar para më shumë se dy dekadash.Për tri vjet, mbi një mijë persona kanë arritur të fitojnë statusin e viktimës së dhunës seksuale dhe për të përfituar pagesën mujore prej 230 eurosh.
Në mesin e tyre, ka gra e burra që kanë refuzuar të marrin pensionin, por që këta të mbijetuar kanë kërkuar vetëm të dokumentojnë tmerrin që kanë përjetuar.Kryetarja e Komisionit për Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, Minire Begaj-Balaj thotë se procesi i verifikimit të të gjitha lëndëve të dorëzuara është i ndjeshëm dhe i vështirë.Në intervistë thotë se prej kur ka filluar punën ky komision janë paraqitur mbi 1500 raste.
Begaj-Balaj: Janë 219 raste të refuzuara“I kemi 1565 raste që kanë aplikuar për t’u njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale. Prej tyre të trajtuara i kemi 1008 raste që u kemi njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale. Ky numër është edhe i përfshirë në pensionin mujor personal në vlerë prej 230 eurosh. Prej tyre në përgjithësi të trajtuara deri më tani janë 1280. Kemi përafërsisht diku deri në 50 raste janë në pritje në shqyrtim që presin për dokumente shtesë, për intervista. Kemi edhe një numër të refuzuar, 219 raste janë të refuzuara. Por, te pjesa e refuzimeve i kemi edhe kërkesat për rishqyrtim edhe kërkesat që po shkojnë me padi në gjykatë”, thotë ajo.
Pranë komisionit të përbërë nga nëntë panelistë gjatë këtij viti janë paraqitur dosjet e 74 personave.Udhëheqësja e këtij komisioni me mandat pesëvjeçar, shprehet se prioritet kanë që palët të trajtohen me kujdes dhe të paraqiten nevojat e të mbijetuarve. Sipas saj, ka lëndë që trajtohen deri në katër herë, para se të merret vendimi për këtë rast.Begaj-Balaj: 40 burrave ua kemi njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale, pjesa tjetër është gra
“40 burrave ua kemi njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale, pjesa tjetër është gra…. (06:40) Për këtë vit ne i kemi pasur deri më tani 73 raste që kanë aplikuar. Ne jemi të vetëdijshëm që pandemia ka ndikuar në çdo sferë, edhe në këtë pjesë te komisioni, edhe te aplikimet.
Në vitin e kaluar e kemi pasur atë pengesën që kemi qenë të obliguar sipas vendimeve të qeverisë. Më pastaj e kemi pasur një zbritje, por ka qenë afektim i pandemisë. Nuk kemi pasur rritje apo ulje drastike, ka qenë një tempo e njëjtë që ka mund të vijë gjatë muajve”, shprehet Begaj-Balaj.Përkundër që një pjesë e viktimave kanë arritur të dokumentojnë dhunimin që kanë përjetuar, ata kanë refuzuar të marrin pagesën mujore.Begaj-Balaj: Kanë ardhur të dëshmojnë por nuk ju interesojnë mjetet financiare“Kemi disa raste, nuk janë shumë raste, por kemi raste që disa të mbijetuara kanë ardhur të aplikojnë vetëm të tregojnë ajo që ka ndodhur.
Dhe e thonë shumë hapur, e shprehin para neve që ‘nuk kam nevojë për mjete financiare, nuk kamë nevojë për asnjë. Kam ardhur të tregoj dhe me mbet kjo gjurmë dhe kjo vuajtje që na ka ndodhë’. E paraqet edhe me atë që aq ka mundur të bëjë, të vijë deri në komision, të fitojë të drejtën e viktimës por nuk i interesojnë mjetet financiare”, deklaron ajo për KosovaPress.Komisioni për Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale nuk ka hapur ende rrëfimet e mbi 280 personave.Begaj-Balaj: I kemi 286 raste të pahapura“Deri më tani lëndë të pahapura i kemi 286 raste. Por, që në javën tjetër mund të na zbres ky numër apo të rritet. Varet çka ne pranojmë, apo çka ne lëshojmë vendime”, deklaron ajo.Trajtimi i këtyre rasteve po konsiderohet i vështirë, meqë rrallë viktimat posedojnë dokumentacionet e nevojshme që kërkon ky komision.Begaj-Balaj: Ka probleme në dokumentimin e rasteve“Problemet janë të ndryshme, tash së fundmi që po e evidentojmë më së shumti është çështja e stigmës. Kanë probleme burrat dhe gratë për një arsye apo tjetër që t’i drejtohen komisionit. Në fillim ka qenë ndryshe sepse muajt e parë ne e kemi pasur një volum shumë të madh të lëndëve. Diku për muajt e parë 700 lëndë na kanë ardhur për aplikim, por kanë qenë raste që kanë qenë të trajtuara nëpër OJQ. Tash jemi në vitin e tretë dhe po e shohim që ka probleme të dokumentimit, të narracionit janë 20 vjet në pyetje. Gjërat janë harruar dhe nëse ka pasur kontrolle, dokumentet nuk janë ruajtur. Edhe nëse kanë pasur dëshmitarë, tash nuk vjen dëshmitari të konfirmojë apo të jap një deklaratë”, shprehet ajo.Afati i fundit për të paraqitur kërkesën për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimës së dhunës seksuale është pesë vjet nga fillimi i punës së komisionit. Ky komision Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë luftës ka filluar punën zyrtarisht në shkurt të vitit 2018.
