Home Blog Page 27

Dogana ndaloi rreth 900 artikuj të padeklaruar në Vërmicë

0

Dogana e Kosovës ka njoftuar se në pikën kufitare në Vërmicë, gjatë kontrollit të detajuar të një automjeti, zyrtarët doganorë kanë zbuluar një sasi të konsiderueshme mallrash të padeklaruara, të cilat ishin të vendosura në pako të ndryshme, në bagazh dhe në ulëset e pasme të veturës.

“Mallrat përfshinin çanta krahu për femra dhe pantallona për meshkuj, rreth 900 copë gjithsej, për të cilat pala nuk kishte paraqitur faturë apo ndonjë dokument tjetër përcjellës. Ndaj palës është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore sipas KDAK-së, ndërsa malli është ndaluar deri në përfundimin e procedurave përkatëse” – thuhet në njoftim.

Dogana e Kosovës thekson tutje se vazhdon me përkushtim zbatimin e ligjit dhe kryerjen e kontrolleve në pikat kufitare, me qëllim të parandalimit të kontrabandës dhe mbrojtjes së interesave ekonomike të vendit.

Në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren u mbajt tryezë diskutimi për qasjen në drejtësi të viktimave të dhunës në familje

0

Policia e Kosovës njofton se Drejtoria për Parandalimin dhe Hetimin e Dhunës në Familje, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, ka organizuar një tryezë diskutimi në kuadër të fushatës globale “16 ditë të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, me temën“Qasja në drejtësi për viktimat e dhunës në familje, me fokus në aspektet e sigurisë”.

Sipas policisë, ky aktivitet ka mbledhur përfaqësues të institucioneve kyçe të zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së viktimave, përfshirë Prokurorinë e Shtetit, Zyrën për Mbrojtjen e Viktimave, qendrat për punë sociale, gjykatat, strehimoret, mekanizmat lokalë koordinues si dhe organizata të shoqërisë civile.

“Tryeza ka mundësuar një diskutim të hapur dhe shkëmbim të përvojave profesionale ndërmjet institucioneve relevante lidhur me trajtimin e rasteve të dhunës në familje, zbatimin e masave mbrojtëse dhe forcimin e qasjes në drejtësi për viktimat. Diskutimet kontribuuan në thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe forcimin e mekanizmave të koordinimit me komunitetin, me synim adresimin sa më efektiv të rasteve të dhunës në familje. Një theks i veçantë iu kushtua garantimit të sigurisë së viktimave, përmes monitorimit elektronik të urdhrave mbrojtës dhe zbatimit të Procedurave Standarde Operative të Policisë që lidhen me reagimin, vlerësimin dhe menaxhimin e rasteve” – thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës riafirmoi përkushtimin e saj për garantimin e një reagimi profesional, të koordinuar dhe të orientuar kah viktimat.

“Përmes trajnimeve të vazhdueshme, ngritjes së kapaciteteve dhe bashkëpunimit të ngushtë me të gjitha institucionet partnere, Policia e Kosovës mbetet e vendosur të luftojë dhunën në familje dhe të sigurojë mbrojtjen dhe sigurinë e çdo qytetari. Policia e Kosovës falënderon OSBE-në për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe të gjitha institucionet pjesëmarrëse për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre të çmuar” – shkruan tutje në njoftimin e policisë.

Duke theksuar se dhuna në familje është e papranueshme dhe përbën vepër penale, Policia e Kosovës iu ka bërë thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast të dhunës, duke siguruar se çdo raportim trajtohet me profesionalizëm, konfidencialitet dhe seriozitet të lartë, me qëllim mbrojtjen e menjëhershme të viktimave dhe parandalimin e çdo forme të dhunës.

Kurti mori pjesë në Konferencën e 10-të të Mjedrës në Kosovë, theksoi prioritetet për sektorin e frutave të imëta

0

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Konferencën e 10-të të Mjedrës në Kosovë, organizuar nga Shoqata “Mjedra e Kosovës”.

