Home Blog Page 3657

Linja Prishtinë – Zagreb do të mbyllet një muaj pasi nisi

0

Linja ajrore Prishtinë – Zagreb do të mbyllet vetëm një muaj pasi nisi fluturime. Operatori turistik i Kosovës, MyWings, ka tërhequr biletat për këtë linjë pas datës 2 shkurt, njoftoi CroatiaAviation.

Rikthimi i linjës Prishtinë – Zagreb u njoftua më 15 dhjetor të vitit të kaluar, megjithatë pas 2 shkurtit, njerëzit nuk do të kenë mundësi të udhëtojnë më në këtë linjë.

Fillimisht, fluturimet e kësaj linje ishin programuar për tri herë në javë, e hënë, e mërkurë dhe e shtunë. Menjëherë pas vendosjes së operimeve, fluturimet janë anuluar të hënave dhe ishin vetëm dy herë në javë. Fluturimet do të vazhdojnë të mërkurave dhe të shtunave deri më 2 shkurt dhe pas kësaj date nuk do të ketë fluturime direkte mes dy kryeqyteteve.

Nuk mbahet mend që një linjë të mbyllet përfundimisht një muaj pasi kishte nisur.

Rihapjen e linjës Prishtinë – Zagreb e kishte prezantuar me krenari edhe zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili kishte thënë se kjo linjë ajrore, e cila i ka munguar të dyja shteteve, është e rëndësishme për qarkullimin e dy popujve, e që do të ketë impakt edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik. Ngjashëm ishte shprehur edhe ministri i Infrastrukturës së Kroacisë, Oleg Butkovic, që ishte i pranishëm në inaugurimin e kësaj linje një muaj më parë.

Ramadani: Doza e tretë ose përforcuese, arma e vetme kundër Omicronit

0

Doza e tretë dhe ajo përforcuese, është mënyra e vetme për ta luftuar variantin e ri të COVID-19, të quajtur Omicron, ka thënë infektologu kosovar, Hamdi Ramadani.

Në një lidhje direkte në “60 Minuta” të KTV-së, Ramadani ka thënë se vetëm dy doza të vaksinës nuk ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme ndaj variantit të ri, derisa ka kritikuar qytetarët dhe bizneset për mosrespektim të masave anti-COVID që janë në fuqi.

“E keqja e madhe është se e sulmon edhe personin me dy doza të vaksinës COVID-19, dhe edhe masat nuk janë duke u përfillur në masën që ato duhet të respektohen me përpikëri, që të mbrohemi nga pandemia, veçanërisht në hapësira të mbyllura. Nuk po respektohet as distanca. Vetëm doza e tretë ose doza përforcuese, mendoj se është mjeti dhe rruga e arma e vetme për ta luftuar ose mundur edhe variantin më të ri të COVID-19, Omicron”, ka thënë Ramadani.

Sipas tij, rritja e rasteve pozitive me koronavirus ditëve të fundit në Kosovë, ishte e pritshme, marrë parasysh ardhjen e mërgimtarëve për festat e fundvitit.

“Kjo rritje e rasteve me COVID-19 mendoj që po vazhdon dhe kjo ishte situatë që pothuajse e pritëm duke e marrë parasysh një ardhje masive të mërgimtarëve nga vendet ku është një situatë alarmante me COVID019 dhe bazuar në këto të dhëna, e ditëm se do të ndodhë kjo”, ka thënë Ramadani.

Ai ka thënë se është fat i mirë që Omicroni është shumë pak simptomatik, duke shtuar se preferohet që njerëzit e prekur nga ky variant të qëndrojnë të izoluar 5-6 ditë.

Danimarka planifikon ta çojë një pirat në burgun e Gjilanit

0

Një pirat i dyshuar është rrugës për t’u ndjekur penalisht në Danimarkë dhe nëse i takon Ministrit të Drejtësisë Nick Haekkerup, ai së shpejti mund të zhvendoset në Kosovë për t’u burgosur.

