Home Blog Page 3602

Kush do të paguajë më shumë për rrymë?

0

Konfuzion dhe kritika ka shkaktuar propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë, për ngritje të tarifave të energjisë së shpenzuar elektrike.

Qytetarë të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë në Prishtinë nuk e dinë saktë se sa do të jetë rritja për ta, por thonë se, edhe ashtu, paguajnë fatura të larta për rrymën.

Halim Haxholli, pensionist nga Prishtina, thotë se ka paguar 109 euro për faturën e fundit.

“E papërballueshme, o vëlla. Këtë rritje s’mund ta përballojë askush, pa marrë parasysh se çfarë gjendjeje ka”, thotë Haxholli.

Të njëjtin mendim e ka edhe Faik Tenezhdolli, i cili për faturën e fundit ka paguar rreth 120 euro.

“Asnjë parametër nuk është në favor të shtrenjtimit të energjisë elektrike. Ky popull është i shtrydhur në të gjitha anët. Japin premtime se deri në prill nuk ka shtrenjtim dhe nëse e bëjnë këtë me bllok-tarifa, atëherë vetëm e dhunojnë këtë popull”, thotë Tenezhdolli.

Në bazë të pagesave, si Haxholli, ashtu edhe Tenezhdolli pritet të jenë në kategorinë e qytetarëve që ZRRE-ja ka propozuar t’iu rritet çmimi i energjisë elektrike.

Kush do të paguajë më shumë?

Për ta shpjeguar më thjesht se çfarë nënkupton propozimi për rritje të çmimit të rrymës, ZRRE-ja i ka ndarë konsumatorët në pesë kategori: A, B, C, D, E.

Nëse jeni në kategorinë A, pra nëse gjatë një muaji shpenzoni 300 kilovatë orë energji elektrike, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 18.87 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 20.40 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 18.87 euro.

Nëse jeni në kategorinë B, apo gjatë një muaji shpenzoni 450 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 27.37 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 29.66 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 27.37 euro.

Nëse jeni në kategorinë C, që do të thotë se për një muaj shpenzoni 600 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 35.86 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 38.92 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj mbetet e njëjtë: 35.86 euro.

Nëse jeni në kategorinë D, pra nëse gjatë muajit shpenzoni 800 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 47.19 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 74.17 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 59.50 euro.

Nëse jeni në kategorinë E, që do të thotë se gjatë muajit shpenzoni 1000 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 58.52 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 109.42 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 83.14 euro.

Siç shpjegohet në Raportin Konsultativ të ZRRE-së për Shqyrtimin e Jashtëzakonshëm të Tarifave të Energjisë Elektrike, rritja prek vetëm dy kategori të amvisërive, D dhe E, përkatësisht ata qytetarë që shpenzojnë mbi 800, përkatësisht mbi 1000 kilovatë.

Për kategorinë D, që shpenzon 800 kilovatë orë energji elektrike në muaj, fatura pritet të rritet për 12 euro e 31 centë.

Për qytetarët në kategorinë E, që shpenzojnë 1000 kilovatë orë energji elektrike në muaj, fatura pritet të rritet për 24 euro e 62 centë.

Që rritja e faturave të energjisë elektrike të mos jetë aq e lartë dhe të mos bëhet e papërballueshme për një kategori të qytetarëve, Qeveria e Kosovës ka ndarë një shumë prej 75 milionë eurosh në formë subvencionimi.

Këto subvencione vlejnë edhe për bizneset, të cilat – edhe pas propozimit të ZRRE-së nëse miratohet – nuk do të kenë rritje të tarifave të energjisë elektrike.

Qeveria e Kosovës ka thënë se rritja e faturave për bizneset do të kishte ndikim negativ në ekonomi.

“Ngritja e tarifave nuk i ka prekur bizneset. Në këtë mënyrë do të kufizohet ndikimi në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve që ofrohen në ekonominë tonë”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.

Subvencionet e Qeverisë do të shfrytëzohen për një periudhë njëvjeçare.

Faturat me rritje, në rast se propozimi i ZRRE-së kalon, do të fillojnë nga data 1 shkurt, 2022, dhe shqyrtimi i rregullt i tyre pritet të bëhet në muajin mars të vitit 2023.

Në cilën fazë është propozimi i ZRRE-së?

ZRRE-ja ka dalë me propozimin për rritje të faturave më 17 janar, pasi çmimet e energjisë elektrike janë rritur edhe në tregjet evropiane, duke i ndikuar kështu edhe çmimet e importeve të Kosovës.

