Home Blog Page 13

Projekti rreth 1.9 milion euro, vendoset gurthemeli për renovimin e stadiumit të Podujevës

0

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, mori pjesë në vënien e gurthemelit për ndërtimin e tribunave të lindjes në Stadiumin “Zahir Pajaziti”.

Investimi në vlerë prej afër 2 milionë euro, përfshin përveçse tribunën e lindjes dhe ulëse të reja, përfshin mbulim të tribunave perëndimore, veriore dhe jugore, si dhe ndriçim të plotë të fushës, duke mundësuar kështu zhvillimin e ndeshjeve edhe në mbrëmje.

Kryeministri Kurti tha në prononcimin e tij se Klubi Futbollistik “Llapi” ka një traditë të gjatë, është themeluar në vitin 1932, dhe nga këtu kanë dalë edhe yje të futbollit, në mesin e tyre Fadil Vokrri dhe Fevzi Rama.

“Prandaj, përveç që e kemi obligim, besoj që është tejet e dobishme sepse investimi në sport, e posaçërisht në futboll në këtë stadium këtu në Podujevë do të inkurajojë, do të zbulojë, e do të ushqejë talente të reja, të cilët në vitet në vijim natyrisht se do ta ngrisin lartë e më lartë futbollin e vendit tonë dhe të sportit në përgjithësi”, tha ai.

Gjithashtu theksoi se këto investime do ta shndërrojnë Stadiumin “Zahir Pajaziti” në stadium sipas kritereve të UEFA-s, e që natyrisht do të jetë një shtysë më shumë për suksese edhe më të mëdha.

Kryeministri Kurti priti në takim studentët përfitues të skemave të bursave

0

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministrin në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pritën sot në Qeveri studentë përfitues të skemave të ndryshme të bursave, përfshirë bursat për studime jashtë vendit në nivelet Bachelor, Master dhe Doktoratë, si dhe përfituesit e bursave të komuniteteve.

Zyra e Kryeministrit njofton se gjatë takimit, Kurti uroi studentët për suksesin e arritur dhe nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së të rinjve që synojnë shkollimin në institucionet më prestigjioze ndërkombëtare.

Ai theksoi se investimi në arsim cilësor mbetet një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë, duke shprehur besimin se këta të rinj do të jenë kontribues të rëndësishëm në zhvillimin profesional dhe shoqëror të vendit pas përfundimit të studimeve.

Ministrja Nagavci vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e studentëve fitues të bursave, duke theksuar se skemat mbështetëse për studentët përfaqësojnë investim të drejtpërdrejtë në kapitalin njerëzor të Kosovës.

Në vijim rikujtoi se gjatë pesë viteve të fundit MAShTI ka zgjeruar ndjeshëm skemat e bursave, si për studentët brenda vendit ashtu edhe për ata që studiojnë jashtë dhe theksoi përkushtimin për të vazhduar punën drejt rritjes së cilësisë në arsim dhe zgjerimit të mundësive për studentët.

Studentët përfitues shprehën mirënjohjen për mbështetjen e ofruar dhe vlerësuan mundësinë për të ndjekur studimet në universitete brenda dhe jashtë vendit. Ata theksuan se do t’i vënë njohuritë e fituara në shërbim të avancimit të Kosovës.

Qeveria e Kosovës dhe MAShTI rikonfirmuan përkushtimin për të vazhduar politikat mbështetëse që u mundësojnë të rinjve të vendit të përfitojnë nga arsimi cilësor në vend dhe jashtë tij, si dhe të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejmë të shtetit.

Ekstradohet nga Gjermania kosovari që po kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar

0

Policia e Kosovës ka njoftuar se është bërë ekstradimi i një shtetasi kosovar nga Gjermania në Kosovë i cili po kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar. Ai i ishte shmangur drejtësisë në Kosovë për vuajtjen e dënimit prej një viti burgim.

“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor ILECU, në bashkëpunim me institucionet e drejtësisë dhe njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës, me datën 10.12.2025  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Gjermania për në Kosovë. I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet gjermane, pasi që i njëjti kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për vuajtjen e dënimit prej një (1) viti burgim dhe se i njëjti i ishte shmangur drejtësisë. Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit në mes të institucioneve të R. së Kosovës dhe atyre gjermane”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës

I dyshuari pas ekstradimit, u është dorëzuar njësiteve përkatëse të policisë rajoni i Pejës për vazhdim me procedurat tjera ligjore.

