







Sigurisht se e keni vërejtur që stjuardesat i mbajnë duart pas shpinës derisa ju mirëpresin në aeroplan, por a e dini pse ndodh kjo?
Para nisjes, stjuardesat gjithmonë përdorin këtë lloj poze, e arsyeja është shumë e rëndësishme dhe tejet interesante, transmeton Telegrafi.
Në fakt në ato momente kryejnë një punë të madhe – numërojnë pasagjerët.
Në shuplakat e tyre të duarve kanë një lloj numëratore që u shërben për t’i numëruar të gjithë pasagjerët që janë futur në aeroplan – me qëllim që numri i tyre të përshtatet me atë në dokumentet e aeroplanit.
Në raste të caktuara ky numërim mund t’i ndihmojë stjuardesës sa i përket peshës që e bartë aeroplani, dhe nëse është e nevojshme që pesha të shpërndahet në aeroplan njëtrajtshëm për të ruajtur balansin.
Por, pse këtë e fshehin nga pasagjerët? Arsyeja është shumë e thjeshtë, personeli i aeroplanit nuk dëshiron t’i pengojë pasagjerët apo të fitojnë vëmendje të “panevojshme”. /Telegrafi/
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka njoftuar se qeveria ka ndarë buxhet për studimin e fizibilitetit për hekurudhën Prishtinë-Durrës.
Aliu në një konferencë për media tha pas vizitave që kishin në Itali dhe pas asaj në Bruksel kanë marrë sinjale pozitive për këtë projekt dhe se shpejti do të fillojë hartimi i një plani të saktë lidhur me projektin, shkruan Reporteri.net.
Aliu bëri të ditur, se po ashtu është ndarë buxheti për studimin e fizibilitetit për këtë projekt.
“Pas nënshkrimit të memorandumit në Elbasan dhe pas vizitave që patëm në Itali dhe pas vizitës në Bruksel, ku e prezantuam këtë projekt dhe morëm sinjale pozitive mund të them se ky projekt po e merr rrugën e vet dhe jemi në faza kur mund të fillojmë me hartimin e një plani të saktë për projektin.
Si Ministri, në buxhetin për vitin 2022 kemi nda buxhetin për studimin e fizibilitetit për këtë projekt”, theksoi ministri Aliu.
Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar ka mbërritur ditën e sotme në Tiranë, ku ka zhvilluar një takim në selinë e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndërsa ishte i shoqëruar edhe nga ambasadorja Yuri Kim.
Pas këtij takimi, në një deklaratë për mediat Kryedemokrati Basha u shpreh se u fol për aktualitetin politik në Shqipëri por edhe më gjerë në rajon.
“Kënaqësi e veçantë të mirëpres përfaqësuesin e lartë të SHBa, Escobar. Lufta kundër korrupsionit është përcaktuar si një interes kombëtar i SHBA, është edhe më shumë interes kombëtar i Shqipërisë ajo që PD ka luftuar dhe është përpjekur më shumë se gjithçka tjetër në këto 8 vite, nga ndryshimi i kushtetutës për Reformën në Drejtësi, deri tek ligji për SPAK dhe BKH, të miratuara me iniciativën e mbështetjen amerikane, për vettingun e politikanëve. Këto dëshmojnë se PD ka qenë dhe mbetet e vendosur në luftën kundër korrupsionit. Nga demokracia e plagosur rëndë nga masakra e 25 prillit dhe sa i përket lidhjes së politikanëve dhe oligarkëve.
Betejat e PD kanë qenë këto e jashtëzakonshme të shofim si prioritet të SHBA të një beteje që kemi luftuar. Me zotin Escobar folëm për situatën politike në vend, por edhe në rajon, megjithatë qëndruam gjatë tek Kosova. Ia bëra të qartë qëndrimin e PD ndaj integritetit territorial të Kosovës. Në këtë qëndrim kam marrë mbështetjen e mirëkuptimin e Escobar. Diskutuam edhe reformat, kyç mbetet një drejtësi e pavarur”, tha Basha
Basha pranoi se në takimin me Escobar kanë diskutuar edhe rreth shpalljes ‘non grata’ të ish kryeministri Sali Berisha, ndërsa tha para gazetarëve: “Pa diskutim që çështja e pandëshkueshmërisë ishin pjesë e diskutimit, çështjeve që i takojnë DASH do keni mundësi të dëgjoni nga Escobar”.
