Home Blog Page 3530

Qeveria e Kosovës analizon kontratat për kamerat kineze

0

Kontratat për blerjen e dy llojeve të kamerave të sigurisë, të vendosura në institucionet e Kosovës, janë duke u analizuar në aspektin e sigurisë nga Qeveria e Kosovës.

Bëhet fjalë për kontrata, me të cilat janë blerë kamera të kompanive Dahua dhe HikVision – që të dyja kompani kineze, të sanksionuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar më 24 janar se këto lloje kamerash janë të vendosura në disa institucione, përfshirë objektin e Qeverisë së Kosovës dhe atë të Prokurorisë së Shtetit.

Kamera të tilla vërehen edhe në Ministrinë e Tregtisë, atë të Shëndetësisë, në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë dhe në sheshet kryesore në kryeqytet: “Skënderbeu”, “Nëna Terezë” dhe “Zahir Pajaziti”.

Pas këtij raportimi, Qeveria e Kosovës ka thënë se “është interesuar për këtë çështje”.

“Bëhet fjalë për kontrata të trashëguara nga qeveritë e kaluara. Ne do t’i shohim ato dhe do të analizojmë aspektin e sigurisë të produkteve që ato kontrata ofrojnë”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Sipas Departamentit amerikan të Tregtisë, Dahua Technology dhe HikVision gjenden në listën e zezë të ShBA-së qysh nga viti 2019, për shkak të, siç thuhet, ndërlidhjes së tyre me shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë, përkatësisht me represionin që u bën Pekini ujgurëve myslimanë në provincën Ksinjiang.

Në vitin 2010, në Kosovë është miratuar Ligji për Zbatimin e Sanksioneve Ndërkombëtare.

Bazuar në këtë ligj, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim më 23 shkurt të vitit 2021, për t’i zbatuar “sanksionet ekonomike ndërkombëtare ndaj entiteteve dhe personave fizikë, sipas listave të sanksioneve të vendosura nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Kamerat kineze vëzhgojnë edhe shkolla të Kosovës

Përveç në institucionet qendrore, kamerat e markave kineze, Dahua dhe HikVision, janë të përhapura edhe në institucione lokale.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar informacione nëpër komunat e Kosovës për llojet e kamerave të vendosura në objektet e tyre, si dhe në shkollat që administrohen nga komunat.

Institucionet e Kosovës nën vëzhgimin e kamerave kineze

Sipas përgjigjeve që ka marrë deri më tani, kamerat e llojeve Dahua dhe HikVision janë kryesisht të vendosura në shkollat e komunave: Istog, Skenderaj, Prizren, Drenas, Rahovec, Kamenicë, Kaçanik, Dragash, Klinë dhe Gjakovë.

Sa u përket objekteve të komunave, nga informacionet e deritashme, kamerat HikVision janë të instaluara në Komunën e Pejës dhe atë të Kamenicës.

Në dhjetor të vitit 2021, REL-i ka raportuar se Serbia, përmes institucioneve që i ka në Kosovë, ka blerë sistemin e video-mbikëqyrjes së kompanisë kineze Dahua, të dedikuar për shkollat në 12 komuna të Kosovës.

Siç shihet nga dokumentacioni, këto kamera kanë edhe opsionin e njohjes së fytyrës.

Shqetësimet për sigurinë dhe privatësinë nga teknologjia kineze

Sipas Agjencisë për Informim dhe Privatësi në Kosovë, përdorimi i kamerave të sigurisë dhe sistemeve të video-mbikëqyrjes duhet të bëhet me kujdes.

Nga kjo agjenci thonë se “përpunimi i të dhënave biometrike [ku hyn edhe njohja e fytyrës] për qëllime të identifikimit të një personi fizik në mënyrë unike, parimisht është i ndaluar”.

“Lejohet vetëm në raste specifike, pasi të plotësohen kushtet ligjore”, thuhet në deklaratën e agjencisë.

Eksperti i sigurisë kibernetike dhe i privatësisë, Mentor Hoxhaj, thotë se teknologjitë informative nga Kina përfliten edhe për mundësinë e manipulimit me të dhëna.

“Sa u përket pajisjeve të teknologjisë informative, që janë me origjinë nga Kina, tanimë është vërtetuar që shumica prej këtyre pajisjeve kanë ‘back door’ [derë të pasme]. Pra, të gjitha të dhënat që i marrin e përpunojnë, i dërgojnë te prodhuesit”, thotë Hoxhaj.

