Home Blog Page 36

Osmani përkujton Rugovën në 81 vjetorin e lindjes: Udhërrëfyes drejt lirisë dhe pavarësisë

0

Presidentja Vjosa Osmani ka shkruar për 81 vjetorin e lindjes së ish-Presidentit Ibrahim Rugova.

Rugova, siç ka thënë ajo, ka qenë arkitekti i pavarësisë, zë i arsyes dhe vendosmërisë në kohë të errëta dhe udhërrëfyes drejt lirisë dhe pavarësisë.

“Me urtësinë, kulturën politike dhe vizionin largpamës, Presidenti Rugova e ngriti çështjen e Kosovës në majat e diplomacisë botërore”- ka shkruar Osmani.

Presidentja e vendit ka thënë se Rugova mbetet frymëzim i përhershëm e simbol i qëndresës.

Sipas saj, Rugova është edhe simbol i ëndrrës për Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike.

“Trashëgimia e Presidentit është testament për paqen, për shtetin sovran dhe të integruar në familjen euro-atlantike. Lavdi jetës, veprës dhe idealit të Presidentit historik!”- ka shkrur Presidentja Osmani.

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor të vitit 1944, në fshatin Cërcë të Komunës së Istogut.

Ai ishte bashkëthemelues i LDK-së dhe Presidenti i parë i Kosovës.

Vdiq më 21.01.2006 pas një sëmundje të rëndë.

Arrestohen dy të dyshuar në Prizren, postuan në rrjete sociale video duke shtënë me armë

0

Dy të dyshuar për armëmbajtje pa leje janë arrestuar në Prizren të hënën.

Sipas njoftimit të Policisë, ata kishin postuar video në rrjetet sociale ku shiheshin duke shtënë me armë zjarri.

“Gjatë kontrollit në shtëpinë e tyre është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri automatike e kalibrit të panjohur. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Sot, përvjetori i lindjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova

0

Sot shënohet 81-vjetori i i lindjes së ish-presidentit historik Ibrahim Rugova.

Ai ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006 dhe është varrosur me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Ibrahim Rugova është lindur më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia kanë pushkatuar të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që kishin depërtuar në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova shkollën fillore e ka kryer në Istog, të mesmen në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e ka kryer në Prishtinë.

Gjatë vitit akademik 1976-77 ka qëndruar në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ka ndjekur interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Ai ka doktoruar në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984.

Në vitin 1996 Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë ka punuar edhe në revistën Fjala.

Mandej, për afro dy dekada, Dr. Ibrahim Rugova veprimtarinë e vet shkencore e ka zhvilluar në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ishte kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare është mar rëqë nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.

Dr. Ibrahim Rugova më 1988 është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që është bërë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila ka kundërshtuar sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Si intelektual me nam që i ka dhënë zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që ka sfiduar drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës,është bërë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes.

Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja kanë përmbyllur kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.

Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, kanë qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992.

Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur President i Republikës së Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova është rizgjedhur President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.

Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës LDK-ja ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK ka fituar edhe zgjedhjet nacionale më 2004.

Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe është rizgjedhur edhe më 2004.

Dr. Ibrahim Rugova ka vdekur më 21 kallnor 2006 në Prishtinë dhe është varros në Bregun e Diellit me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës.

Në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu e ka dekoruar Presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Moti sot i vranët dhe i ftohtë

0

Sot, dita e martë sjell mot kryesisht të vranët në të gjithë vendin.

Siç njofton IHMK, temperaturat minimale pritet të luhaten nga -1 deri në 0°C, ndërsa ato maksimale do të arrijnë 6-9°C, duke e bërë ditën mjaft të ftohtë.

Era pritet të fryjë nga jugperëndimi me shpejtësi të lehtë 1-5 m/s.

KFOR vazhdon patrullimin në veriun e Kosovës

0

KFOR njofton se ushtarët e misionit, nën udhëheqjen e NATO-s, do të vazhdojnë patrullimet e tyre të rregullta ditë e natë, duke siguruar një prani të qëndrueshme dhe të qetë si në veriun e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë zonën e përgjegjësisë.