Duke e quajtur këtë si një vit jubilar e të merituar që përmbledh një dekadë pune, durimi dhe inovacioni, kryeministri Kurti tha se këtë vit kemi mbi 350 pjesëmarrës: fermerë, institucione, partnerë e kompani eksportuese dhe kjo sallë tregon qartë se frutat e imëta s’janë kulturë e vogël, por një sektor i madh me ambicie, ndikim dhe shifra.

Zyra e Kryeministrit njofton se pjesë e kësaj konference këtë vit, janë edhe rreth 30 fermerë nga Shqipëria, të cilët kanë nisur të kultivojnë mjedrën sipas modelit të Kosovës – një model i konsoliduar nga Shoqata “Mjedra e Kosovës”, me mbështetje profesionale në këshillim, organizim të sektorit dhe ngritjen e standardeve prodhuese.

Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se “Kosova është një histori suksesi, që po forcohet nga viti në vit: një vend më i sigurt në Evropë, me institucione që profesionalizohen, me sundim të ligjit në rritje dhe me financa publike të shëndosha dhe kjo performancë nuk është rastësi, është rezultat i reformave të qëndrueshme, bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe përfshirje reale të të gjitha komuniteteve”.

“Sot, Kosova shfaqet si partner i besueshëm euroatlantik, i përafruar me politikat e aleatëve, me rritje ekonomike solide, bankë qendrore moderne, sistem financiar të kapitalizuar mirë dhe me paqe e siguri, e cila është përmbajtësore”, tha kryeministri, duke shtuar se “kjo klimë stabiliteti, transparence dhe parashikueshmërie, është arsyeja pse sektori i frutave të imëta, mjedra, dredhëza e boronica, po gjen tregje të reja, çmime më të qëndrueshme dhe kontrata afatgjata, duke e kthyer suksesin demokratik e ekonomik të vendit, në të ardhura të prekshme për familjet tona rurale”.

Më tej, ai theksoi se është ngritur një zinxhir i plotë për frutat e imëta: nga pemishtet te qendrat grumbulluese, përpunues e eksportues gjithandej, të cilët e kanë shndërruar bashkëpunimin në avantazhin tonë më të madh konkurrues. Në këtë drejtim, theksoi faktin se aktualisht, në gjithë vendin kultivohen rreth 1,000 hektarë me mjedra dhe rreth 180 hektarë me boronica, një bazë e fortë, që e kemi rritur vit pas viti.

Kryeministri theksoi prioritetet dhe politikat në lidhje me sektorin duke veçuar financimin e mençur për prodhim e përpunim, qasjen në treg dhe standardizimin e certifikimin.

“Teksa festojmë edicionin e 10-të, dua të falënderoj çdo fermer që zgjohet para agimit, çdo punëtor që mbush arkën me kujdes, çdo teknik që mban në formë frigoriferët, çdo partner që hap dyer të reja tregjeve. Faleminderit shoqatës për punën e palodhur, partnerëve zhvillimorë për mbështetjen e vazhdueshme dhe institucioneve tona për bashkërendim të përgjithshëm. Dhe, sigurisht, një premtim i thjeshtë nga Qeveria: do të jemi partner – jo spektator. Do të jemi lehtësues – jo pengues. Do të jemi garanci që fruti i punës suaj të marrë vlerën që meriton në treg.” tha drejt fundit të fjalës së tij kryeministri.

VV-ja ankohet në Supreme për qendrat alternative të votimit në diasporë

0

Lëvizja Vetëvendosje është ankuar në Gjykatën Supreme për vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), që ditë më parë ka miratuar ankesën e LDK-së kundër hapjes së qendrave alternative të votimit në diasporë.