Parisi kundër heqjes së masave ndaj Kosovës meqë të tjerët po bllokojnë që Beogradi t’i hapë kapitujt e anëtarësimit

0

Pavarësisht se në Kosovë pati një kalim paqësor të pushtetit në katër komunat veriore me shumicë serbe më 5 dhjetor, vendet anëtare të Bashkimit Evropian duket se nuk janë në të njëjtën linjë për t’ia hequr masat ndëshkuese. Që një kohë, figura të rëndësishme shtetërore në Kosovë, nisur nga presidentja, e konsiderojnë vazhdimin e masave plotësisht të padrejtë. Por, a do të mund të bënte Kosova më shumë?

Kur Bashkimi Evropian (BE) vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në verën e vitit 2023, si pasojë e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, ato u përshkruan si të përkohshme, ndërsa kushtet për heqjen e tyre qenë të qarta.

Zyrtarët në Kosovë ngulmojnë se kërkesat e BE-së për largimin e masave që e dëmtuan vendin në vlera milionëshe janë plotësuar: situata në veri është shtensionuar, prania e Policisë afër objekteve komunale në veri është zvogëluar, serbët kanë marrë pjesë në zgjedhjet e mbajtura sivjet, dhe kalimi paqësor i pushtetit në komunat me shumicë serbe është realizuar.

Por, ditëve të fundit u raportua në mediat e Kosovës, bazuar në burime brenda BE-së, se vende si Franca dhe Italia, të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia, nuk kanë vullnet për heqjen e sanksioneve.

Rikard Jozwiak, redaktor për Evropën i Radios Evropa e Lirë (REL), në Pragë, thotë se është e vërtetë që për çështjen e moslargimit të të gjitha masave kundër Kosovës është diskutuar në Bruksel këtë javë, dhe që Franca e Italia janë mbështetëse të idesë që të largohen vetëm 50 për qind e tyre.

Sipas tij, Parisi insiston në këtë qëndrim meqë kërkon që Beogradi t’i hapë kapitujt për anëtarësim në BE, dhe është i zemëruar pse të tjerët po e bllokojnë procesin.

“Ekziston edhe një argument i përgjithshëm se Brukseli nuk mund t’ia japë këtë ‘dhuratë’ [kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin] Kurti para zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Nëse ky është një argument i vlefshëm apo jo, është vënë në pikëpyetje nga të tjerët, pasi partia kryesore e opozitës [Partia Demokratike e Kosovës] i dërgoi një letër [shefes së BE-së, Ursula] Von der Leyen së voni, duke kërkuar heqjen e plotë [të masave] menjëherë. Pra, nuk perceptohet si dhuratë për Kurtin nga askush, përveç një numri të vogël shtetesh të BE-së”, thotë Jozwiak.

Një zëdhënëse e Bashkimit Evropian i tha REL-it se blloku evropian synon vazhdimin e heqjes së masave, proces që ka nisur pjesërisht në maj të këtij viti.

Sipas saj, Brukseli është i gatshëm të punojë me autoritetet e Kosovës, sapo të zgjidhen ato, dhe blloku pret nga Kosova të rikthehet në rrugën e reformave të nevojshme që lidhen me BE-në.

Por, për Qeverinë në detyrë të Kosovës, zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk kanë asnjë lidhje me masat.

“Çdo zvarritje tjetër vetëm sa e thellon absurditetin e masave, dhe e cenon kredibilitetin e BE-së. Qëndrimi ynë është që masat duhet të hiqen menjëherë dhe plotësisht”, thotë Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, në disa përgjigje me shkrim për REL-in.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh, në një takim këtë javë me raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, se vazhdimi i masave ndëshkuese mbetet “i pashpjegueshëm, i padrejtë dhe i paarsyeshëm”.

Terras, po ashtu, tha se masat duhet hequr menjëherë.

A mund të bënte Kosova më shumë?

Duke e përshkruar vazhdimin e masave të BE-së si absurditet total, Besar Gërgi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) thotë se Kosova ka humbur shumë kohë këtë vit, në mungesë të institucioneve të reja, dhe se do të mund të punonte më shumë për heqjen e masave.

Gërgi beson që formimi i institucioneve të reja është parakusht për heqjen e masave, ndërsa komunikimi me palët që hezitojnë duhet të jetë prioritet. Sipas tij, politika, sidomos në ditët e sotme, nuk bëhet në bazë të konsideratave morale, por bëhet vetëm për interesa politike.