Më tej, Basha shtoi se: “Është një ftesë e përsëritur dhe po planifikoj një vizitë në Washington që të shtyjmë përpara daljen e kësaj gjendje pezullimi, plogështie që ka shkaktuar 25 prilli dhe ecjen përpara të një Shqipërie të pavarur”./Tch
Një vrasje e trefishtë ndodhi më 26 nëntor në Gllogjan të Deçanit. Autoritetet në Kosovë kanë ripërsëritur se kanë disa pista dhe hetimi po vazhdon. Megjithatë, deri sot nuk ka asnjë të dyshuar dhe asnjë informacion të ri që çon drejt zbardhjes së rastit. Vrasjet në Kosovë, viteve të fundit vazhdojnë të jenë fenomen shqetësues për shoqërinë. Një prej arsyeve që po çon drejt vrasjeve, është edhe mbajtja e armëve ilegale.
Policia e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Online “Reporteri.net”, tha se vrasjen në Gllogjan po e trajton duke u bazuar në ligjet e aplikueshme në vend, dhe në konsultim me Prokurorinë kompetente po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për kompletim dhe procedim të rasteve në organet e drejtësisë.
Prej vitit 2016, siç ka parë Reporteri.net në të dhënat e marra nga Policia e Kosovës, kanë ndodhur 154 vrasje, përfshirë këtu edhe të rënda.
Vetëm gjatë vitit 2021 ndodhën 7 vrasje, që sipas nenit 172 cilësohen vrasje, dhe 12 vrasje të rënda sipas nenit 173.
“Rastet e vrasjeve në përgjithësi janë shqetësues dhe shkaktohen për motive të ndryshme, përderisa vendimet lidhur me rastet e tilla dhe përcaktimi i dënimeve është kompetencë e organeve të drejtësisë”, thotë Policia në përgjigjen e saj.
Policia pohon se disa raste të vrasjeve janë me kryerës të njohur për drejtësinë, por disa nga rastet janë në proces hetimor dhe Policia në bashkëpunim me Prokurorinë po vazhdon t’i trajtojë ato.
Të dhëna shqetësuese për vrasjet në Kosovë
Prej vitit 2016 në Kosovë kanë ndodhur 154 vrasje. Në vitin 2016 qenë 30 vrasje – 14 vrasje dhe 16 vrasje të rënda. Më 2017 pati 24 vrasje të rënda. Në vitin 2018 u kryen 34 vrasje – 22 vrasje dhe 12 të cilësuara të rënda. Në vitin 2019 u kryen 20 vrasje – 8 u cilësuan vetëm vrasje dhe 12 të rënda. Në vitin 2020 u kryen 27 vrasje – 12 të cilësuara vrasje dhe 15 të rënda.
Në vitin 2021, që jemi në mbarim të tij, ndodhën 19 vrasje – 7 prej tyre u cilësuan vrasje dhe 12 tjera të cilësuara si vrasje të rënda.
“Ne në vazhdimësi kemi ndërmarrë veprime konkrete për parandalim qoftë përmes operacioneve policore për konfiskimin e armëve ilegale apo edhe përmes fushatave të ndryshme për vetëdijsim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme apo që mund të çojnë tek kryerja e akteve të tilla”, njofton tutje Policia në përgjigjen për Reporteri.net.
Vrasja në Deçan – tronditëse
Për vrasjen e trefishtë në Deçan ende po hetohet. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmet, ditë më parë në një konferencë për media tha se ende nuk kanë një motiv lidhur me sulmin me armë zjarri ndaj një autobusi, me ç’rast u vranë shoferi dhe dy nxënës. Ndërkaq, edhe një nxënës mbeti i plagosur.