Sipas VV-së, për të pamundësuar shkeljen flagrante të ushtrimit të së drejtës së votës, e në qëllim të kthimit të ligjshmërisë, kjo parti ka kërkuar nga Gjykata Supreme të anulojë vendimin e PZAP-së të datës 1 dhjetor dhe të kthejë në fuqi vendimin e KQZ-së të datës 26 nëntor.

“Me datën 26 nëntor 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë Vendimin mbi qendrat e votimit jashtë Kosovës, numrit të vendvotimeve dhe listën e qendrave të votimit (“Vendimi”)”, thuhet në ankesë.

Sipas LVV-së, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, parasheh votimin e shtetasve të Republikës së Kosovës jashtë vendit, konkretisht parasheh disa mënyra votimi për shtetasit e Kosovës jashtë vendit, si vijon: “Votimi jashtë Kosovës organizohet nga KQZ-ja dhe votuesit mund të votojnë duke u përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit, në momentin e regjistrimit përmes platformës së KQZ-së: 3.1. fizikisht, në përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës apo hapësira të tyre, të cilat shndërrohen në qendra të votimit sipas kritereve të përcaktuara nga KQZ-ja për adaptimin në qendra të votimit. Kjo mënyrë votimi nuk aplikohet në zgjedhje lokale; 3.2. duke dërguar fletëvotimet përmes kutisë postare të KQZ-së, në postën e Kosovës; 3.3. duke dërguar fletëvotimet përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ-ja përmes dhe me lehtësimin e përfaqësive diplomatike, jashtë Kosovës”, shkruan në ankesë.

Pra, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme parasheh votimin jashtë Kosovës në përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës apo hapësira të tyre.

“Më tutje, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme definon përfaqësi diplomatike si: ambasadë, konsullatë, mision diplomatik dhe mision konsullor, që përfaqëson Republikën e Kosovës në një diplomatike. Analogjia e qendrave të votimit brenda vendit vlen edhe për hapësirat e votimit jashtë vendit. Specifikat e qendrave të votimit duhet të vlerësohen e vendosen nga KQZ në raport me mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe në funksion të përmbushjes së përgjegjësisë së KQZ-së si institucion për administrimin e zgjedhjeve për të pjesëmarrje në zgjedhje të votuesve me të drejtë vote”, thuhet në ankesë.

Duke shtuar se Ligji për Zgjedhje jo që nuk e ndalon, përkundrazi krijon bazë të mjaftueshme për KQZ-në për të krijuar hapësira që garantojnë qasje për votuesit. /rtk==

Muja i konsideron “propagandë të ndytë” akuzat e opozitës për importin e rrymës nga Serbia

0

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se pretendimet e opozitës se u importua rrymë nga Serbia edhe më 28 nëntor janë propagandë e ndytë, duke shtuar se importi nga ky vend është minimal dhe nuk ka ndikim në furnizimin e vendit.

Në një konferencë për media të mërkurën, Muja u shpreh se importi nga Serbia përbën më pak se 1% të energjisë totale, ndërsa pjesa tjetër e importit vjen nga Sllovenia, Shqipëria, Maqedonia dhe Danimarka.

Ai u shpreh se pretendimet e opozitës për sektorin e energjisë elektrike janë të përsëritura që nga koha kur VV-ja ka ardhur në pushtet dhe nuk pasqyrojnë realitetin.

Muja gjithashtu ka sqaruar çështjen e lidhjes së VV-së me kompaninë NOA Energy. Ai theksoi se askush nga VV-ja nuk ka pasur lidhje me NOA-n, e cila sipas tij, ka hyrë në Kosovë përmes KOSTT-it që nga viti 2017.