Është një profesioniste me origjinë shqiptare, Plarenta Deshishku, e cila jeton dhe zhvillon karrierën e saj në Dublin, Irlandë.
Ajo është diplomuar për Administrim Biznes dhe Menaxhim të Përgjithshëm në “ESCP Business School”, kurse studimet pasuniversitare i ka ndjekur në “Trinity College Dublin”.
Deshishku, edhe pse në një moshë të re, ka tashmë një karrierë të mbushur me trajnime, specializime dhe eksperienca të ndryshme pune.
Nga muaji korrik 2021 ajo është bërë pjesë e departamentit të “Global Operations” në rrjetin social Facebook, si “Market Specialist”.
Javën që lamë pas, saktësisht më 27 tetor kanë nisur shpërndarja e 140 mijë vaksinave kundër gripit sezonal në Kosovë.
Ministria e Shëndetësisë kishte njoftuar se kategoritë me prioritet për vaksinim kundër gripit sezonal janë: qytetarët mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe lehonat, personeli shëndetësor dhe fëmijët me indikacione shëndetësore.
“Koha për vaksinim është tani, sepse vaksina ju mbron juve dhe njerëzit përreth nga gripi sezonal si dhe e ul ngarkesën e sistemit shëndetësor gjatë pandemisë Covid-19. Secila komunë do të informoj qytetarët e saj për oraret dhe qendrën e vaksinimit kundër gripit sezonal”, thuhej në njoftim.
E tashmë disa komuna kanë nisur vaksinimin kundër gripit sezonal, disa pritet të nisin, raporton Telegrafi.
Në Prishtinë, vaksinimi kundër gripit ka nisur më 28 tetor, nga ora 08:00 deri në 19:00 në sallën 1 Tetori.
Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në një postim në Facebook kishte shkruar se grupet me prioritet për vaksinim janë: punëtorët shëndetësor, personat mbi moshën 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, shtatzënat dhe fëmijët me imunitet të dobësuar.
Të premten, më 29 tetor edhe në Fushë Kosovë ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal.
Kështu është bërë e ditur në një njoftim të Komunës së Fushë Kosovës.
“Nga sot, e premte datë 29.10.2021 do të filloj vaksinimi i qytetarëve të Fushë-Kosovës me vaksinën kundër gripit sezonal. Vaksinimi do të bëhet çdo ditë pune nga ora 07:00 deri 19:00 në sallën e sportit të shkollës fillore ‘Vëllezërit Frashëri’ në fshatin Miradi e Poshtme (lokacioni i njëjtë ku bëhet vaksinimi kundër COVID19)”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, sot, më 30 tetor procesin e vaksinimit kundër gripit e ka nisur edhe komuna e Gjilanit.
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Gjilan është furnizuar me vaksina të gripit sezonal dhe nga e shtuna fillon dhënia e tyre.
Kështu është thënë në njoftimin e Komunës së Gjilanit.
Sipas njoftimit, drejtoresha Arbenita Hajdari ka bërë të ditur se dy ditët e para (e shtunë dhe e diel) vaksinimi do të bëhet në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen Dardania, nga ora 10:00 deri në orën 16:00.
Nga e hëna, 1 nëntor, vaksinimi bëhet në tri Qendra të Mjekësisë Familjare: në QKMF, si dhe në ambulancat ‘Dheu i Bardhë’ dhe ‘Ramiz Cërnica’ (te Zalli), duke filluar nga ora 8:00 deri në 14:00.
“Vaksinat kundër gripit sezonal janë të dedikuara për grupet më të ndjeshme, si të moshuarit dhe të prekurit nga sëmundjet kronike, si nevojë për rritjen e aftësisë reaguese të organizmit ndaj viruseve të ndryshëm”, tha ajo.
Ndërkaq, nga komuna e Gjakovës, përkatësisht Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale është njoftuar se është bërë furnizimi me vaksina kundër gripit sezonal në një sasi prej 8 mijë dozash.
Shpërndarja e këtyre vaksinave bëhet nga e hëna deri të premten prej orës 08:00 deri në 20:00 në qendrën e vaksinimit në sallen e Edukatës Fizike në shkollën “Fehmi Agani”.