Hækkerup e thotë këtë pasi Ministria e Drejtësisë njoftoi të enjten se tre nga katër piratët e dyshuar nga fregata “Esben Snare” në Gjirin e Guinesë po lirohen, ndërsa i katërti, i cili është plagosur, po ndiqet penalisht në Danimarkë, raporton mediumi danez Ritzau.

“Tani jemi duke punuar që ai ta vuajë dënimin me burg në Kosovë. Dhe ai do të jetë një nga ata që do të jetë kandidat për të vuajtur dënimin në atë burg. Sepse ai nuk ka të bëjë fare me Danimarkën”, deklaroi ai.

Kosova i ka dhënë 300 qeli burgu me qira Danimarkës, e cila do të mbajnë 300 të dënuar nga Danimarka, që nuk janë të rrezikshmërisë të lartë.

Qendra korrektuese me 300 qeli që i është dhënë me qira shtetit të Danimarkës gjendet në fshatin Pasjak, në afërsi të qytetit të Gjilanit në lindje të Kosovës dhe aty do të vendosen 300 të burgosur, që nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë, ku nuk do të ketë të dënuar për terrorizëm dhe as të dënuar me sëmundje mendore.

Krasniqi: Dhimbja për vdekjen e nënës së Veselit bëhet më e madhe në mungesë të tij

0

Në varrezat e fshatit Broboniq të Mitrovicës është varrosur sot Ajshe Veseli, nëna e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit.

Në ceremoninë e varrimit kanë marrë pjesë shumë familjarë dhe miq të familjes Veseli, derisa të pranishëm ishin edhe lidershipi i PDK-së.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se ky varrim njëjtë si ai i babait të Kadri Veselit para gjashtë muajve bëhet i vështirë pasi nuk është në mesin e tyre edhe ish-kryetari i partisë.

“Na vjen keq për rastin e sotëm, humbjen e nënës Ajshe. Ka qenë një zonjë dhe një grua e fortë e bujare e cila ka reflektuar atë madhështinë të cilën jemi mësuar ta shohim te nënat. Në këtë moment kjo vdekje dhe ky varrim bëhet më i vështirë për faktin se as këtë herë, siç ndodhi para gjashtë muajsh me babain e tij, nuk ishte në mesin tonë miku ynë, kryetari Kadri Veseli. Kjo e bën edhe më të dhimbshëm këtë rast, por gjithsesi ne shpresojmë që edhe kjo betejë e fundit dhe tepër e rëndësishme me të cilën po ballafaqohet ai dhe bashkëluftëtarët e tij është çmim i lartë, por që do ta vulosë drejtësinë e luftës çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar ai, shkruan EO.

Hysni Veseli, djali i axhës së Kadri Veselit, tha se nuk kanë informacione nëse e kanë lajmëruar Kadri Veselin, derisa ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen e tyre në ceremoninë e varrimit.

Kurti ua uron besimtarëve ortodoksë Krishtlindjen

0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë ortodoksë për festën e Krishtlindjes.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka uruar që kjo festë t’i gjejë të lumturë e tu sjellë mbarësi e begati të gjithë atyre që e festojnë.

“Për Krishtlindje u uroj qytetarëve të Kosovës të besimit të krishterë ortodoks, të cilët sot kremtojnë, që kjo festë t’i gjejë të lumtur, dhe t’u sjellë mbarësi e begati. Mesazhi i dashurisë dhe i shpresës së kësaj feste frymëzon për më shumë dashamirësi e angazhim për një shoqëri më të mirë. Edhe një herë ju uroj, juve e familjeve tuaja, dhe u dëshiroj paqe dhe gëzim. Gëzuar Krishtlindjen”, shkruan Kurti.

DW: A to të ketë konfiskim të pasurisë në Kosovë?

0

Në Kosovë Ministria e Drejtësisë synon themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Byroja do të merret me zyrtarë dhe ish-zyrtarë të institucioneve.