Kontratat e para me Vuk Hamoviqin, sipas Mujës, janë nënshkruar nga zyrtarë që nuk kanë lidhje me VV-në, përfshirë edhe periudhën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

“Më 15 janar 2018 u nënshkrua kontrata ndërmjet NOA Energy dhe KOST-it, përfaqësuar nga Kadri Kadriu. Më 9 maj 2019 u nënshkrua kontrata ndërmjet KEK dhe NOA, nënshkruar nga Gentian Skendersula dhe Njazi Thaçi. Kjo kontratë skadoi e më 11 shtator 2021 kontrata e re u nënshkrua nga Përparim Kabashi, katër ditë para ardhjes së Nagip Krasniqit në krye të KEK”, ka thënë ai.

Muja theksoi se Kabashi ka qenë i deleguar nga LDK-ja, jo nga VV-ja, dhe se të gjitha kontratat kanë për qëllim mbulimin e humbjeve të energjisë në katër komunat e veriut. Ai vlerësoi se kostoja totale e këtyre kontratave arrin në rreth 400 milionë euro, të cilat ish-deputeti i VV-së ka thënë se i ka marrë Vuk Hamoviqi.

Ditëve të fundit, partitë opozitare kanë hedhur akuza ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke pretenduar se kjo e fundit ka importuar energji elektrike në sasi të mëdha, ku përfitues i këtij procesi thuhet se ka qenë Vuk Hamoviq, i biri i ish-shefit të Armatës Jugosllave, Rade Hamoviq.

Vuk Hamoviq, përmes kompanisë së tij EFT, është një prej furnizuesve kryesorë të energjisë elektrike në Ballkan. Më parë, kanë qarkulluar akuza se VV-ja ka importuar rrymë përmes kompanisë NOA, e cila ka lidhje indirekte me EFT-në e Hamoviqit./KOHA

Presidentja Osmani dekoron aktivistët për të drejtat e personave me nevoja të veçanta, në Ditën Botërore të tyre

0

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që t’i dekorojë me Medaljen Presidenciale të Meritave një grup aktivistësh, të cilët me angazhimin e tyre kanë kontribuar për fuqizimin, mbrojtjen e të drejtave dhe përfshirjen dinjitoze të kësaj kategorie në shoqërinë tonë.

Presidenca njofton se të dekoruarit e sivjetshëm janë: Halit Ferizi (post mortem), Agim Vatovci (post mortem), Sabrije Zeqa (post mortem), Merita Voca (post mortem), Mexhid Foniqi (post mortem) dhe Hiljminijeta Apuk.

Sipas Presidencës, këta aktivistë, me avokimin e tyre publik, punën në terren dhe mbrojtjen e vazhdueshme të të drejtave të personave me nevoja të veçanta, kanë ndikuar në rritjen e vetëdijes shoqërore, avancimin e politikave publike dhe gjithpërfshirjen.

“Kontributi i tyre është shembull i përkushtimit qytetar dhe i vlerave, të cilat vazhdimisht i afirmon presidentja Osmani” – thuhet në njoftim.

Medaljet e akorduara do të dorëzohen në ceremoninë e veçantë të ndarjes së dekoratave që do të mbahet në fund të muajit dhjetor 2025.

Presidentja Osmani ka theksuar se shoqëria jonë bëhet më e drejtë dhe më e fortë, nëpërmjet atyre që punojnë çdo ditë për barazi, dinjitet dhe përfshirje dhe se vlerësimi i tyre është një obligim institucional dhe moral.

Çiftet me pronë të përbashkët, nga 105 në 31 mijë prona të regjistruara në emër të të dy bashkëshortëve brenda 10 vitesh

0

Në kuadër të Fushatës Globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, është mbajtur “E drejta e vajzave dhe grave në trashëgimi dhe pronë”, ku u tha se që nga 2016-ta deri më 2025 janë mbi 31 mijë çifte që kanë regjistruar pronën në emër të të dy bashkëshortëve, raportoi Ekonomia Online.

Në këtë konferencë të organizuar nga Ministria e Drejtësisë u tha se një shtet që nuk mbron të drejtën e grave në pronë nuk mund të quhet shtet i së drejtës.