“Personeli i KFOR-it mbetet i vëmendshëm, duke ruajtur vetëdijen për situatën dhe duke nxitur stabilitetin në të gjithë rajonin. Këto aktivitete të vazhdueshme pasqyrojnë angazhimin e qëndrueshëm të KFOR-it për të kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës”, njofton KFOR.

KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e saj, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të siguruar për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës të sigurisë.

Ministri Çeku pret Islam Selmanin: Ky triumf është frymëzim për të gjithë sportistët tanë

0
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka pritur në takim Islam Selmanin pas kthimit në Kosovë si nënkampion i botës në karate.
“Pata kënaqësinë ta mirëpres në zyrë, Islam Selmanin së bashku me përzgjedhësin Isak Curri, kryetarin e Federatës së Karatesë, Besart Baruti dhe sportistët tjerë.
Ky është një rezultat historik për sportin tonë dhe një dëshmi e punës dhe vendosmërisë së Islamit. Ai na bëri krenarë të gjithëve dhe e ngriti karatenë e Kosovës në majat e garave botërore.
Ky triumf është frymëzim për të gjithë sportistët tanë.
Urime Islamit dhe gjithë ekipit!” ka shkruar Ministri Çeku në Facebook.

Specialëve në veri u ndalet një racion ushqimi

0

Policëve të njësive speciale që angazhohen në plane operative dhe punojnë me orare 12-orëshe në pjesën e veriut të Kosovës u është reduktuar numri i shujtave ushqimore nga dy në një.

Siç raporton Kallxo.com, ky reduktim ka ardhur si pasojë e mungesës së shujtave ushqimore, të cilat ishin të parashikuara me kontratë paraprake të Policisë së Kosovës.

Mediumi raporton se ka zhvilluar biseda me disa zyrtarë policorë nga njësi të ndryshme speciale që veprojnë në nivel rajonal dhe janë të angazhuara në plane operative në veri të Kosovës.

Në lidhje me largimin e një shujte ushqimore për personelin policor që punon në terren, Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, ka konfirmuar informacionet, duke sqaruar se numri i madh i policëve të angazhuar në plane operative ka ndikuar në mungesë të shujtave ushqimore, prandaj është marrë vendim që policët specialë në oraret 12-orëshe të ushqehen vetëm me një shujtë.

“Po, kemi informacione për këtë çështje. A e din cili është problemi? Jemi në fund të vitit dhe menaxhmenti i Policisë së Kosovës, Drejtoria e Financave i bën në kontratë trivjeçare, puna e planeve operative që janë shku edhe njësi tjera shumë, shujtat janë harxhu, janë harxhu mjetet, por kjo është vetëm për këtë muaj”, ka deklaruar Hoti.

Ai ka shtuar se pritet që kjo situatë të stabilizohet në fillim të vitit 2026.

“Është ndalë shujta 1 javë ditë për policët që shkojnë në Mitrovicë të Veriut, d.m.th. edhe ata që nuk janë në plan operativ edhe ata e marrin shujtën, për atë janë harxhu shujtat dhe për këtë kemi ardhë në këtë situatë. Zgjidhja në këtë rast parashihet të bëhet kontrata e re. Por mjetet që janë lëshu nga Qeveria, pra ka për paga, shtesa dhe për këto shpenzime të vogla”- ka thënë Hoti.

Qeveria e Kosovës në detyrë, në mbledhjen e 31.10.2025 ka miratuar Projektligjin për buxhet për vitin 2026 që kap vlerën 4 miliardë euro. I njëjti nuk arriti të miratohej nga Kuvendi, i cili u shpërnda më 20.11.2025 me dekretin e nënshkruar nga presidentja Vjosa Osmani.

Orari i zyrtarëve policorë nuk llogarit edhe pjesën e udhëtimit të njësive speciale në veri. Pra nëse një njësit special që udhëton nga Gjilani për në Mitrovicë në bazë, i duhen rreth 2 orë udhëtim, nga aty ata nisen drejt pikave të përcaktuara si Leposaviqi e Zubin Potoku apo edhe zonat e tjera. Nëse policët punojnë 12 orë, bashkë me udhëtimin u shkojnë rreth 16 orë.