“Aktualisht mund të flasim për një sistem të dytë, përkatësisht tri pistave të mundshme të hetimit dhe të gjitha informacionet që jemi duke i mbledhur, por edhe provat materiale nga vendi i ngjarjes çojnë në këtë drejtim. Po flasim për një person, por me mundësi të ndërlidhjes edhe me persona të tjerë, që nënkupton se mund të ketë më shumë se një të dyshuar. Në kuptimin e qarkullimit të personit, janë duke u ekzaminuar prova teknike të ndryshme, të cilat do të na tregojnë saktë se prej nga ka ardhur, ku ka qëndruar dhe nga ka shkuar”, tha Mehmeti.
Sipas Policisë, vrasjet dyshohen se u kryen me armë zjarri të llojit AK-47.
Kjo vrasje tronditi qytetarët madje edhe institucionet, të cilat kanë bërë thirrje që dorasi të vihet sa më parë para drejtësisë.
Ultimatum vrasësit
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pasi ndodhi vrasje, i bëri ultimatum dorasit që të dorëzohet dhe ftoi qytetarët, që kanë informacione, t’iu drejtohen organeve të rendit.
“Unë i bëj ultimatum vrasësit që të dorëzohet sepse për çdo ditë ai rëndon të tjerët. E dimë shumë mirë që kushdo që ndihmon vrasësit implikohet në vepër të rëndë penale”, ishte shprehur Sveçla.
Konfiskimi i armëve ilegale – Faktor i parandalimit të vrasjeve
Policia e Kosovës, në përgjigjen për Reporteri.net, tha se për të parandaluar vrasjet ka ndërmarrë disa operacione, përfshirë këtu, edhe konfiskimin e armëve ilegale.
Viti 2018 qe viti me më së shumti vrasje në Kosovë. Atë vit u kryen 34 vrasje.
Nga Policia e Kosovës thonë se në tre vjetët e fundit kanë konfiskuar mbi 3,400 armë të llojeve të ndryshme, kryesisht ilegale.
Nga një hulumtim që ishte kryer në vitin 2015, në Kosovë janë reth 250,000 armë ilegale që i posedojnë qytetarët.
Reporteri.net nuk ka mundur të marrë një përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme për të kuptuar se sa të tilla janë aktualisht./Gazeta Reporteri/
Sot është Dita ndërkombëtare kundër-korrupsionit dhe nuk ka ditë më të mirë se sa sot të flasim për prokurimin publik, si një nga burimet e mëdha të korrupsionit, tha Kryeministri Albin Kurti, në fillim të fjalës së tij.
Tutje, Kurti tha se për qeverinë, reformimi i prokurimit publik është ndër pikat më të rëndësishme në luftimin e korrupsionit dhe parandalimin e keqpërdorimit të parasë publike.
“Në vitet e mëhershme ai përbënte një të tretën e buxhetit, dhe ndonëse volumi i prokurimit mund të jetë më i ulët këtë vit si rezultat i analizimit të shumë tenderëve dhe projekteve gjatë vitit paraprak, vitin tjetër ai mund të rritet me më shumë vepra publike, me çerdhe të reja, me rrugë e infrastrukturë përcjellëse për urbanizimin e qyteteve dhe ringjalljen e fshatrave”, tha ai.
Prandaj, prokurimi publik, siç tha kryeministri, duhet të jetë i mirë-planifikuar, i mirë-menaxhuar, me mekanizma të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies dhe me zyrtarë profesional me integritet moral.
Kryeministri numëroi tri probleme të cilat, tha se do të trajtohen me përpikëri vitin që vjen: strukturore, ligjore dhe profesionale e funksionale.
Mosadresimi i këtyre problemeve, sipas tij, do të vazhdonte pasojat tashmë të njohura të korrupsionit: Ritenderim për punët e njëjta për shkak se kualiteti për të cilin ka paguar qytetari me taksat e tij është komprometuar duke kaluar në xhepat e zyrtarëve e të biznesit, pasurim i paligjshëm përmes kontratave të korruptuara, favorizim i bizneseve të lidhura me zyrtarë e pushtetarë të caktuar, ku kemi pasur biznese të oborrit qeveritar.
