Kryetari i Mitrovicës së Jugut dhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit, Bedri Hamza, ka deklaruar se në takimin e zhvilluar më 09.06.2025 me Albin Kurtin nuk ka biseduar për koalicion.
“Me z.Kurtin jemi takuar në objektin e Komunës së Mitrovicës, kemi bisedu për projekte. Mitrovica është qytet me dy komuna, për projekte në interes të dy komunave” – ka deklaruar Hamza në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini.
Tutje ai ka thënë se nuk ka rezerva të ulet dhe të bisedojë me cilindo politikan në Kosovë, pa dallim.
“Ka pasur spekulime se a ka pasur biseda rreth koalicionit në nivelin qendror. Jo, nuk e kemi bisedu fare. E keqja është që po vazhdon ky ngërç dhe vakuum institucional që ka pru pasoja në ekonomi dhe vende të tjera e që rrezikon vendin ta sjellë në bllokadë me pasoja të mëdha” – ka deklaruar Hamza.
Tutje ai ka shtuar se mund të flasë për çfarëdo teme por që nuk do të thotë se bisedat mund të rezultojnë me marrëveshje.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamzën, i cili ka qenë kundërkandidat i tij për pozitën e kryeministrit në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 09.02.2025.
Kurti para vizitës te Hamza ka vizituar edhe kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.
Të dy këto takime, sipas Përparim Kryeziut, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, janë zhvilluar për të diskutuar punën e komunave dhe bashkëpunimin me Qeverinë.
“Pas vizitës dhe takimit me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut Erden Atiq kryeministri Kurti ka vizituar sot edhe kryetarin e Komunës së Mitrovicës së jugut Bedri Hamza. Të dy takimet kanë pasur në qendër të diskutimit punën e këtyre Komunave dhe bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë dhe Komunave në realizimin e projekteve në shërbim të qytetarëve” – deklaroi Kryeziu për KALLXO.com, më 09.06.2025.
Bedri Hamza ishte kandidat për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
LVV doli e para kurse PDK e dyta në zgjedhjet e mbajtura më 09.02.2025.
Që nga ajo kohë Kuvendi i Kosovës edhe pas 29 përpjekjesh nuk është konstituuar ende.