Situata të ngjashme me mungesën e shujtave ushqimore për policët janë raportuar edhe në të kaluarën.

 

Bisedimet SHBA-Ukrainë, Trump: Ka shanse për marrëveshje, por korrupsioni në Kiev pengon

0

Presidenti amerikan, Donald Trump, në një prononcim për gazetarët në avionin presidencial Air Force One, teksa kthehej në Shtëpinë e Bardhë deklaroi se ekzistojnë “mundësi shumë të mira” që Ukraina dhe Rusia të arrijnë një marrëveshje paqeje, pas raundit të fundit të bisedimeve të zhvilluara në Florida.

Megjithatë, ai theksoi se korrupsioni në Ukrainë ishte problem dhe nuk ndihmonte në negociatat e paqes.

Bisedimet mes zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës të dielën ishin produktive sipas Sekretarit të Shtetit, Marko Rubio, por më shumë punë është e nevojshme për të shkuar drejt marrëveshjes së paqes.

Rubio u takua me një delegacion ukrainas në Florida, i drejtuar nga kryenegociatori i ri i Kievit, Rustem Umerov. Ai zë vendin e Andri Yermak, i dorëhequr mes skandalit për korrupsion. Të pranishëm në takim ishin edhe i dërguari i posaçëm i Donald Trump, Steve Wittkof dhe dhëndri i tij, Jared Kushner.

Witkoff do të shkojë këtë javë në Moskë për bisedime: “Ka ende shumë punë për t’u bërë, por sot ishte sërish një seancë shumë produktive dhe e dobishme ku mendoj se u bë përparim shtesë. Ne vazhdojmë të jemi realistë për vështirësitë, por edhe optimistë, veçanërisht duke konsideruar se ekziston një vizion i përbashkët se kjo nuk ka të bëjë vetëm me përfundimin e luftës. Ka të bëjë me sigurimin e së ardhmes së Ukrainës, një të ardhme që shpresojmë të jetë më e begatë se kurrë më parë”.

Edhe kryenegociatori ukrainas i cilësoi si produktive bisedimet, duke thënë se SHBA po i dëgjon dhe mbështet. Megjithatë, një burim i cituar nga AFP tha se takimi nuk kishte qenë aspak i lehtë.

Eksperti amerikan, Joseph: Kosova si model për paqen në Ukrainë

0

Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA dhe ekspert i menaxhimit të konflikteve, propozon një qasje strategjike për të arritur paqe në Ukrainë, duke u bazuar në modelin e Kosovës.

Ai e ka trajtuar këtë ide edhe në një analizë të publikuar në revistën akademike SAIS Review of International Affairs.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Joseph shpjegon se zbatimi i parimeve të Rezolutës 1244 në Donbas – administrimi ndërkombëtar, vendosja e trupave paqeruajtëse dhe shtyrja e çështjes së sovranitetit për më vonë – mund t’i ofrojë Ukrainës garanci sigurie pa pasur nevojë të pranojë aneksimin rus të rajonit.

Joseph vlerëson gjithashtu përpjekjet e administratës Trump, duke theksuar se ajo ka vënë në qendër arritjen e paqes në Ukrainë dhe ka sjellë dinamikë të re në procesin e negociatave.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Joseph, ju propozoni zbatimin e modelit të Kosovës në Donbas. Cili është mësimi më i rëndësishëm nga Kosova që besoni se mund të zbatohet në Ukrainë sot?

Edward P. Joseph: Gjëja më e rëndësishme dhe më interesante e përdorimit të modelit të Kosovës në Donbas – pra në Ukrainë – për të arritur një armëpushim, është se presidenti rus [Vladimir] Putin e mbështet atë.