Ushtruesi i Detyrës së Ministrit në detyrë të Drejtësisë, Blerim Sallahu është zotuar se barazia në pronë nuk do të mbetet në letër, por do të jetë politikë publike e ndërtuar mbi ligj.

“Barazia në pronë nuk është kërkesë e ndonjë grupi por interes kombëtar sepse aty ku gratë kanë pronë, aty ka më shumë investime, arsimim dhe siguri. Prona në duart e grave nuk e dobëson familjen por e forcon atë, nuk e copëton shoqërinë por e bashkon atë mbi drejtësinë. Ne si institucione kemi përgjegjësinë e drejtpërdrejtë që çdo proces të jetë transparent dhe pa diskriminim. Të informojmë praktika administrative që shpesh i përjashtojnë gratë në heshtje dhe të ndërtojmë politika që inkurajojnë regjistrimin e përbashkët të pronave në emër të dy bashkëshortëve apo në mënyrë të pavarur në emër të grave. Ky është zotimi ynë: barazia në pronë nuk do të mbetet në letër. Do të jetë politikë publike, e ndërtuar mbi ligj, e mbështetur nga institucione, dhe e mbrojtur me vullnet politik”, ka thënë Sallahu.

Drejtoresha ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia ka thënë se pavarësia financiare u krijon grave hapësira për të jetuar të lira, të sigurta dhe mos t’u kthyer në vendin e dhunës.

“Nuk mund të flasim për shoqëri të barabartë pa siguruar që çdo vajzë dhe grua t’i zotërojë të trashëgojë dhe menaxhojë pronën dhe pasurinë e saj…pavarësia financiare u krijon grave hapësirë për të jetuar të lira, të sigurta me dinjitet dhe për mos u kthyer më në ciklin e dhunës ku e përjetojnë atë. Agjencia për Barazi Gjinore e ka trajtuar përherë me prioritet çështjen e të drejtave pronësore dhe të trashëgimisë e posaçërisht kur jemi bë prag të përvjetorit 10 vjet nga vendosja e masës afirmative për regjistrimin e pronës së përbashkët në emër të bashkëshortëve. Në vitin 2016 kemi 105 prona në tërë Kosovën në emër të dy bashkëshortëve, viti 2025 na gjen me 31 mijë e 124 çifte që kanë regjistruar pronën në emër të dy bashkëshortëve dhe kjo është një hap historik sepse përveç gëzimit të të drejtave jemi duke ndërtuar një kulturë të re sjellje tek gjeneratat e reja ku pronat nuk është privilegj i njërit por e drejta e dy partnerëve të barabartë. Dhe e dinë të gjithë që veç garantimi i të drejtave pronësore dhe trashëgimore apo rritja e pronave në emër të të dy bashkëshortëve nuk mjafton për të arritur barazinë e vërtetë ekonomike shoqërore të grave dhe vajzave. Këto janë themelet mirëpo për të ndërtuar mbi këto themele duhen praktika dhe politika, investime dhe angazhim i vazhdueshëm”, ka theksuar Gusia.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se duhet ende punë për të bërë që shoqëria ta kuptojë se duhet të respektohet e drejta e grave për pronë.

“Të njëjtat probleme dhe të njëjta shqetësime. Kjo përbënë dy aspekte dhe janë të rëndësishme e para situata ka ndryshuar, pro jo mjaftueshëm. Sepse nuk mund të thuhet se nuk ka progres. Nëse e krahasojmë Kosovën me etapa, progresi mund të konsiderohet revolucion në raport të gruas në shoqëri dhe vetë tema për respektimin e të drejtave pronësore të grave. Megjithatë fakti që ne ehe pas 25 vitesh nga përfundimi i luftës ulemi dhe diskutojmë për probleme kaq bazike që lidhen me garantimin dhe respektimin e një të drejte fondamentale, thelbësore për të respektuar dinjitetin e njeriut, tregon se kemi shumë përpara dhe nuk mjafton veç diskutim…”, është shprehur ai./EO

KQZ themelon Komisionin për Kundërshtimin Administrativ, në rastet e refuzimit të aplikimit për regjistrim si votues jashtë Kosovës

0

Komisioni Qendror i Zjgedhjeve ka bërë të ditur se ka themeluar Komisionin për Kundërshtimin Administrativ, ku qytetarët mund të parashtrojnë kundërshtim administrativ, në rast se aplikimi si votues jashtë Kosovës iu është refuzuar.

