Raportimet për praninë e salmonelës në mishin e pulës së ngrirë, të ardhur nga Rumania dhe të blerë nga një kompani përpunuese në Kosovë, i ka sqaruar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK). Rasti kishte ndodhur vitin e kaluar, ndërsa u aktualizua në media gjatë kësaj jave.
Sipas AUV-it, ngarkesa ishte paraqitur në pikën kufitare në Han të Elezit dhe, pas rezultateve laboratorike, u ndalua përpunimi dhe shitja e saj, e më pas u kthye në vendin e origjinës. Ndërkohë, pronari i kompanisë përpunuese, Burim Piraj, tha se ai mish nuk ka shkuar fare në kompaninë e tij dhe se ata nuk kanë përgjegjësi për cilësinë e mallit të importuar.
Pas raportimeve në media se një kompanie të mishit i është asgjësuar mish pule me salmonelë, Radio Kosova ka kontaktuar me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe me pronarin e kompanisë, Burim Piraj. Rasti me mishin e kontaminuar kishte ndodhur vitin e kaluar dhe, duke qenë se nuk paraqiste rrezik për qytetarët, AUV-i ka deklaruar se nuk ka parë të nevojshme ta bëjë publik.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka kthyer një ngarkesë mishi pule të ngrirë, të importuar nga Rumania, pasi në analizat laboratorike është zbuluar prania e bakterit Salmonela spp.
“Ngarkesa ishte paraqitur në pikën kufitare në Han të Elezit më 10 qershor 2024, e shoqëruar me dokumentacion të rregullt dhe e kontrolluar nga inspektorët veterinarë. Pas marrjes së mostrave dhe analizimit në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë, është konstatuar se mishi nuk ishte i sigurt për konsum. Më 21 qershor 2024, AUV ka ndaluar përpunimin dhe tregtimin e kësaj ngarkese, duke i dhënë kompanisë mundësinë që ta kthejë mallin në vendin e origjinës ose të kërkojë asgjësimin e tij. Më pas, me vendim të datës 5 gusht 2024, është përcaktuar që ngarkesa të kthehet”, thuhet në përgjigjen e AUV-it.
Agjencia e Ushqimit, thotë tutje se “Kompania ka kërkuar kthimin e mallrave në Rumani, dhe kjo është realizuar më 13 gusht 2024, duke respektuar të gjitha procedurat ligjore dhe sanitare. Gjatë gjithë kësaj kohe, ngarkesa ka qenë nën mbikëqyrjen e autoriteteve dhe e bllokuar në depo frigoriferike, pa pasur kontakt me tregun”.
AUV-i konfirmon se konsumatorët nuk kanë qenë të rrezikuar në asnjë moment, prandaj rasti nuk është konsideruar i nevojshëm për t’u bërë publik.
Ndërkohë, pronari i kompanisë përpunuese të mishit, Burim Piraj, i tha Radio Kosovës se kompania nuk ka faj për cilësinë e produkteve të importuara.
Ai theksoi se, pas analizave në pikën kufitare në Han të Elezit, është konstatuar se mishi nuk është i sigurt dhe, për pasojë, është kthyer në vendin e origjinës.
“Bëhet fjalë për një import të rregullt të lëndës së parë dhe, në bazë të analizave mikrobiologjike që janë kryer në pikën kufitare, është konstatuar se produkti në fjalë nuk i ka plotësuar standardet për konsum. Për këtë arsye, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka urdhëruar që ky produkt ose të asgjësohet, ose të kthehet në vendin e origjinës. Ne kemi kërkuar që produkti të kthehet, sepse edhe neve na ka konvenuar një zgjidhje e tillë. Kjo mund t’i ndodhë çdokujt dhe nuk është faji i importuesit”, tha Piraj për Radio Kosovën.
Ndërkohë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mbetet e përkushtuar për ruajtjen e shëndetit publik.
Ditë më parë, ajo ka bërë thirrje edhe për kujdes ndaj sëmundjes së dhenve, duke marrë parasysh shpërthimin e sëmundjes PPR (Mortaja e Dhenve dhe Dhive) në disa zona të Shqipërisë.
AUV-i ka kërkuar kujdes të shtuar nga fermerët në zonat kufitare të Kosovës.