Kjo është pika fillestare, por jo e vetmja. Putin, për më shumë se dy dekada, ka insistuar se duhet të respektohet Rezoluta 1244. [v.j. Me këtë rezolutë të vitit 1999 është urdhëruar tërheqja e trupave të Republikës Federale të Jugosllavisë nga Kosova dhe vendosja e Kosovës nën administrimin e Kombeve të Bashkuara].

Putin, gjithashtu, ka përsëritur vazhdimisht se Kosova dhe Ukraina janë e njëjta gjë.

Ideja e përdorimit të një modeli është krejtësisht e përshtatshme. Administrata amerikane po merr elemente nga plani për Gazën. Por, unë mendoj se modeli i Kosovës është shumë më relevant se ai i Gazës. Modelin e Kosovës edhe vetë Putin e di shumë mirë.

Radio Evropa e Lirë: Por, kritikët argumentojnë se Kosova ka qenë një rast unik, me një konsensus të fortë ndërkombëtar, ndryshe nga Ukraina. Pse besoni se një model i tillë mund të funksionojë gjithsesi?

Edward P. Joseph: Rezoluta 1244 e nxori çështjen e sovranitetit jashtë diskutimit, pa e mohuar apo shpallur pavarësinë e Kosovës, por duke i dhënë fund konfliktit dhe duke i hapur rrugë administrimit ndërkombëtar dhe pranisë së trupave paqeruajtëse në Kosovë.

I njëjti parim do të zbatohej edhe në Donbas dhe debati se ‘kujt i përket’ ai do të shtyhej për më vonë – me një referendum të ardhshëm për ta zgjidhur. Putin i mbështet referendumet – ai i ka organizuar ato edhe në Krime, edhe në pjesët e Donbasit që Rusia i kontrollon. Pra, atij do t’i servireshin dy gjëra që s’i kundërshton: modeli i 1244-shit dhe referendumi.

Me këtë model, do të mund ‘të fitonte’ edhe më shumë territor, sipas mendimit tim – madje edhe më shumë sesa ofron plani i [presidentit amerikan, Donald] Trump. Do të mund të fitonte edhe zonat e Donbasit perëndimor, që për Ukrainën janë më të ndjeshmet, sepse me kontrollin e tyre, Rusia do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në të gjithë vendin dhe, madje, do të mund të hapte një tjetër rrugë drejt Kievit.

Por, atij do t’i duhej të pranonte edhe një kusht – ngjashëm siç ka bërë Kosova. Do të duhej të pranonte administrimin [e Donbasit] nga një palë e tretë – qoftë nga OKB-ja, qoftë nga OSBE-ja.

Rusia është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit dhe ndoshta i pëlqen administrimi i OKB-së, pasi vazhdimisht insiston që UNMIK-u duhet të mbetet në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Mendoni se Ukraina do të pranonte një plan të tillë?

Edward P. Joseph: Për Ukrainën do të ishte një qasje e favorshme. Arsyeja e parë: Kievi nuk do të duhej ta njihte aneksimin rus të Donbasit. Pastaj, statusi i Krimesë mund të lihej për negociata të mëvonshme, meqë shanset për ta rikthyer ushtarakisht janë minimale.

Arsyeja e dytë, dhe më e rëndësishmja për presidentin ukrainas [Volodymyr] Zelensky, janë garancitë e sigurisë. Modeli i Kosovës do të sillte administrim ndërkombëtar nga OKB-ja ose OSBE-ja, që do ta ndalte menjëherë rusifikimin – detyrimin për pasaporta ruse, indoktrinimin ushtarak të fëmijëve dhe pengesat për të zhvendosurit që duan të kthehen në shtëpitë e tyre.

Nën këtë administrim do të krijoheshin edhe komisione ndërkombëtare për pronat.

Ashtu si në Kosovë, në Donbas do të vendoseshin trupat paqeruajtëse dhe për t’i bërë më të pranueshme për Rusinë, këto trupa do të mund të vinin nga Afrika ose Azia, jo domosdoshmërisht nga Evropa.

Pra, thelbi i gjithë kësaj është se, kur çështja e sovranitetit lihet përkohësisht anash, çdo element tjetër bëhet shumë më i lehtë për t’u negociuar.