Njësitet Rajonale të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit më Qenie Njerëzore (DHTQNj), kanë hartuar dhe zbatuar Planin Operativ “identifikimi i fëmijëve lëmosh-kërkues, si viktima të mundshme të trafikimit’. Plani është zbatuar në tërë territorin e vendit nga data 25.10.2021 deri me datë 29.10.2021.
Zyrtarët policorë të DHTQNj-së janë asistuar dhe përkrahur nga Prokuroritë në rajonet përkatëse, Qendra për Pune Sociale, Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, Policia Kufitare dhe Stacionet Policore.
Aktiviteti përmbyllës është zhvilluar, më 29.10.2021 dhe të gjitha njësitë pjesëmarrëse kanë përgatitë raport përmbyllës rreth zbatimit të planit operativ dhe rezultateve të arritura.
Gjate zbatimit te këtij plani operativ janë kryer këto veprime:
• Identifikimi i 18 fëmijëve lëmoshe kërkues, prej tyre 11 shtetas kosovarë dhe 7 shtetas të Shqipërisë,
• Identifikimi i 23 lëmoshe kërkuesve të rritur, prej tyre 11 shtetas kosovarë dhe 12 shtetas të Shqipërisë,
• Numri i të dyshuarve gjithsej 23 persona.
Në konsultim me Prokuroritë përkatëse, janë iniciuar gjithsej 15 raste ndaj 23 të dyshuarve për ‘keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’ sipas nenit 243 të Kodit Penal të Kosovës. Të dyshuarit janë prindër të fëmijëve lëmoshë kërkues.
Fëmijë (18) janë referuar në QPS-të përkatëse për trajtim të mëtejmë. /Telegrafi/
Në Klinikën e Psikiatrisë për momentin janë duke u trajtuar 92 pacientë të cilët janë të përdorues të substancave narkotike. Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, Samire Gashi – Braina, shefe e Repartit të sëmundjeve të varësisë në Klinikën e Psikiatrisë.
Gashi-Braina tha se krahasuar me vitet tjera, numri i personave që po kërkojnë ndihmë është pothuajse i njëjtë, duke hedhur kështu poshtë deklaratat të cilat qarkulluan në media se është rritur numri i pacientëve në Klinikën e Psikiatrisë, gjegjësisht në Repartin e sëmundjeve të varësisë.
“Numri i personave që po trajtohen edhe po kërkojnë ndihmë te ne është sikurse vitet paraprake, duke pasur parasysh periudhën e pandemisë, vitin e kaluar kemi pasur më pak. Mirëpo krahasuar me vitet tjera numri është i përafërt, pra nuk mund të themi se ka rritje të numrit të trajtueseve. Kështu që unë nuk mundem me deklaru ato deklarata paraprake si shefe e repartit… kështu që për momentin janë të shtrirë 92 pacientë”, ka deklaruar ajo.
Më tej, Gashi – Brania shtoi se pacientët të cilët janë duke u trajtuar janë më së shumti përdorues të heroinës.
Kurse sa i përket grupmoshave, doktoresha tha se pacientët janë mbi moshën 18 vjeç.
“Moshat janë prej 18 e tutje, mirëpo mosha minore nuk kem pas ketë periudhë të fundit, përderisa prej 20 e tutje po thuajse janë të rregullt. Pra, ne nuk mundemi të themi se është rritë numri dhe me shqetësu opinionin dhe familjarët e fëmijëve prandaj, duhet me maturi me i mat të dhënat, nga personat adekuat. Numri është në rritje, por ata që dëshirojnë me u trajtu është diçka tjetër, me përdor është diçka tjetër”, theksoi me tej ajo.
Doktoresha pohoi se në vitin 2020 kanë pranuar më pak raste për trajtim për shkak të coronavirusit.
“Viti pandemik ka qenë në total numër më i vogël që kanë kërkuar trajtim, përveç rasteve që kanë qenë të referuara nga gjykata, ata i kemi pranuar edhe rastet e rënda që kanë shprehur agresivitet i kemi pranuar domosdoshmëritë për shkak situatës së krijuar, d.m.th ato raste ekstreme i kemi pranuar”, deklaroi ajo.
Gjatë bisedës për Telegrafin, doktoresha kërkoi të mos krijohet pasiguri për shkak se deri tani nuk kanë pasur shifra që janë rritur.
“Përdorues të substancave në Kosovë ka shumë dhe të dhënat i ka Policia dhe institucionet relevante që merren me këtë pjesë, mirëpo ata që po kërkojnë trajtim është numër i njëjtë”, sqaroi ajo.
Ndër të tjera, Gashi – Braina tha se këtë vit kanë pasur numër të madh të pacientëve që kanë kërkuar ndihmë e që janë të varur nga alkooli, duke shtuar më tej se kërkesat për trajtim janë në rritje, por që kapacitetet i kanë të vogla për trajtimin e këtyre rasteve. /Telegrafi/