Në Kosovë qeveria miratoi një projektligj që ka për qëllim themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Projektligji, sipas ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, është hartuar nga ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë.

Ajo thotë se Byroja Shtetërore synon “verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar të personave zyrtarë, familjarëve të tyre dhe personave të ekspozuar politikisht”. Projektligji po ashtu garanton respektim të drejtave të palëve në procedurë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe dokumentet ndërkombëtare.

“Parandalimi dhe ndëshkimi i keqpërdorimit të të mirave publike, ka qenë dhe mbetet njëri ndër top prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Aprovimi dhe implementimi i këtij Ligji, është një hap tutje i domosdoshëm për arritjen e këtij synimi”, bëri të ditur në rrjetet sociale ministrja Haxhiu.

Si erdhi tek pasurimi?

Me themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, barra e justifikimit të pasurisë tani bie tek zyrtari dhe jo siç ka qenë deri më tash tek prokuroria e shtetit. Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, thotë se Byroja do të ketë staf të specializuar, por gjithsesi fjalën e fundit për konfiskim e pasurisë do ta jep gjykata, gjithnjë duke respektuar edhe të drejtën e ankesës së palës tjetër.

“Do të ketë staf të profilizuar dhe të specializuar në raport me adresimin e çështjes së pasurisë së pajustifikueshme. Barra e provës do t’i bie zyrtarit që thirret për të justifikuar pasurinë për faktin se aktualisht barra e provës është tek Prokuroria dhe kjo në vazhdimësi ka dështuar. Pra Prokuroria nuk ka arritur që përmes hetimeve që ka bërë të ngre aktakuza dhe t’i pasqyrojë ato para gjykatës dhe t’i mbrojë ato dhe është situata ku ne jemi”, tha për mediet lokale ministrja Haxhiu.

Sipas saj, dënimet që janë dhënë deri tash ndaj ndonjë zyrtari të profilit të ulët kanë qenë vendime qesharake dhe motiv për të korruptuarit për të vazhduar me afera të tilla. Prandaj sipas ministres Haxhiu, ajo është e interesuar që projektligji për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme të hyjë në fuqi sa më shpejtë.

“Ligji duhet të hyjë në fuqi sa më parë”

“Për mua si ministre, por edhe për Qeverinë e Kosovës, synimi është që ky ligj të hyjë në fuqi sa më parë. Por duke marrë parasysh natyrën e tij nuk mund të kërkojmë procedura të përshpejtuara, sepse megjithatë konsiderojmë që edhe Komisioni për Legjislacion duhet të organizojë dëgjim publik dhe të marrë opinionet e palëve të interesuara në këtë drejtim”, thotë Haxhiu.

Analistët skeptikë

Po si e shohin njohësit e çështjeve të drejtësisë synimin e qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti, për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme? Blerim Burjani, njohës i çështjeve të drejtësisë, i tha DW-së se themelimi i strukturave që bien ndesh me Kushtetutën, veçmas me pjesën e institucioneve të rendit dhe ligjit, mund të jenë objekt trajtimi nga Gjykata Kushtetuese.

“Arsyet janë të shumta dhe e para është konteksti organizativ e kushtetues i shtetit. Kosova ka strukturë administrative shtetërore në pajtim me standardet evropiane, që është një skemë kushtetuese që bazën e ka në demokraci, mbrojtjen e rendit dhe ligjit dhe mbrojtjen e shtetit unitarë. Pra, themelimi i një Byroje të Hetuesisë bie ndesh me organizimin kushtetues të shtetit dhe pjesën e organeve kushtetuese të saj, e kjo tregon se ka nevojë për ndryshime kushtetuese. Gjasat për t’u themeluar me ligj një mekanizëm i tillë është i komplikuar dhe tentativë për të ndikuar në organizimin aktual të organeve të rendit, policisë, gjyqësisë dhe prokurorisë”, thotë Blerim Burjani.

“Gjuetia e shtrigave”?