Radio Evropa e Lirë: A keni pasur rastin ta diskutoni këtë ide me ndonjë zyrtar amerikan, apo me ndonjë burim zyrtar?

Edward P. Joseph: Kjo është një pyetje shumë e mirë, por nuk mund ta konfirmoj se kam pasur bisedime të tilla, sepse mund të pasojë pyetja juaj: me kë? Mund të them vetëm se do të ishte krejtësisht logjike dhe natyrale për mua që ta diskutoja këtë çështje me zyrtarë amerikanë.

Radio Evropa e Lirë: Si i shihni përpjekjet aktuale të administratës amerikane për paqe në Ukrainë?

Edward P. Joseph: Propozimi i administratës Trump nis nga premisa se Rusia është pala më e fortë dhe Ukraina pala më e dobët, prandaj i gjithë procesi duhet të ndërtohet rreth kërkesave dhe pozicionit të Rusisë.

Tani, gjëja pozitive – dhe presidentit Trump duhet t’i jepen merita për këtë – është se ai, ndryshe nga [paraardhësi i tij, Joe] Biden, i jep përparësi arritjes së paqes. Kjo është një gjë e mirë dhe ka sjellë një dinamikë të re. Ka krijuar ndjesinë se e gjithë kjo ka të bëjë me përfundimin e luftës. Nuk ka të bëjë me mposhtjen e Rusisë apo me dhënien e ndonjë mesazhi për rendin global…

Por, problemi është se ndërtimi i një marrëveshjeje duke u bazuar vetëm te pala më e fortë nuk prodhon rezultatin më të mirë, nëse qëllimi është një zgjidhje e qëndrueshme. Një marrëveshje e tillë rrezikon ta shtyjë Ukrainën drejt ‘dorëzimit të heshtur’.

Një qasje më e zgjuar do të ishte kombinimi i gatishmërisë për të negociuar me Putinin me fuqizimin paralel të Ukrainës dhe rritjen e presionit ndaj Rusisë.

Trump, në fakt, i ka bërë disa hapa në këtë drejtim – me sanksionet ndaj kompanive energjetike ruse, të cilat kanë pasur një efekt shumë pozitiv. Por, ka hequr dorë vullnetarisht nga disa leva të presionit.

Për shembull, vendimi për të përjashtuar publikisht mundësinë e furnizimit të Ukrainës me raketa Tomahawk. Në rregull, nëse nuk duan t’i japin Ukrainës raketa Tomahawk, por pse të thuhet publikisht?! Ato mund të shërbejnë si leva, mund ta nxisin Putinin të mendojë se nëse kërkon shumë, SHBA-ja mund të shkojë më larg me mbështetjen e Ukrainës.

Përpjekjet diplomatike të SHBA-së për paqen në Ukrainë

Zyrtarë të lartë amerikanë po zhvillojnë takime intensive me përfaqësues ukrainas dhe rusë, në përpjekje për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës.

“Ne kemi udhëzime dhe prioritete të qarta: mbrojtjen e interesave të Ukrainës, dialogun substancial dhe ecjen përpara bazuar në rezultatet e arritura në Gjenevë”, tha Rustem Umerov, kreu i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës, pas një takimi më 30 nëntor me zyrtarë të lartë amerikanë në Florida.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i përshkroi këto bisedime si “shumë produktive”, por tha se nevojitet punë shtesë për të finalizuar një plan për përfundimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Propozimi fillestar i SHBA-së për paqen, me 28 pika dhe i publikuar javën e kaluar, shqetësoi zyrtarët ukrainas dhe, sipas raporteve, zemëroi edhe presidentin Volodymyr Zelensky.

Ai më pas zhvilloi bisedime të veçanta me sekretarin Rubio dhe zyrtarë të tjerë amerikanë në Gjenevë.

