Kryetari i degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Prizren, Besnik Krasniqi, ka kërkuar publikisht falje për koalicionin e bërë me Nismën Socialdemokrate, duke e cilësuar atë si “gabimin më të rëndë” të periudhës së fundit politike.
Në një deklaratë publike drejtuar votuesve dhe përkrahësve të Aleancës, Krasniqi e ka cilësuar këtë bashkëpunim si një devijim nga vlerat dhe identiteti i djathtë i partisë. Ai ka theksuar se përgjegjësinë për këtë veprim e mban bashkë me kryesinë e degës.
“Aleanca është një forcë politike e qendrës së djathtë, e ndërtuar mbi parime të qarta, mbi traditë kombëtare, përgjegjësi dhe integritet. Largimi nga këto vlera është një shkelje ndaj besimit tuaj,” ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka kërkuar falje si në nivel personal ashtu edhe politik, duke u zotuar se nuk do të jetë më pjesë e asnjë koalicioni që bie ndesh me parimet e djathta dhe me orientimin politik të votuesve të AAK-së.
“Ua kam borxh sinqeritetin dhe reflektimin. Zotohem se asnjëherë më nuk do të lejoj dhe nuk do të jem pjesë e koalicioneve që shkelin parimet e djathta dhe shijen tuaj politike,” ka shtuar Krasniqi.
Në fund, ai ka ritheksuar se AAK do të vazhdojë të forcohet si një zë i djathtë, duke mbetur e qëndrueshme dhe larg “pazareve politike”.