“Qeveria e re duhet të punojë aktivisht me aleatët, gjatë këtij viti nuk ka pasur shumë komunikim fatkeqësisht, fokusi ka qenë në krijimin e numrave, dhe kjo ka krijuar ngecje në politikën e jashtme të Kosovës. Prandaj, nëse flasim për një Qeveri funksionale, ky është minimumi jetik”, thotë ai për REL-in, duke përmendur edhe nevojën e miratimit të marrëveshjeve me BE-në, siç është Plani i Rritjes, në momentin e parë të mundshëm.

Sipas tij, koha është humbur edhe duke mos u marrë me aspektin teknik të integrimit evropian. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE më 2022, por kërkesa e saj nuk është shqyrtuar kurrë, duke e lënë vendin të vetmin në Ballkanin Perëndimor pa statusin e kandidatit për anëtarësim në bllok.

Gërgi beson se, përveç mungesës së komunikimit, në rritjen e shkallës së hezitimit te disa vende ka ndikuar edhe votimi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kundër pjesëmarrjes së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, në garën parlamentare.

Sa është dëmtuar Kosova nga masat?

Sipas një analize të Institutit për Studime të Avancuara – GAP, masat e BE-së i kanë kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra për afat të pacaktuar. Për shkak të kalimit të afateve, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht.

Sektorët më të prekur përfshijnë mjedisin, me 350 milionë euro, energjinë me 114 milionë euro, digjitalizimin me rreth 57 milionë euro, dhe kulturën me 15 milionë euro.

Prej këtyre fondeve, rreth 218 milionë euro kanë qenë për projekte në kuadër të Instrumentit para-anëtarësimit (IPA II dhe IPA III), dhe rreth 395 milionë euro për projekte në kuadër të Kornizës për Investime të Bashkimit Evropian për rajonin e Ballkanit Perëndimor (WBIF)./REL

Haradinaj: Japonia mbetet partner strategjik dhe i rëndësishëm për Kosovën

0

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka takuar të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Japnisë, Hiroyasu Tanigaki, me të cilin njofton se ka biseduar për situatën aktuale në vend, për zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Japonisë në fusha të ndryshme.

Ai shton se gjatë këtij takimi, Tanigaki i ka shprehur mirënjohje për përkrahjen që Japonia i ka dhënë Kosovës në çdo fazë të shtetndërtimit.

“Japonia, si një krah i fuqishëm dhe i gjithanshëm në rrafshin ekonomik e politik, mbetet partner strategjik dhe i rëndësishëm për Kosovën” – shkruan ndër tjerash Haradinaj.

Kamioni godet për vdekje një këmbësore në Prizren

0

Një këmbësore është goditur për vdekje këtë të enjte në Prizren.

Viktima është goditur nga një kamion ku si pasojë e plagëve të marra e njëjta ka ndërruar jetë, njofton Dukagjini.

Rastin për Dukagjinin e ka konfirmuar Drejtori Rajonal i Policisë në Prizren, Faton Alija.

“Rreth orës 13:00 një aksident ka ndodhur në afërsi të KEDS-it në Prizren. Në aksident janëë përfshirë një kamion dhe një këmbësore – për pasojë kombësorja femër ka vdekur nga lëndimet e marra”, tha Alija për Dukagjinin.

Shoferi i kamionit është ndalur nga Policia teksa hetimet dhe veprimet tjera për këtë aksident janë duke vazhduar.

Ulutash në Beograd: Komunikimet e rregullta me ushtrinë serbe, thelbësore për parandalimin e tensioneve

0

Ozkan Ulutash, komandant i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ka theksuar rëndësinë e komunikimit të rregullt dhe të hapur me Forcat e Armatosura të Serbisë për të adresuar zhvillimet e rëndësishme dhe për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm për eskalim.

Në një deklaratë për media gjatë vizitës së tij në Beograd, Ulutash falënderoi autoritetet serbe për mikpritjen dhe veçanërisht gjeneralin Mojsiloviq, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, me të cilin thotë se ka zhvilluar bashkëpunim të frytshëm gjatë mandatit të tij të parë në krye të KFOR-it.