Këto bisedime çuan në një plan të ri me 19 pika, i cili lë disa çështje të rëndësishme të pazgjidhura, përfshirë fatin e një pjese të rajonit të Donbasit, aspiratat e Ukrainës për anëtarësim në NATO dhe një kufizim të mundshëm të madhësisë së forcave të armatosura të Kievit.

Radio Evropa e Lirë: Ju, po ashtu, argumentoni se anëtarësimi i Serbisë në NATO do të mund të ishte një përparim strategjik për Ukrainën. Sa realist është ky skenar, duke pasur parasysh politikën e brendshme të Serbisë dhe ndjenjat e forta proruse?

Edward P. Joseph: Kjo do të ishte një presion shtesë mbi Putinin. Sipas mendimit tim, do të ishte e barazvlefshme me fundosjen e “Moskva”-s – anijes luftarake ruse që Ukraina e fundosi me dronë.

Anëtarësimi i Serbisë në NATO do të ishte ekuivalenti ballkanik i fundosjes së “Moskva”-s. Pse? Sepse Serbia është “Moskva” e Rusisë në Ballkan. Serbia është anija luftarake përmes së cilës Rusia projekton ndikimin e saj në të gjithë Ballkanin.

Nëse ajo anije mbytet, ose nëse lundron drejt ujërave të NATO-s, kjo do të ishte një goditje e madhe për Rusinë – edhe për Kinën – sepse si Rusia, ashtu edhe Kina, formalisht dhe metaforikisht, e shohin Serbinë si partneren e tyre strategjike dhe platformën kryesore të ndikimit në Ballkan.

Tani vjen pyetja juaj shumë e vlefshme: pse do ta bënte Serbia këtë, duke pasur gjithë atë simpati për Rusinë? Ka disa arsye – dhe madje një arsye që do ta bënte pothuajse të pamundur për [presidentin serb, Aleksandar] Vuçiq që ta refuzonte një ofertë të tillë nga Trump.

Së pari, Trump është jashtëzakonisht popullor në Serbi dhe është një figurë shumë imponuese. Për Vuçiqin do të ishte shumë e vështirë t’i thoshte: ‘Jo, nuk pranoj’.

Për më tepër, Trump, gjatë mandatit të tij të parë, u përpoq të sillte paqe mes Kosovës dhe Serbisë – pra, kjo nuk do të ishte diçka e re. Ai e njeh rajonin dhe shpesh thotë se ‘ndaloi një luftë mes Serbisë dhe Kosovës’.

Së dyti, Vuçiq është i dobësuar politikisht. Protestat antiqeveritare në Serbi vazhdojnë prej një viti, dhe ai është aq i pasigurt sa nuk guxon të shpallë zgjedhje të reja – gjë të cilën e ka bërë shpesh më parë.

Pranimi i një plani të tillë do ta ndryshonte tërësisht situatën e brendshme politike. Protestat nuk do të ishin më në qendër; vëmendja do të kalonte te ky zhvillim historik.

Sigurisht, shumë prorusë do ta quanin tradhtar. Por, pjesë të mëdha të opozitës do ta mbështesnin, sepse anëtarësimi në NATO nënkupton më shumë reforma, përparim drejt BE-së dhe fund të politikës së ‘dy karrigeve’.

Radio Evropa e Lirë: Por, përtej popullaritetit të Trumpit në Serbi, cilët faktorë strukturorë ose politikë e bëjnë këtë skenar të realizueshëm?

Edward P. Joseph: Është plotësisht e realizueshme, sepse zgjerimi i NATO-s në Ballkan nuk u kushton asgjë Shteteve të Bashkuara. Nuk ka kërcënime në Ballkan që NATO-ja nuk mund t’i trajtojë, ose që nuk mund t’i parandalojë vetëm me praninë e saj. Pra, nuk ka asnjë rrezik për SHBA-në.

Ballkani tashmë është i rrethuar nga vende anëtare të NATO-s. Tri nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë në NATO. Serbia është i vetmi shtet në rajon që thotë se nuk dëshiron të anëtarësohet. Edhe Bosnje e Hercegovina ka dëshirë formale të hyjë në NATO, ndërsa Kosova, sigurisht, e dëshiron shumë anëtarësimin.