Lidhur me këtë çështje, REL ka marrë më herët edhe komentin e Departamentit amerikan të Shtetit:

“ShBA-ja po punon me aleatët dhe partnerët në iniciativën për hartimin e parimeve për përdorimin e përgjegjshëm të teknologjisë së mbikëqyrjes nga qeveria, në përputhje me vlerat tona të përbashkëta demokratike dhe respektimin e të drejtave të njeriut”.

Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, ShBA-ja “mbetet e përkushtuar për të promovuar respektimin e të drejtave të njeriut të anëtarëve të grupeve pakicë”.

AGK-ja fton gazetarët dhe mediat ta respektojnë Kodin e Etikës

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar nga gazetarët dhe punëtorët medialë që t’i përmbahen Kodit Etik të Mediave të Shkruara.

Duke marrë shkas nga një raportim joprofesional dhe joetik në disa media sot, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës edhe njëherë u kujton kolegëve gazetarë dhe punëtorëve të tjerë medialë rëndësinë për t’iu përmbajtur Kodit Etik të Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Kodit Etik për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës.

Roli i medias në demokracinë e re të Kosovës është esencial për ofrimin e informatave kredibile dhe të paanshme për qytetarët e vendit, në interes të publikut, thuhet në komunikatën e AGK-së.

Kurti për dialogun me Serbinë: Ne jemi të gatshëm, varet kur na fton Brukseli

0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë konferencës për media ka thënë se është i gatshëm për pjesëmarrje në bisedimet me Serbinë ‘kurdo që i fton Brukseli‘.

Ai tha se janë të përkushtuar për dialog parimor për një marrëveshje që çon në njohje reciproke.

“Sa i përket takimeve të mundshme në Bruksel, ne jemi të përkushtuar për dialog të balancuar, parimor drejt një marrëveshje ligjërisht të obligueshme e cila e ka në qendër njohjen reciproke dhe ne jemi përherë konstruktiv. Varet nga lehtësuesi apo ndërmjetësuesi, Brukseli se kur do të jetë takimi i radhës por gatishmëria jonë nuk do të mungojë asnjëherë”, tha Kurti.

Kurti: Na duhet prokurori aktive që lufton krimet e luftës, krimin e organizuar e korrupsionin

0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në lidhje me konkursin për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

Ai tha se në parim, Kosovës i nevojitet një prokurori aktive, që lufton krimin e organizuar, krimet e luftës e korrupsionin.

“Ajo çka mund të them në parim është se na nevojitet një prokurori aktive, që lufton krimin e organizuar, krimet e luftës, korrupsionin, në mënyrë që shteti i Kosovës të bëhet shtet i së drejtës”, është shprehur Kurti në konferencë për media.

Më tej, Kurti tha se pozita e Kryeprokurorit të Shtetit është pozitë tejet e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës, si shtet i së drejtës.

Kujtojmë se sot ka përfunduar afati për aplikim në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, ku kanë aplikuar gjashtë kandidatë.

Kurti për deputetët që u kompensuan për udhëtimet: Qytetarët kanë të drejtë të indinjohen

0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qytetarët kanë të drejtë të indinjohen me deputetët të cilët u kompensuan për shpenzimet e udhëtimeve për të marrë pjesë në seancat e Kuvendit apo komisioneve parlamentare.

Mirëpo, Kurti u shpreh se është e padrejtë të piketohet ndonjë deputet/e veçanërisht për një vendim të vitit 2011, derisa bëri thirrje Kuvendit ta ndryshojë këtë rregullore.

“Shefja e Grupit Parlamentare të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, tashmë ka dhënë njoftim për këtë çështje, që deputetët tanë të tërhiqen vullnetarisht nga një kompensim i tillë dhe ka kërkuar nga Kuvendi të rishikohet kjo rregullore. Këto pagesa duhet të rregullohen, Kuvendi duhet të ndryshojë rregulloren për kompensimin për deputetët e Kuvendit. E kuptoj indjimin e qytetarëve, por në të një kohën është e padrejtë piketimi i ndonjë deputeti/e të veçantë, për një vendim të vitit 2011. Është detyrë e secilit, si të zgjedhurit e popullit ashtu edhe shërbyesve civil, ta ruajnë kuletën e shtetit. Si Qeveri e kemi bërë këtë, si ulja e pagave për kabinetin qeveritar. Ne kemi ulur shpenzimet, pikërisht atëherë kur janë rritur të ardhurat, si në Doganë, ATK e në investime të huaja. Prandaj besoj që deputetët e zgjedhur duhet të jenë shembull për të gjithë dhe qytetarët me të drejtë presin edhe më shumë edhe më mirë prej tyre”, ka thënë Kurti në konferencë për shtyp.