“Komunikimet e rregullta dhe të hapura midis KFOR-it dhe Forave të Armatosura të Serbisë janë thelbësore për të adresuar zhvillimet relevante dhe për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm për eskalim, në mënyrë të drejtëpërdrejtë, transparente dhe konstruktive”, ka thënë Ulutash.

Ai theksoi se për më shumë se 25 vjet, KFOR-i ka luajtur rol kyç në ruajtjen e paqes dhe sigurimin e një mjedisi të qetë për të gjithë banorët e Kosovës, duke zbatuar mandatin e OKB-së sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999.

Ulutash theksoi gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, duke përfshirë patrullimet, angazhimin me komunitetet lokale, mbështetjen e programeve të rindërtimit dhe sigurinë në Manastirin e Deçanit.

Komandanti i KFOR-it nënvizoi se sigurimi i një ambienti të sigurt është parakusht për dialogun politik dhe se NATO, përmes punës së përditshme të KFOR-it, vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës.

“Si komandant i KFOR-it, nuk do të kursej përpjekje për t’u siguruar që misioni ynë të mbetet një kontribues i rëndësishëm jo vetëm për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë, por edhe për stabilitetin në rajon”, u shpreh Ulutash.

U.d. kryeprokurori i Shtetit, Qalaj: Mandati im i vlefshëm, do të jem në mbledhjet e KPK-së

0

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj ka deklaruar se mandati i tij është i vlefshëm dhe do të vazhdojë të marr pjesë në mbledhjet e Këshillit Prokurorial të Kosovës deri në një vendim të formës së prerë gjyqësor që e përcakton ndryshe. Këtë deklaratë Qalaj e bëri pas kërkesës që anëtari i KPK-së, Veton Shabani e kishte drejtuar tek Këshilli Prokurorial i Kosovës përmes të cilës kishte kërkuar që ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit të mos marr pjesë në mbledhjet e KPK-së.

Kjo kërkesë u lexua nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdari qysh në nisjen e mbledhjes së radhës të këtij institucioni.

“Siç jeni në dijeni situata e krijuar së fundmi në Këshill është jo vetëm e padëshirueshme, por edhe jashtë kornizave të ligjshmërisë. Pas mbledhjes të datës 1 dhjetor 2025 e cila u mbajt menjëherë pas shkarkimit të kundërligjshëm të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi u informuam vetë nga Kelmendi se në përputhje me ligjin për përgjegjësi disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve ai ka mbajtur ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës. Prokurori, Agron Qalaj nuk është dashur të marr pjesë në atë takim ngase neni 15 paragrafi 2 i ligjit përcakton efektin suspenziv të vendimit. Ankesa ndaj vendimit të Këshillit ka efekt suspenziv dhe ndaloj implementimin e atij vendimi derisa shqyrtohet ankesa…Ju si kryesues i KPK-së jeni përgjegjës për të siguruar zbatimin e ligjshmërisë andaj është e domosdoshme të reflektoni dhe zotërinë Qalaj të mos marr pjesë në mbledhjen e ardhshme pa një vendim të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit”, tha ai.

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj kësaj kërkese iu përgjigj duke thënë se do të marr pjesë në mbledhjet e KPK-së deri në një vendim të formës së prerë.

“Bazuar në dispozitat ligjore dhe aktet në fuqi mandati im si ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit është plotësisht i vlefshëm. Do të vazhdojë të ushtrojë detyrat e mia dhe të marr pjesë në mbledhjet e Këshillit deri në një vendim të formës së prerë që përcakton ndryshe”, theksoi u.d e Kryeprokurorit të Shtetit.

Qalaj potencoi se kërkesa për përjashtim të tij nga mbledhjet e Këshillit Prokurorial të Kosovës duhet të mbështetet në dispozita ligjore.

“Ligji nuk parashikon asnjë formë të shtyrjes së hyrjes në fuqi të këtyre vendimeve dhe ushtrimi i mandatit tim nuk kushtëzohet me asnjë procedurë ankimore. Pjesëmarrja ime në këtë mbledhje është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e dispozitave ligjore dhe vlefshmërisë së vendimeve të Këshillit. Lidhur me pretendimin për efekt suspenziv sipas nenit 15 të të ligjit për përgjegjësi disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve neni 15 i ligjit rregullon ekskluzivisht procedurat disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Vendimet e Këshillit për caktimin ose shkarkimin e një u.d nuk janë masa disiplinore nuk bie në fushëveprimin e këtij ligji. Prandaj, aplikimi i kësaj dispozite për të pezulluar një vendim kolegjial është juridikisht i pambështetur….Pozita e u.d të Kryeprokurorit të Shtetit përfshinë detyrim ligjor për të marr pjesë në punën e Këshillit në cilësinë e anëtarit eksoficioi çdo kërkesë për përjashtim nga mbledhjet duhet të mbështetet në dispozita të qarta ligjore të cilat në këtë rast mungojnë..ndërprerja e funksioneve të Këshillit apo e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit në pritje të procedurave gjyqësore do të krijonte pasiguri juridike dhe precedent të papranueshëm”, tha ai.