Kurti ritheksoi se pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, korrupsioni nuk mundet më të jetë i lidhur me nivelin e lartë politik apo me nivelin e lartë të ndërmarrjeve shtetërore, sepse siç u shpreh ai, ne kemi zgjedhur një qeveri me profesionistë, njerëz të mirë-edukuar dhe me integritet të lartë moral. Nëse e kundërta dëshmohet ju garantoj këtu që masat do të jenë të menjëhershme sepse toleranca ndaj korrupsionit në këtë qeveri është ZERO, shtoi ai. Kryeministri përgëzoi dhe falënderoi USAID-in dhe partnerin zbatues për realizimin e projektit Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse në Kosovë i njohur si “TEAM”, një projekt ky 5 vjeçar që ka filluar në 2017.
Qëllimi i këtij projekti ishte ngritja e transparencës, llogaridhënies dhe efektivitetit në prokurim publik, si një mjet për përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e besimit të publikut, veçanërisht në nivel komunal.
Zyra për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së ka njoftuar se ka evidentuar raste të mospërputhjes së të dhënave në mes të certifikatës së statusit dhe listat elektronike që posedojnë në zyrë, për të cilat nuk mund të lëshojë vërtetime.
Kjo zyrë, përmes një komunikate, ka njoftuar gjithashtu se në mungesë të dosjeve fizike të cilat janë të sekuestruara në vitin 2017 nga Prokuroria Speciale, nuk kanë mundësi të lëshojnë kopje të certifikatave.
“Ju njoftojmë se në koordinim me zyrën ligjore të Kryeministrit dhe zyrën e Avokatit të Shtetit, ju kemi drejtuar Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore me propozim për takim të përbashkët, ku do të diskutohet mundësia e rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të diskutohet për këto paqartësi teknike që lidhen me punën e përditshme të Zyrës për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, që derivon nga Ligji nr.04/L-054 për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjeve të tyre, ligjit përkatës për veteranët e UÇK-së dhe legjislacioni tjetër në fuqi. Jemi në pritje të konfirmimit të propozimit për takim”, thuhet në njoftimin e Zyrë për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së. /Telegrafi/
Lëvizja “FOL” ka publikuar gjetjet e hulumtimit “Perceptimet e sektorit privat rreth prokurimit publik”.
Yllka Buzhala, nga Lëvizja “FOL”, tha se bizneset e anketuar i takojnë 18 profileve dhe se 60% e anketave janë realizuar në Prishtinë.
Sipas saj, në anketa janë përfshirë biznese që janë pjesë në aktivitete të prokurimit publik.
“FOL merret me monitorimin e prokurimit publik. Ka realizuar një varg aktivitesh siç janë lansimi i portalit transparent. Këtë vit FOL e ka fokus edhe bizneset që lidhin kontrata me institucione. Sa është prokurimi publik i qasshëm ndaj bizneseve”.
“Sa i përket profilit të bizneseve janë 18 biznese. Ndërsa 60% anketa janë realizuar në Prishtinë. Llojet e prokurimit janë shërbime, ndërtim dhe furnizime. Ne kemi marrë biznese që janë pjesë në aktivitete të prokurimit publik”.
Ardi Shatri, tha se 67% e bizneseve janë ballafaquat me sfidat gjatë pandemisë. Sipas tij, mbi gjysma e bizneseve thonë që korrupsioni është i pranishëm në prokurim publik, raporton EO.
“Mbi gjysma e bizneseve mendojnë që korrupsioni është i pranishëm në prokurim publik. Ata që ndikojnë janë zvarritja e proceseve gjyqësore. Prokurimi publik bëhet në formë ta hapur”.
“Partitë politike i konsiderojnë faktor të rëndësishëm se si zhvillohet prokurimi publik. 45% e bizneseve e kanë përmend tenderin si problem kyç në prokurimin publik. Partitë politike kanë rol se qysh rregullohet prokurimi publik”./EO/
Të rinjtë po arrijnë suksese në diasporë, duke u bërë emra të njohur dhe duke zotëruar poste të mira pune e studime nga universitetet më të mira në botë, transmeton albinfo.ch.
Arritjeve të shqiptarëve, pa dyshim i shtohet edhe Uljad Berdica, një student brilant, i suksesshëm në fushën e Matematikës dhe Shkencave Inxhinierike.
