Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, së bashku me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, pritën në takim anëtarin e Bordit Ekzekutiv të Deutsche Bundesbank, Burkhard Balz dhe ekipin e tij.
Zyra e kryeministrit bën të ditur se gjatë takimit, Balz përgëzoi institucionet e Republikës së Kosovës për përparimin e qëndrueshëm në sektorin makroekonomik dhe financiar. Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Bislimi e njoftoi për arritjet si dhe vlerësimet pozitive të ardhura për Kosovën edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.
Në njoftim thuhet se më tej u diskutua për bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm ndërmjet Bundesbank dhe Bankës Qendrore të Kosovës, përfshirë mbështetjen që kjo bankë gjermane ka dhënë në ndërtimin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të BQK-së. Gjithashtu, u bisedua rreth mbështetjes së mëtejme për proceset e anëtarësimit të BQK-së në institucionet ndërkombëtare financiare, si dhe për zhvillimet e fundit në fushën e projekteve digjitale dhe inovacionit financiar.
“Zëvendëskryeministri Bislimi ritheksoi përkushtimin e qeverisë për të përkrahur Bankën Qendrore të Kosovës edhe në shërbim të thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë si Bundesbank. Gjatë këtij takimi z. Balz u informua edhe mbi punën intensive që institucionet tona kanë zhvilluar rreth anëtarësimit në SEPA, në mënyrë që Kosova të bëhet pjesë e këtij mekanizmi sikurse vendet e tjera të rajonit, por e cila aktualisht ka ngecur si shkak i dërgimit të disa ligjeve në Gjykatën Kushtetuese nga opozita”, shkruan në fund të njoftimit të ZKM-së.