Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, së bashku me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si dhe përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bëri homazhe në Prishtinë, në përkujtim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit.
Sipas Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun, pas nderimeve, kryetari Basha tha se sulmi i 11 shtatorit 2001 ishte sulm ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë, prandaj, siç tha ai, populli i Kosovës është përkrah popullit amerikan, duke u solidarizuar në këtë përvjetor të 24-të.
“Populli ynë shqiptar gjendet krah popullit amerikan. Jemi shumë mirënjohës dhe solidarizohemi me ta në këtë ditë të vështirë, ku 24 vjet më parë afër 3 mijë viktima, qytetarë amerikanë, pësuan, ndër ta edhe tre shqiptarë”, tha kryetari Basha, njofton DMMP.
Në njoftim thuhet se kreu i Kuvendit shtoi se Kosova qëndron krahas vlerave të përbashkëta që ndan me popullin amerikan për lirinë dhe demokracinë dhe kundër çfarëdo terrori që i kundërshton apo i lufton këto vlera. Shteti i Kosovës, shtoi kryetari Basha, do të qëndrojë krah SHBA-ve në luftimin e terrorizmit.
“Ne prapë mbesim aleatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do të qëndrojmë krah tyre në luftimin e terrorizmit”, tha kryetari Basha, thuhet në njoftim.