Përkundër këtij deklarimi, anëtari i KPK-së, Veton Shabani kërkoi të respektohet neni 15 i Ligjit për Përgjegjësi Disiplinore me qëllim të mos bëhen shkelje të tjera ligjore.

“Neni 15 është shumë i qartë dhe mund t’i qaseni kushdo ligjit për përgjegjësinë disiplinore dhe paragrafi 2 shkruan ‘Ankesa ndaj vendimeve të Këshillit ka efekt suspenziv dhe ndalon implemtimin e atij vendimit derisa të shqyrtohet ankesa’ andaj kemi të bëjmë me një të drejtë kushtetuese të cilën e ka shfrytëzuar Kelmendi i shkarkuar në mënyrë të kundërligjshme pa kuorum, ndërsa zotëri Qalaj po do me përligj atë, por ligji e tregon atë dhe vendimet gjyqësore jo ju”, tha ai.

Tutje, gjatë kësaj mbledhje anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Veton Shabani kërkoi që pika për Themelimin e Komisionit Ad-hoc ndaj një anëtari të Këshillit të hiqet nga rendi i ditës.

Sipas tij nuk ka asnjë element dhe asnjë bazë që tregon se anëtari i KPK-së, Arian Gashi ka bërë shkelje.

“Pikën 6 të rendit të ditës e kemi shqyrtimi i kërkesës për Themelimin e Komisionit Ad-hoc ndaj një anëtari të Këshillit dhe këtë e keni dërguar ju si shkresë në të cilën ju keni drejtuar Këshillit për fillimin e një procedure disiplinore ndaj anëtarit të Këshillit, Arian Gashi dhe ju duke e shfrytëzuar foltoren e Këshillit dhe duke e keqpërdorur foltoren e Këshillit keni lexuar një mesazh ku kanë komunikuar dy persona të tjerë një prokuror dhe një prokurore në të cilin ata përmendin emrin e zotëriut Arian Gashi ndërsa fare nuk ishte i përfshirë Arian Gashi dhe ju e keni paraqitur në publik sikur të ishte mesazh i z.Gashi dhe besoj që keni reflektuar edhe vetë ju në veçanti pas sqarimeve që i ka dhënë prokurori, dhe besoj se nuk ka vend të trajtohet ajo pikë.. nuk ka bazën dhe elementin më të vogël të ndonjë shkelje përkundrazi nëse do të ketë shkelje aty do të ketë dikush shkelje sepse ju personalisht jeni përfshirë në këtë diskutim në këtë debat dhe personalisht ju keni iniciuar procedurat ju jeni palë aty”, tha ai.

Kundër këtij propozimi ishte kryesuesi i KPK, Ardian Hajdari i cili tha se pika 6 e rendit të ditës nuk do të tërhiqet.

“Hajdari: Kjo kërkesë nuk tërhiqet dhe kam qenë i obliguar ta paraqes..Shabani: Ju jeni palë kryesues nuk mund të merrni pjesë as në këtë pikë të rendit të ditës ”, tha ai.

E pas një pauze disa minutëshe, kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdari tërhoqi pikën e 6 të rendit të ditës duke u thirr në atë se krijimi i Komisionit Ad-Hoc ndaj një anëtarit ë KPK-së është e pasafatshme.

“Pas konsultimeve me anëtarët e Këshillit duke e vlerësuar nenin 6 paragrafin 1 ku përcaktohet se kryesuesi i Këshillit në pajtim me nenin 11 të Ligjit të KPK-së brenda 15 ditësh nga data e pranimit të parashtresës së palës apo indikacion për kryerje të sjelljes së pahijshme themelon Komisionin Ad-Hoc për të hetuar sjelljen e pahijshme duke vlerësuar në pajim me këtë nen konsideroj se kjo kërkesë është pasafatshme dhe e tërheqë nga rendi i ditës”, theksoi Hajdari.