Pra, Serbia është e vetmuar në këtë kuptim. Ajo është e rrethuar nga Bullgaria, Rumania, Kroacia, Mali i Zi – të gjitha këto vende në NATO.

Për më tepër, Serbia ka marrëdhënie të mira me NATO-n. Ka pasur takime me [shefin e NATO-s] Mark Rutte dhe [me ish-shefin Jens] Stoltenberg. Serbët, po ashtu, e mbështesin misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR. Ata nuk thonë se ‘KFOR-i është forcë okupimi, duhet të largohet’; përkundrazi, në Beograd shpesh kërkojnë që KFOR-i t’i shtojë trupat.

Serbia ka marrëdhënie të mira edhe me ushtrinë amerikane dhe me komandën e NATO-s. Nëse do t’i pyesje privatisht gjeneralët serbë, shumica do të dëshironin anëtarësimin në NATO, sepse kjo do të fuqizonte industrinë e armëve dhe municioneve në Serbi.

Presidenti Trump, përveç ofrimit të rrugës për anëtarësimin e Serbisë në NATO, do të ofronte një rrugë drejt NATO-s edhe për Kosovën.

Kjo do të nënkuptonte që kryeministri i Kosovës do të duhej të nënshkruante statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe – jo thjesht ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese. Vuçiq e kërkon këtë asociacion prej vitesh dhe do ta fitonte atë.

Radio Evropa e Lirë: Por, janë katër vende të NATO-s që nuk e njohin ende Kosovën – Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja…

Edward P. Joseph: Së pari, në këtë pikë, flasim vetëm për një rrugë drejt anëtarësimit në NATO, kështu që ato nuk kanë nevojë ta njohin Kosovën – asnjë nga katër vendet mosnjohëse nuk ka nevojë ta ndryshojë qëndrimin.

Spanja mund të vazhdojë të mos e njohë Kosovën, nuk ka problem. Gjithçka që kërkohet është që të mos pengohet qasja eventuale e propozuar.

Së dyti, Greqia, sapo kryeministri i Kosovës ta nënshkruajë statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, jam i sigurt se do ta njihte Kosovën, pavarësisht nëse Serbia e pranon ose jo. Pasi Greqia ta njohë Kosovën, do të bëhet më e lehtë për Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën të ecin në po të njëjtën rrugë.

Por, prej tyre nuk kërkohet ta njohin menjëherë Kosovën, vetëm të mos e pengojnë antarësimin në NATO.

Brenda tre vjetësh ndoshta, situata do të jetë krejtësisht ndryshe. Tensionet do të ulen, do të ketë më shumë tregti dhe më shumë marrëdhënie./REL

Mbi 14 mijë aplikime të aprovuara për votim jashtë Kosovës

0

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se nga data 26 nëntor dhe deri më 30 nëntor, përmes platformës elektronike të KQZ-së janë pranuar rreth 24,500 aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosovës, prej të cilave thuhet se janë aprovuar mbi 14,600, ndërkaq janë refuzuar rreth 3,500. Në vlerësim e sipër thuhet se janë edhe rreth 6,400 aplikime.

“Nga numri i përgjithshëm i aplikuesve të aprovuar, pjesa më e madhe janë regjistruar për të votuar përmes postës, mbi 10,500 prej tyre për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga adresat e kutive postare jashtë Kosovës dhe mbi 500 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Ndërkaq, mbi 3,500 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ai ka thënë se procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, nuk është përjashtues.

“Kjo do të thotë se KQZ-ja i informon rregullisht dhe personalisht aplikuesit e refuzuar për arsyet e refuzimit të kërkesës së tyre dhe se do të mund të ri-aplikojnë përmes platformës për regjistrim duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së. Kjo do të mundësohet gjatë kohës sa zgjatë periudha e regjistrimit”, ka deklaruar Elezi.

Afari për regjistrim per votim jashtë venditm përfundon më 6 dhjetor.

isim değiştirme

- mersin escort

isim değiştirme

- mersin escort