Ai thotë se byro të tilla kanë shtetet federative dhe si model në këtë çështje është SHBA-ja. Por Kosova ka një organizim tjetër shtetëror dhe specifika të ndryshme. Ndaj ai mendon se kjo Byro është vështirë të mandatohet vetëm me ligj, pa ndryshime kushtetuese.

“Brenda Kushtetutës së Kosovës ka mekanizma të mjaftueshëm për të luftuar dukuritë negative. Edhe nëse Byroja ka qellim të mirë, që mund të ketë natyrisht, kjo në kuptimin organizativ të rendit dhe ligjit është mbi strukturën kushtetuese të shtetit. Pra dhënia e kompetencave dublifikuese është, apo mund të jetë, drejt rrëshqitjes në një institucion që koncentron energji tjetër dhe komplikon funksionimin e organeve të tjera të rendit, apo merr kompetenca mbi organet tjera ekzekutive. Koncentrimi në ndjekjen e personave politik për vepra penale, mund të keqkuptohet shumë dhe të tingëllojë si ‘gjueti shtrigash’”, thotë Burjani.

Edhe një njohës tjetër çështjeve të drejtësisë, Ehat Miftaraj nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për mediet lokale se në sistemin e njëjtë të drejtësisë, projektligji për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, nuk sjell ndryshime.

Problemet me funksionimin

“Një sistem i drejtësisë, të njëjtit gjyqtarë dhe prokurorë që e kanë një kornizë ligjore shumë të avancuar për sekuestrim dhe konfiskim të pasurisë dhe nëse për 20 vite pothuajse nuk ka asnjë rezultat, nuk është garanci që mund të ketë rezultate vetëm që ua jep edhe një mundësi tjetër në aspektin civil që qytetarët të vërtetojnë pasurinë e tyre”, thotë Miftaraj. Ai thotë se “gjithnjë prokuroria, dështimet e tyre është munduar t’i arsyetojë me shtimin e një neni, dispozite, apo një ligji të ri”.

“Derisa nuk ndryshon mentaliteti i sistemit të drejtësisë, e prokurorët dhe gjyqtarët nuk e konsiderojnë si obligim që të respektojnë Kushtetutën së pari ata vet dhe t’i zbatojnë obligimet që ua përcakton Kushtetuta dhe ligji, nuk është se mund të presim ditë më të mira”, thotë Ehat Miftaraj. Sipas tij, vetëm vetingu mund të jetë shpresë që të pastrohet sistemi i drejtësisë.

Vetingu

Sidoqoftë, qeveria e Kosovës vazhdon të insistojë që në Kosovë të ketë edhe veting në sistemin e drejtësisë, por kjo ka vënë në pah dallimet që ka për këtë proces qeveria me Bashkimin Evropian. Qeveria e Kosovës tashmë e ka miratuar edhe koncept-dokumentin për vetingun, dhe ka ngarkuar një grup punues për hartimin e amendamenteve kushtetuese. Por, në raportin e Progresit të Komisionit Evropian, nuk u vlerësua me nota të mira nisma e qeverisë së Kosovës që të ketë veting të tërësishëm në sistemin e drejtësisë.

Në raport u tha se “Qeveria e re është duke konsideruar disa opsione për procesin e vetingut”, dhe sipas raportit “ndërmarrja e një ri-vlerësimi të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve është brengosëse dhe paraqet një burim shqetësimi serioz”. Me këtë konstatim të Komisionit Evropian nuk u pajtua presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, e cila është instanca e fundit që dekreton gjyqtarët dhe prokurorët. Presidentja në reagimin e saj, kundërshtoi konstatimet e Komisionit Evropian dhe tha se “mungesa e vetingut do të ishte shqetësim serioz dhe jo përmbushja e këtij procesi.” /dw/

Bislimi: Qeveria e gatshme të vazhdojë procesin e dialogut

0

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, shef i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, ka thënë se Qeveria e Kosovës është e gatshme të vazhdojë me procesin e dialogut dhe këtë tashmë ua ka bërë të ditur vendeve aleate të saj në takimet që ka pasur muajve të fundit.