ZRRE-ja po ashtu ka thënë se gjatë vitit 2021 është shënuar rritje e ndjeshme e kërkesës për energji elektrike – gjë që ka cenuar sigurinë e furnizimit dhe, javë më parë, ka çuar në reduktime.

Propozimi i ZRRE-së aktualisht është në konsultim publik.

ZRRE-ja i ka ftuar të gjitha palët, përfshirë edhe qytetarët, që të dërgojnë komente, korrigjime apo kundër-argumente.

Faza e konsultimit publik do të përfundojë më 28 janar, 2022, në orën 18:00.

Pastaj mbetet që ZRRE-ja ta harmonizojë propozimin e saj me komentet e pranuara dhe ta nxjerrë vendimin final.

Në rast se propozimi miratohet ashtu siç është, fatura e muajit shkurt do t’iu shkojë konsumatorëve me rritje.

Syla: Bizneset nuk do të duhej të përjashtoheshin

Njohësi i fushës së energjisë në Kosovë, Lulzim Syla, thotë se vendosja e bllok- tarifave nga ana e ZRRE-së mund të ketë ndikim pozitiv në tejkalimin e krizës energjetike, duke mos lejuar që të vihet në rrezik siguria e furnizimit.

Por, Syla mendon se rritja e propozuar do të duhej t’i përfshinte edhe bizneset, e jo vetëm konsumatorët shtëpiakë.

“Ndoshta do të duhej të kishte një diskutim të hapur edhe me biznese, që një pjesë e barrës së kësaj kostoje të zhvendoset në një ngritje të vogël të çmimit të energjisë edhe te bizneset, për shkak se pavarësisht gjendjes ekonomike që e kemi, energjia elektrike është e lirë edhe te bizneset. Një ngritje sado e vogël te bizneset do ta baraspeshonte peshën e ngarkesës financiare për qytetarët”, thotë Syla.

Ai po ashtu thotë se procesi i propozimit të shtrenjtimit të energjisë elektrike nga ZRRE-ja kërkon më shumë qartësime dhe informacione.

Sipas tij, ZRRE-ja dhe Qeveria e Kosovës do të duhej të ishin më të qarta, pasi çdo rritje, sado e vogël, ka ndikim te qytetarët.

“Bllok-tarifat janë një mekanizëm i mirë në situata të tilla, në të cilat është Kosova, por jo domosdoshërisht ato [duhet] të jenë 100 për qind më të larta si çmim fundor… Por, duhet të shihet se cili do të jetë ndikimi konkret i këtyre 75 milionë eurove që i ka propozuar Qeveria për mbështetje të një grupi të caktuar të këtyre konsumatorëve, që i prek bllok-tarifa e re. Do të thotë, ende kemi nevojë për sqarime shtesë, si nga ZRRE-ja, ashtu edhe nga Qeveria e Kosovës”, thotë Syla.

Bllok-tarifat kanë qenë pjesë e strukturës tarifore të energjisë elektrike në Kosovë edhe nga viti 2006 deri në vitin 2017.

Sipas atyre, kur një ekonomi familjare ka shpenzuar më shumë se 600 kilovatë rrymë në muaj, çmimi për të ka qenë më i lartë në krahasim me familjet që kanë shpenzuar nën 600 dhe 300 kilovatë në muaj.

ZRRE-ja i ka hequr ato rreth pesë vjet më parë.

Rritja e rasteve me COVID-19, ministri Latifi shkon në Infektivë

0

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka vizituar sot Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare.

Në njoftimin e MSh-së bëhet e ditur se Latifi ka biseduar me drejtorin e SHSKUK-së, Valbon Krasniqin, dhe atë të Klinikës Infektive, Arben Vishaj, për organizimin e punës, pas rritjes së rasteve me koronavirus.

“Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi vizitoi sot në mëngjes Klinikën Infektive në QKUK ku me ekipin kujdestar të 24 orëshit të fundit bisedoi për pacientët që po trajtohen aty. Ministri falënderoi ekipet për punën që po bëjnë, dhe së bashku edhe me drejtorin e SHSKUK, Valbon Krasniqi dhe drejtorin e Klinikës Infektive Arben Vishaj biseduan për organizimin e punës në frymën e rritjes së rasteve me Covid-19 dhe gatishmërinë për t’u ballafaquar në rast të rritjes së rasteve. Ai u informua për numrin e rasteve që kanë marrë trajtim gjatë 24 orëshit të fundit dhe ecurinë e tyre”, bëhet e ditur në njoftim.