KQZ njofton se nëse kundërshtimi refuzohet, në këtë rast qytetarët kanë të drejtë të ankohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), brenda 48 orëve nga pranimi i vendimit.

“Nëse aplikimi yt për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës është refuzuar, tani mund të parashtroni kundërshtim administrativ kundër njoftimit të KQZ-së përmes emailit: [email protected]. E nëse edhe kundërshtimi refuzohet, ke të drejtë ankese në PZAP brenda 48 orëve nga pranimi i vendimit” – thuhet në njoftim.

Ngrihet aktakuzë kundër Mogherinit për mashtrim dhe korrupsion

0

Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) njoftoi të mërkurën se ka ngritur aktakuzë kundër ish-shefes së politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, dhe dy personave të tjerë, për mashtrim në prokurime dhe për korrupsion, si dhe për konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional.

Ata u arrestuan të martën si pjesë e një hetimi të BE-së për mashtrim, por u liruan më vonë derisa hetimet të vazhdojnë, tha EPPO-ja, duke shtuar se nuk ka rrezik që ata të ikin.

Mogherini e ka ndërmjetësuar për disa vite dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

EPPO-ja i përshkroi dy të dyshuarit e tjerë, njërin si punonjës të lartë të College of Europe në Bruzh dhe tjetrin si zyrtar të lartë të Komisionit Evropian. Tri burime i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se një nga të ndaluarit ishte diplomati i lartë i BE-së, Stefano Sannino.

“Të gjitha personat konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia të provohet nga gjykatat kompetente belge”, shtoi EPPO.

Ata u arrestuan pas bastisjeve në shërbimin diplomatik të BE-së në Bruksel, në College of Europe – një universitet elitar në Bruzh që arsimon shumë zyrtarë të BE-së – si dhe në shtëpitë e të dyshuarve.

Mogherini ka qenë përfaqësuese e lartë e BE-së për politikën e jashtme dhe të sigurisë dhe drejtore e shërbimit diplomatik nga 2014 deri në 2019. Ajo u bë rektore e College of Europe në vitin 2020.

Mogherini ishte përfaqësuese e lartë për punët e jashtme nga viti 2014 deri në vitin 2019. Ajo u emërua drejtoreshë e kolegjit pasuniversitar College of Europe më 2020.

Sipas EPPO-s, hetimi lidhet me “dyshime për mashtrim që ka të bëjë me trajnime të financuara nga BE për diplomatë të rinj”.

Mogherini dhe Sannino, që të dy shtetas italianë, janë figura të njohura në qarqet diplomatike të Brukselit, dhe lajmi i për arrestimin e tyre shkaktoi tronditje në komunitetin e BE-së të martën./Sinjali

Maqedonci takoi homologun nga Bosnja dhe Hercegovina, diskutuan mundësitë për bashkëpunim ushtarak

0

Në kuadër të ministerialit SHBA – Karta e Adriatikut (A5), ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zhvilloi takim bilateral me ministrin e Mbrojtjes së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zukan Helez.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë takimit, të dy ministrat shprehën gatishmërinë për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive dhe ushtrive.

“Bashkëpunimi rajonal mbetet një komponent thelbësor për garantimin e një mjedisi të sigurt, të qëndrueshëm për mirëqenien e qytetarëve dhe të vendit” – thuhet në njoftim.

isim değiştirme

- mersin escort

isim değiştirme

- mersin escort