Ndërsa, Këshillit Prokuorial i Kosovës vendosi me votë që pika e rendit të ditës për Komisionin për Rekrutimin e Prokurorëve, i datës 04.12.2025 të diskutohet pa praninë e medieve.

Po në këtë mbledhje, anëtarët e Këshillit Prokuroriual të Kosovës miratuan vendimin që kryesuesi i këtij institucion, Ardian Hajdari ta nënshkruaj marrëveshjen e bashkëpunimin me Këshillin të Lartë së Prokurorisë të Shqipërisë./KOHA

Gucati: Kemi kërkuar që të mos ketë kufitarë serbë në ditën e protestës në Shkup

0

Organizatat e dala nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës kanë përgatitur gjithçka për protestën paqësore që do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Shkup më 13 dhjetor. Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, ka thënë se kanë marrë edhe lejen nga shteti maqedonas për organizimin e protestës.

Gucati u shpreh optimist se kufiri do të jetë i hapur, ndërsa kërkesa e tyre ka qenë që në ditën e protestës të mos jenë të pranishëm kufitarë serbë.

“Jo, nuk besoj se edhe ata nuk e kuptojnë që paqja duhet të mbizotërojë gjithkund. Maqedonët dhe shqiptarët janë shtetformues të Maqedonisë së Veriut. Ata kanë marrë përsipër sigurimin, por shpresoj që kufiri do të jetë i hapur. Kërkesa ime ka qenë që listat serbe të mos jenë në kufi, dhe më është premtuar, por politika sllave nuk është gjithmonë e besueshme”, ka thënë Gucati për “EkonomiaOnline”.

Ai gjithashtu ironizoi deklaratat e kryeministrit maqedonas Hristijan Mickoskit, duke thënë se ato vetëm kanë rritur interesin e shqiptarëve për të marrë pjesë në protestë.

“Jam i bindur që do ta kalojmë perimetrin që kemi menduar. Shqiptarët janë irrituar pak, por i falënderoj Mickoskit që i ka nxitur të dalin dhe të na bashkohen”, shtoi Gucati.

Gucati theksoi se protesta nuk do të provokojë situata konfliktuale.

“Është e domosdoshme të shkojë secili. Unë do të jem prezent bashkë me liderë të ndryshëm shqiptarë nga Maqedonia dhe Kosovë, përfshirë ish-deputetë. Kemi dy leje, një nga Çairi dhe një tjetër nga autoritetet maqedonase. Protesta është paqësore, nuk shkojmë për të provokuar. Ajo mbahet aty ku jetojnë shqiptarët në Shkup, dhe do të zhvillohet në mënyrën më të qetë të mundshme”, ka thënë ai.

Ai shtoi se nuk ka marrë mbështetje nga institucionet e Kosovës, por ka bashkëpunuar me partitë politike shqiptare dhe me mbështetje të kufizuar nga jashtë:

“Institucionet e Kosovës nuk na kanë mbështetur as në këtë protestë, as në të kaluarën. Partitë politike kanë dalë dhe na kanë mbështetur, ndërsa nga qeveria e Shqipërisë ka pasur pak mbështetje dhe disa kundërshtime”, ka thënë Gucati.

OVL-UÇK ka mbajtur protesta në Hagë, Tiranë, Strasbourg e Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që janë në Gjykatën Speciale.

Ambasada gjermane: Moscertifikimi i kandidatëve të Listës Serbe dëmton imazhin e Kosovës

0

Ambasada gjermane ka thënë se moscertfikimi i kandidatëve për deputet të Listës Serbe e dëmton imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe ka ndikim negativ në rrugën drejt integrimit të vendit në BE.

Ambasada ka theksuar se zgjedhjet dhe përgatitjet teknike duhet të jenë të lira nga manovrimet politike të akterëve politikë.

“Siç e theksuam javën e kaluar, procesi zgjedhor dhe përgatitjet teknike për zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike nga aktorët politikë. Sjellja penguese e disa anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët refuzojnë të verifikojnë Listën Serbe dhe kandidatët e saj, ndikon negativisht në reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe në rrugën e saj drejt integrimit evropian”, tha ambasada për Kosovo-Online.

isim değiştirme

- mersin escort

isim değiştirme

- mersin escort