Ismaili: Gjashtë gra shtatzëna me Coronavirus në Gjinekologji

0

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë, Jakup Ismaili në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se në këtë Klinikë janë të hospitalizuara 6 paciente me Covid-19.

Doktor Ismaili tha se për momentin janë 251 paciente shtatzëna, ndërsa pjesa tjetër janë raste gjinekologjike.

“Në Klinikë e Gjinekologjisë janë të hospitalizuar 6 paciente të verifikuara covid pozitiv. Gjendja e tyre është stabile. Nuk kemi raste të vdekjeve. Mbetet të verifikohen nëse ka me variantin Omicron. Situata është stabile. Për momentin i kemi 251 paciente të hospitalizuara një pjesë e tyre janë shtatzëna, pjesa tjetër raste gjinekologjike”, ka thënë ai për EO.

Erdogan sërish në Shqipëri: Do të jem i pranishëm në hapjen e xhamisë së Namazgjasë

0

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka konfirmuar se do të rikthehet sërish në Tiranë në fillim të muajit maj, në kuadër të hapjes së xhamisë së Namazgjasë.

Erdogan teksa ishte në Tiranë, njoftoi se xhamia e Namazgjasë do të hapet në fund të muajit të shenjtë të Ramazanit. Ky muaji i shenjtë për besimtarët mysliman nis më 2 prill dhe përfundon me 1 Maj.

Deklarata e Erdogan është bërë për mediat turke pas vizitës një ditore në Tiranë, më 17 janar.

“Pritja që m’u bë mua dhe delegacionit tim në Shqipëri që në momentin kur shkelëm në tokën deri në largim, është shenjë e lidhjes shpirtërore që nuk këputet mes nesh dhe vëllezërve tanë në Ballkan . Për ne vetëm kaq është e mjaftueshme. Pamë nga afër edhe punimet në xhaminë madhështore në Tiranë që po ndërtojmë ne. Puna vijon ende. Me Ndihmën e Zotit, punimet do të përfundojnë shpejt dhe deri në fund të muajit të Ramazanit do ta hapim për besimtarët. Do të jem sërish në Tiranë për ceremoninë e hapjes”, tha ai.

Erdogan ishte në Tiranë më 17 janar, në kuadër të ndërtimit të lagjes së re në Laç me 522 banesa të financuara nga qeveria turke. Po ashtu gjatë vizitës së Erdogan u nënshkruan edhe 7 marrëveshje bashkëpunimi me qeverinë shqiptare ndërsa në fund presidenti turk inauguroi mbylljen e restaurimit të Xhamisë së Et’hem Beu.

Haradinaj -Elez Blakajt: Hajde e denoncoje Albin Kurtin, se e qiti në dy gjunjtë këtë vend

0

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje ish-prokurorit Elez Blakaj që ta denoncojë kryeministrin Albin Kurti, pasi sipas tij, I ka shkaktuar shumë humbje Kosovës.

Haradinaj në ‘dPt te Fidani’ në T7 tha se në lëvizjet e fundit të Kurtit sa i përket energjisë elektrike dikush po pasurohet, e për këtë thotë se duhet të ndërhyjë prokuroria.

“Unë mendoj që këtu ka vend prokuroria mu interesu. I njëjti njeri, Albin Kurti cdo herë e ka pengu Kosovën me investu në energji. Ka qenë kundër investimeve. I pari kryeministër që dha kaq shumë pare për rrymën në veri, me dhjetëra milionë I ka çu në veri. Pastaj, e ka pagu diferencën e cmimit, prapë me pare të buxhetit. Unë po e thirri Elez Blakaj, hajde denoncoje Albin Kurtin sot që ia shkaktoi kësaj Kosove mbi 100 milionë euro humbje, e qiti në dy gujt këtë vend.

Këtu dikush po pasurohet fort, le të merret prokuroria”, tha Haradinaj.

Kur pritet të organizohet protesta kundër shtrenjtimit të rrymës

0

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, njoftoi se do të organizojnë protestë në lidhje me rritjen e çmimit të energjisë. Sipas tij, kjo protestë do të organizohet para datës 29 janar, kur edhe është paraparë të merret vendimi për rritjen e çmimit të rrymës.

“Ne kemi pasur disa aksione, tri deri tani, nesër kemi mbledhje të kryesisë, ku do të diskutojmë për protestën, jemi duke e konsideruar seriozisht organizimin e protestës, para datës 29… Që do të ketë PSD-ja protestë, nuk ka dilemë”, ka thënë Molliqaj në Rubikon.

