Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, derisa ka shprehur ngushëllime për vdekjen e aktorit Enver Petrovci, ka thënë se sot Kosova ka humbur një nga figurat më të shquara të kulturës.
Përmes një postimi në Facebook, kryeparlamentari Basha ka thënë se Petrovci ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën popullore.
“Kosova dhe mbarë arti shqiptar sot humbën një nga figurat më të shquara të kulturës sonë. Enver Petrovci ishte dhe do të mbetet nga ikonat e spikatura të skenës dhe ekranit shqiptar, një aktor me shpirt të madh, me talent dhe me vepra të shumta që do të jetojnë ndër breza. Ai i dha jetë qindra personazheve, por mbi të gjitha i dha frymë teatrit, kinematografisë dhe artit tonë kombëtar, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë popullore”, ka shkruar Basha.
Ai tutje në emër të Kuvendit të Kosovës u ka shprehur ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve të të ndjerit, dashamirëve të artit dhe mbarë komunitetit artistik.