“Qeveria e Kosovës është e gatshme të vazhdojë procesin e dialogut, ashtu si ka bërë deri më tani, në kuptim të arritjes se një marrëveshjeje finale, gjithëpërfshirëse, e cila do të sillte njohjen e Kosovës nga Serbia. Qasja jonë është plotësisht e hapur dhe konstruktive, por është e bazuar në parime që sot janë bazament i politikës së jashtme të shteteve të NATO-s”, ka thënë Bislimi në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia dëshiron vazhdimin e dialogut, por i ka akuzuar autoritetet e Kosovës se nuk duan të vazhdojnë procesin.

Bashkimi Evropian ka rolin e lehtësuesit të dialogut Kosovë-Serbi dhe Qeveria e Kosovës vlerëson se BE-ja e ka ruajtur neutralitetin minimal në këtë proces.

“Megjithatë, Qeveria pret nga Bashkimit Evropian që të ruajë një kornizë të dialogut që është e bazuar në vetë vlerat e traktateve të saj themeluese dhe një qasjeje që e promovon sigurinë regjionale të Ballkanit Perëndimor, në pajtueshmëri me pritjet e NATO-s dhe në mbrojte të regjionit tonë nga ndikimi rus e kinez”, ka thënë Bislimi për Radion Evropa e Lirë.

Buzhala nga KEDS: Qytetarët ta përdorin peletin dhe drunjtë për ngrohje

0

Situata me furnizimin me energji elektrike në vend aktualisht është stabile.

Kështu shprehet, zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala, i cili ka thënë se ka më tepër qe një javë që qytetarët janë duke u furnizuar pa ndërprerë me rrymë.

“Megjithatë situata është fragjile. Jemi në gjendje emergjente të shpallur nga Qeveria e Kosovës. Ka shumë faktorë që tash për tash janë në favorin tonë, përfshirë kohën, që ka rënë konsumi dhe çmimi i energjisë në berzat ndërkombëtare. Kjo po na e mundëson që të kemi furnizim stabil me energji”, është shprehur Buzhala në emisionin Portofol në Klan Kosova FM.

Buzhala ka thënë se aktualisht gjysma e rrymës që konsumohet është nga importi.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të përdorin drurin dhe peletin si mjet ngrohjeje.

“Çmimi është 200 euro për megavat. Qytetarëve s’u themi ta përdorin qeben, por që të përdorin më shumë dru dhe pelet për ngrohje”.

“Nuk mund të flasim për banesa kolektive, por në vendet e tjera ku ka mundësi sepse do të na e lehtësonte barrën”.

Nis ceremonia e varrimit të nënës së Kadri Veselit

0

Nëna e Kadri Veselit, Ajshe Veseli, u nda sot nga jeta në moshën 93-vjeçare.

Ceremonia e varrimit të saj tashmë ka filluar dhe po mbahet në fshatin Broboniq të Mitrovicës.

I munguar në këtë ceremoni është vetë Kadri Veseli i cili ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë.

I rrejshëm edhe alarmi i sotëm për mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve

0

Sikurse dy rastet e mëparshme brenda ditësh, edhe alarmi i sotëm për dyshimin se është vendosur një mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, ka rezultuar i rrejshëm.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, i ka thënë KOHËS se pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

“Hetuesit policor në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast i cili është cilësuar si lajmërim i rrejshëm”, ka thënë më tej ajo.

Gjatë mesditës të së premtes është raportuar për një mjet shpërthyes që dyshohet se ishte vendosur në Stacionin e Autobusëve.

Policia tha se një person nëpërmjet një telefonate anonime, i ka thënë policisë se e ka vendosur atë.

Një paralajmërim i tillë është ngritur dy ditë më parë, përkatësisht më 5 janar, dhe një tjetër më 23 dhjetor, por se në të dy rastet ka rezultuar të jetë lajmërim i rrejshëm.

isim değiştirme

- mersin escort

isim değiştirme

- mersin escort