Ai tha se do të ishte mirë që KEDS-i të nacionalizohej, pasi edhe kështu shpenzimet po janë të mëdha për qytetarët. Molliqaj tha se zgjidhje për të dalë nga kriza do të ishte edhe përdorimi i energjisë së ripërtritshme si dhe të merrej më seriozoisht çështja e gazit.

“Nuk ka kësi rasti që një kompani private e vendos një procent që krejt fitimet ka me i marrë për vete, e kur ka krizë shteti ia mbulon humbjet. Unë kisha pasë qejf me e pasë një këso kompanie… Duke e ditur që situata të tilla edhe mund të na përsëriten, do të ishte mirë me liberalizu energjinë e ripërtritshme, që një vjet e kanë blloku… nën dy me konsideru seriozisht çështjen e gazit, dhe e treta ish dashtë me nacionalizu KEDS-in”, ka shtuar ai.

Protestë kundër shtrenjtimit të rrymës ka paralajmëruar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kosova ka mbi 7 mijë e 200 raste aktive me koronavirus

0
Members of the University Clinical Center of Kosovo in protective gear walk past a sign reading "Ambulance For Coronavirus" at the University Clinical Center of Kosovo in Pristina on March 14, 2020. - Kosovo reported its first coronavirus (COVID-19) case on March 13, 2020, in a 22-year-old Italian woman and a 77-year-old Kosovar man, both recently returned from Italy. (Photo by Armend NIMANI / AFP)

Aktualisht në Kosovë janë 7 mijë e 266 raste aktive me COVID-19.

Sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), vetëm në Prishtinë janë 3 mijë e 214 raste aktive me këtë infeksion, duke qenë kështu komuna me më së shumti të infektuar aktualisht, e pasuar nga Mitrovica me 611 raste aktive, ndërsa Peja aktualisht ka të regjistruar 372 raste aktive me koronavirus.

Vetëm gjatë ditës së djeshme u regjistruar 2,500 raste të reja me infektime në vendin tonë, gjë që ka alarmuar organet udhëheqëse dhe bëri që sot të mblidhet komiteti ndërministror për t’i shqyrtuar masat e reja antiCOVID.

Kuvendi sot mban dy seanca plenare

0

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në dy seanca plenare.

Seanca nga ora 10:00 do të fillojë me deklarime jashtë rendit të ditës, pyetje parlamentare, për të vijuar me zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare, si dhe debatin mbi ngritjen e çmimeve enorme.

Pas debatit, Kuvendi do të hyjë në pjesën e shqyrtimit të projektligjeve:

Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit në mes të Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti i Reformës së Sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”, për të vijuar me shqyrtimin e dytë të Projektligjit për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Kosovë, Projektligjit për Gjykatën Komerciale, si dhe Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Deminim Humanitar.

Seanca pritet të vazhdojë me shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Kosovë, për t’u përmbyllur me shqyrtimin e raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2020.

Në orën 15:00 do të vazhdojë seanca me pikat e papërfunduara të datave 24, 28 dhe 29 dhjetor 2021:

4. Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Memorandumit të mirëkuptimit në mes Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Prishtinë, Kosovë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës për Programin e Shkëmbimit Akademik Fulbright,

5. Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për Statusin e Pjesëtareve të Forcave të Sigurisë së Republikës së Kosovës dhe Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në territorin e shteteve përkatëse,

6. Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e Programit – Nxitja dhe levimi i mundësive për sigurinë e ujit,

7. Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Bashkimit Evropian nga njëra anë dhe Kosovës nga ana tjetër, për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit Horizon Europe – Korniza e Programit për kërkimin dhe inovacionin,

8. Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian Evropa kreative (2021-2027),

22. Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës,

24. Zgjedhja e dy drejtorëve të Bordit të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, “NP KOSTT”,

25. Zgjedhja e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave.

26. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme,

27. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për tregti me jashtë

28. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore,

29. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për regjistrimin e bujqësisë,

30. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-041 për prodhimin, grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e duhanit,

31. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për peshkatari dhe akuakulturë,

32. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për farërat,

33. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bujqësi organike,

34. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e bimëve,

35. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për verërat,

36. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Gjuetinë,

37. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për materialin fidanor,

38. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pasurimin e miellit,

39. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për rregullimin e tokës,

40. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bletari,

41. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për plehrat artificiale,

42. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për përkujdesjen ndaj kafshëve,

43. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për veterinarinë,

44. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për inspeksionin bujqësor,

45. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit i produkteve për mbrojtjen e bimëve,

46. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për ujitjen e tokave bujqësore,

47. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kooperativat e bujqve,

48. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,

49. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për tokën ndërtimore.