Ai ishte fitues i olimpiadave të dikurshme të matematikës në Shqipëri, studenti i rezultateve të shkëlqyera në Universitetin në New York, USA, ndërsa nga viti i ardhshëm do të jetë doktorant në Oxford University, Londër Angli, transmeton tutje albinfo.ch.
Vlen të theksohet se nga të gjithë studentët më brilantë në botë, vetëm 0.7 për qind prej tyre arrijnë të përfitojnë bursën “Rhodes”, e cila akordohet që prej vitit 1902 për studime pasuniversitare në universitetin e Oxfordit. E ndër këto gjini dhe studentë brilantë është fitues për vitin 2022 edhe Uljad Berdica.
Më poshtë ju sjellim postimin e tij të plotë
“Mendoj se ky është një moment kaq i rëndësishëm në jetën time, saqë ia vlen një postim një herë në disa vite. Jam i lumtur të njoftoj se më është dhënë #RhodesScholarship nga zona elektorale e Emirateve të Bashkuara Arabe. Unë do t’i bashkohem Universitetit të Oksfordit në vjeshtën e vitit 2022 me synimin për të ndjekur një doktoraturë (DPhil) në Shkencën Inxhinierike.
I jam jashtëzakonisht mirënjohës familjes sime për mbështetjen e tyre kolosale. Unë jam shumë mirënjohës për profesorët që më ndihmuan të sfidoj veten për t’u bërë një inxhinier më i mirë.
Uroj që çmimi im Rhodes të frymëzojë studentët e inxhinierisë që ta shohin veten jo vetëm si teknikë të trajnuar, por si udhëheqës të ardhshëm që kujdesen për një sërë fushash në art, shkenca dhe politikë që mund të përfitojnë nga zgjidhjet e drejtuara nga inxhinieria.
Një rezultat jashtëzakonisht i këndshëm i fitimit të Rodosit ishte se mësova për studentë dhe profesionistë shqiptarë më të talentuar, të cilët janë aq mbështetës, punëtor dhe mbresëlënës, saqë më ringjallën dashurinë dhe shpresën për vendin tim dhe njerëzit e tij. Shpresoj se një ditë do të mund të ndërtojmë një vend, rinia e të cilit nuk ëndërron ta lërë. Shpresoj që ne shqiptarët të gjejmë mënyra për të ushqyer dhe shpërblyer talentin dhe mendimin origjinal në vend të mediokritetit dhe populizmit. Asnjë person nuk meriton të ketë frikë se mos ngecë apo kthehet në atdheun e tij!
Së fundi, do të doja të falënderoja Emiratet e Bashkuara Arabe për krijimin e një plani të mahnitshëm se si një vend mund të ndryshojë, të rritet dhe të udhëheqë. Faleminderit për mundësinë për të aplikuar si student ndërkombëtar në një program të tillë që të ndryshon jetën. Faleminderit që jeni një mbështetje e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Bota është plot dashuri dhe mirëkuptim; le të gjejmë më shumë prej tij!”
Të hënën, më 13 dhjetor, pritet të përfundojë përsëritja e votimit nga jashtë Kosovës për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit, i cili ka filluar para 11 ditësh.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se deri më tani ky institucion ka pranuar më shumë se 260 pako të supozuara me fletëvotime.
“Është duke vazhduar periudha për përsëritjen e votimit nga jashtë Kosovës për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit, e cila ka filluar më 29 nëntor. Deri më tani, KQZ ka pranuar 262 pako të supozuara me fletëvotime”.
“Duke u mbështetur në ligj, KQZ do të pranojë fletëvotime më së largu deri më 13 dhjetor. Të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm 1 090 votuesit jashtë Kosovës të komunës së Dragashit, të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik-18 gusht”, tha Elezi.
Zgjedhjet për Kryetarin e Komunës së Dragashit janë të vetmet që nuk janë përmbyllur akoma, pasi Gjykata Supreme vendosi përsëritjen e votimit jashtë Kosovës për votuesit e kësaj komune.
Më herët, KQZ-ja ka certifikuar rezultatet për Kryetarë të 37 Komunave dhe rezultatet për 38 Kuvende Komunale. Shumë nga Kuvendet Komunale kanë mbajtur seancat inauguruse dhe shumë prej Kryetarëve të Komunave kanë marrë detyrën.