Gjashtë prokurorë kanë aplikuar për Kryeprokuror

0

Gjashtë prokurorë kanë shfrytëzuar afatin 15 ditor për aplikim për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, ka njoftuar Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Prokurorët që kanë aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit janë:

  • Arben Ismajli, Prokuror në Prokurorinë e Apelit;
  • Armend Hamiti, Prokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës;
  • Blerim Isufaj, Kryeprokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës;
  • Kujtim Munishi, Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës;
  • Lulzim Sulejmani, Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe
  • Shqipdon Fazliu, Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Sa i përket numrit të saktë të prokurorëve që kanë aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit duhet pritur aplikacionet e tjera eventuale, të cilat mund të pranohen përmes Postës”, ka njoftuar KPK-ja.

Deputetët kompensohen katër herë për punën që e kryejnë, kërkohet shfuqizimi i benefiteve

0

Mëditjet për pjesëmarrje në seanca e komisione parlamentare, kompensimi për derivate, shujta ushqimore e mbushje telefonike – të gjitha krahas pagës së deputetit – po shihen si benefite jonormale përderisa Kuvendi s’përmbush agjendën legjislative, nga monitoruesi i punës së Kuvendit, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Në një deklaratë për KosovaPress, Cakolli ka thënë se Kryesia e Kuvendit duhet të shfuqizojë vendimin për përfitimet e parlamentarëve qysh në mbledhjen e ardhshme.

“Qysh në mbledhjen e parë të Kryesisë së Kuvendit, kurdo që e njëjta do të mbahet gjatë javës së ardhshme, të merret vendimi për të shfuqizuar vendimin e vitit 2011 që përcakton këto beneficione. Nëse veçse ka interes që të vazhdohet me subvencionim të tyre të paktën të ketë mekanizma më të rreptë të kontrollit. Ajo çka kemi parë, deputetët edhe mund të vijnë në seancë dhe të nënshkruhen, por pastaj dalin. Ata në këtë formë përveçse marrin mëditje për pjesëmarrje, ata kompensohen edhe për transportin dhe shpenzime të tjera që mund të kenë gjatë ditës”, ka thënë ai.

Ai e ka parë joserioz edhe qëndrimin e Grupit Parlamentar të Lëvizës Vetëvendosje se tani e tutje do të tërhiqen nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit. Cakolli thotë se po të kishte pasur interes që këto mjete financiare të kthehen, nuk do të ishin marrë fare.

“Po të kishte pasur interes që të kthehen këto mjete që janë marrë nga ana e deputetëve, nuk ishin marrë në radhë të parë fare. Duke marrë parasysh performancën e Kuvendit në ushtrimin e funksionit të tij dhe duke përfshirë një pjesë të madhe të deputetëve që ishin pjesë e këtyre listave të pagesave, ato janë krejtësisht të paarsyeshme. Pasi nga qindra, mijëra euro që kanë marrë deputetët për të kompensuar derivatet e tyre, nuk është përkthyer në punë në Kuvend. Shumica e pikave të rendit të ditës, qofshin më mbledhje të Kuvendit apo komisione parlamentare kanë dështuar pikërisht në mungesë të kuorumit. Zakonisht ka pasur një numër të madh të deputetëve, duke përfshirë edhe ata që ishin pjesë e këtyre listave që nuk kanë marrë fare pjesë në seanca. Kjo përbën përveç papërgjegjësisë edhe keqpërdorim të parasë publike. Nuk është normale që dikush të paguhet aq shumë dhe mjete t’i dedikohen për të kryer një punë që është i obliguar edhe në bazë të Kushtetutës. Po të kishim mbase një performancë më të mirë të deputetëve nuk do të ishte aq problematike kjo çështje. Por kur shihet se Kuvendi çalon si në përmbushje të agjendës legjislative, nuk ka mbikëqyrje efektive parlamentare dhe gjitha të tjerat dhe krahasohen me shpenzimet që deputetët i kushtojnë buxhetit të vetit, atëherë kjo e bënë situatën të papranueshme”, ka thënë ai.