Nga nesër, shi, borë e ulje temperaturash në Prizren

0

Në njoftimin e IHK-së bëhet e ditur se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -7 deri -5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihet të lëvizin ndërmjet 3-7 gradë Celsius.

“Të enjten, në orët e vona të natës priten reshje shiu dhe bore. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -7 deri -5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 3-7 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga veriu dhe verilindja me shpejtësi 1-7 m/s”, ka bërë të ditur IHK.

Si u zbulua rrjeti i fajdexhinjve në Prizren?

0
Foto: Ilustrim

Një hetim i nisur gjashtë muaj më parë ka përfunduar me pesë të arrestuar në rajonin e Prizrenit nën dyshimin se të njëjtit merreshin me fajde.

Tetë lokacione ishin bastisur, ishin zhvilluar disa takime mes të dyshuarve dhe viktimës, janë konfiskuar një mori dokumentesh, vetura e armë në aksionin e Policisë së Kosovës të udhëhequr nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu.

Më 22 dhjetor ekipe të shumta policore ishin vendosur në Drejtorinë rajonale të Policisë në Prizren. Të njëjtit prisnin urdhrin të ndërhynin e të arrestonin disa persona të cilët dyshoheshin se jepnin fajde ndërsa kamata ishte e lartë.

Prokurori i cili hetoi rastin, Petrit Kryeziu, tregoi për “Kallxo Përnime” se si kishte arritur që të zbulonte grupin e fajdexhinjve.

Ai shpjegon se si djali i një biznesmeni në Prizren ishte viktima kryesore e këtij grupi.

“Rasti i fajdeve është nisur nga vetë viktima  i cili ka vendosur ta raportojë rastin tek organet e ndjekjes, sapo kam marr raportin informues lidhur me këtë rast vullnetarisht e kam marrë, kam pasur takim dhe i  kam ofruar siguri e mbështetje ligjore viktimës, sepse i njëjti ka qenë viktimë e shumëfishtë e fajdeve, nuk ka qenë te një person por te disa persona”, tregon prokurori Kryeziu.

Viktima nuk do kthente kamatën vetëm te një person por te një grup personash, disa prej të cilëve njiheshin mes vete.

Tutje siç shpjegon prokurori i rastit, babai i viktimës nuk ka qenë fare në dijeni për çka i kishte ndodhur djalit të tij dhe se i njëjti ishte njoftuar më pas.

Prokurori kishte vendosur që të mundësonte mbrojtje ligjore viktimës i cili tash e një kohë ishte duke dhënë kamatë për fajdetë që kishte marrë nga të dyshuarit.

“Personi ka rrëfyer lidhur me fajdetë se si ka filluar, ai ka tregu që ka filluar me lujtë lojëra të fatit ku një person ka qenë ai që e ka joshur, te ai ka marrë fillimisht, aty ka ra në kamata që nuk ka mujtë me i pagu me kohë”, shpjegon prokurori deri sa flet edhe se si u njoftua viktima me pesë të dyshuarit.

“Ky person (i dyshuari i parë) e ka orientu që duhet të shkojë të marrë diku tjetër, i ka preferu personin e dytë dhe nga personi dytë kështu i ka zgjedh dhe i ka referu te personat e tjerë që ka arrit numri pesë i personave që kjo viktimë ka marrë para në shuma joproporcionale për kthim, ku kamatat kanë arritur vlera të larta ku në fund nuk ka arritur edhe me i përballu andaj duke e pa situatën ka vendos me bashkëpunu me ne”, vazhdon Kryeziu.

Vetë prokurori potencon se në rastet e fajdeve zakonisht të dyshuarit zgjedhin personat që kanë gjendjen e mirë ekonomike për t’u dhënë fajde dhe për t’u marrë kamatë të njëjtëve.

“Duhet me potencu që viktima e këtij rasti rrjedh nga një familje që është mesatarisht e pasur kanë biznes të vetin por si duket edhe fajdexhitë dinë t’i zgjedhin viktimat sepse ai të gjitha ato që i ka bërë i ka bërë pa dijeninë e prindit të tij”, shton Kryeziu.

Rasti i muajit të kaluar i fajdeve në Prizren nuk është i pari. Kjo pasi që edhe në të kaluarën ka pasur aksione dhe arrestime të të dyshuarve për fajde në këtë rajon.

 

isim değiştirme

- mersin escort

isim değiştirme

- mersin escort