Sipas tij, duhet adresuar masa disiplinore për të gjithë deputetët që kanë inskenuar vendbanime për të shfrytëzuar të drejtën e kompensimit të derivateve. Zgjidhja ideale për çështjen e benefiteve të deputetëve është përmes ndryshimit të rregullores, ka thënë ai.

Cakolli ka thënë se duke përllogaritur pagën bazë dhe benefitet tjera, një deputet fiton në muaj sa dhjetëfishin e pagës mesatare në Kosovë.

Zyrtare: Gastronomia punon deri në ora 23:00, ora policore në ora 00:00

0

Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja anti-COVID.

Orari i lëvizjes do të jetë deri në orën 00:00.

Maskat janë obligative vetëm në ambientet e mbyllura.

Gjithashtu hyrja në Kosovë do të lejohet me dy vaksina.

Orari i punës së gastronomisë do të jetë deri në orën 23:00. Do të lejohet hapja e fitneseve.

Njoftim për turistët që vizitojnë Brezovicën

0

Njoftim për të gjithë turistët që vizitojnë qendrën e skijimit në Brezovicë.

“Me rastin e mbushjes së parkingut në qendrën e skijimit që do të ndërpritet qarkullimi drejt qendrës së skijimit në Breazovicë.

Ne kemi organizuar autobusë trans BEKA që do të çojnë turistet nga fshati Brezovicë drejt qendrës së skijimit.

Latifi: Zbutja e masave në përputhje me gjendjen epidemiologjike

0

Zëvendëskryeministrja e Kosovës për Çështje të Pakicave dhe Drejta e Njeriut, Emilija Rexhepi, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi kanë takuar kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi. Ministri Latifi nga aty tha se zbutja e masave antiCOVID, të cilat pritet të miratohen sot janë konform gjendjes epidemilogjike në vend.

Zëvendëskryeministrja, Rexhepi pas këtij takimi tha se si Qeveri janë të pa diskriminuar karshi komuniteteve.

Ajo u shpreh e kënaqur me ofrimin e shërbimeve për pakicat në komunën e Podujevës.

“Si pjesë e Qeverisë jemi të pa diskriminuar për komunitetet, e shohim situatën në terren dhe gjendjen aktuale dhe me intervenuar urgjent edhe në komunën e Podujevës nuk kemi parë diskriminim për shërbimet e komuniteteve”, tha ajo, transmeton KP.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi u shpreh i lumtur që tashmë në këtë komunë shumica janë vaksinuar dhe gjatë këtij viti nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes si pasojë e infektimit me COVID.

Latifi përsëriti se sot Qeveria do miratoj lehtësimin e masave anti-COVID, për të cilat tha se janë konform gjendjes pandemike në vend.

Ministri i Shëndetësisë në këtë takim me të parin e Podujevës u shpreh se kanë diskutuar edhe rreth ndërtimit të Spitalit të Podujevës.

“Sot sipas të gjitha gjasave do t’i zbusim masat qe janë konform gjendjes epidemiologjike në Kosovë. Ne biseduam edhe për disa projekte të tjera siç është spitali i Podujevës dhe fillimin në faza të ndryshme të punës por edhe fillimi i ofrimit të shërbimeve specialistike të ndryshme prej kirurgjisë, dializës e të tjera”, tha ai.

I pyetur se pse u pendua dhe lehtësoi masën për hyrje në Kosovë, e cila ishte me tri doza të vaksinës, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi tha se kurrë nuk janë kërkuar domosdoshmërisht tri dozat e vaksinës për të hyrë në Kosovë.

“Kurrë nuk janë kërkuar tri vaksina, me tri vaksina ke pasur lehtësira të mëdha vetëm ke hyrë drejtpërdrejtë nëse ke pasur dy vaksina është dashur me pas testin iu lutem lexoni më mirë herën tjetër”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se rreth 70 përqind e banorëve të komunitetit shqiptar në këtë komunë janë vaksinuar me dy dozat e vaksinës antiCOVID.

Ndërsa, shtoi se rreth 80 përqind e komunitetit RAE tashmë janë imunizuar karshi COVID-19.

isim değiştirme

- mersin escort

isim değiştirme

- mersin escort