Administrata Tatimore e Kosovës ka mbajtur sot konferencën për media ku ka prezantuar të arriturat dhe aktivitetet kryesore për periudhën janar-qershor 2025.
Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, theksoi se gjashtëmujori i parë i këtij viti është karakterizuar me performancë të lartë në mbledhjen e të hyrave, avancime në ofrimin e shërbimeve digjitale, dhe masa të fuqishme në luftimin e ekonomisë joformale.
“Krahas rezultatit të shkëlqyer në rritje të të hyrave, ATK po vazhdon me reformim institucional. Për reformat që i kemi bërë viteve paraprake, publiku veç është i informuar, andaj sot dua të ju informoj për një reformë, e cila është në proces dhe në fazën finale të fillimit të implementimit. Pra, fjala është për reformën në procesin e fiskalizimit. Kjo reformë është iniciuar nga Ministri i Financave Punës dhe Transfereve z. Murati, dhe nën mbështetjen financiare të UNDP-së është zhvilluar moduli apo aplikacioni, i cili krijon një çasje të re të fiskalizimit, nga një çasje harduerike, në çasje softuerike”, tha tutje Murtezaj, shkruan në komunikatën e ATK-së.
“Të hyrat tatimore në rritje – gjatë kësaj periudhe, ATK ka arritur të mbledhë 524.1 milionë euro të hyra tatimore, që paraqet një rritje prej 50.9 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky rezultat është dëshmi e përkushtimit të institucionit në përmirësimin e mbledhjes së të hyrave dhe zbatimit të politikave fiskale efikase.
Vlerësime pozitive nga raporti ISORA – ATK ka shënuar përmirësime të dukshme edhe në vlerësimin ndërkombëtar të ISORA-s (International Survey on Revenue Administration), duke u renditur ndër administratat me performancë në rritje në fushat e menaxhimit të rrezikut, përdorimit të teknologjisë dhe shërbimeve ndaj tatimpaguesve. Këto vlerësime janë rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme për modernizimin dhe transparencën institucionale.
Lufta kundër ekonomisë joformale – një nga prioritetet kyçe të ATK-së ka qenë parandalimi dhe luftimi i ekonomisë joformale. Përmes kontrolleve të intensifikuara në terren, përdorimit të analizave të riskut dhe bashkëpunimit me institucione tjera relevante, ATK ka identifikuar dhe ndëshkuar dhjetëra raste të shmangieve tatimore, duke rikuperuar miliona euro në favor të buxhetit të shtetit.
Zgjerimi i shërbimeve digjitale – në funksion të lehtësimit të qasjes së qytetarëve dhe bizneseve në shërbimet tatimore, ATK ka rritur gamën e shërbimeve digjitale përmes platformës EDI dhe aplikacioneve të dedikuara për raportim dhe komunikim me tatimpaguesit. Gjithashtu, janë implementuar sisteme të reja të mbikëqyrjes dhe raportimit të transaksioneve për të rritur efikasitetin dhe transparencën”, bën të ditur tutje ATK në komunikatë.
“Fokus i vazhdueshëm në edukimin tatimor dhe bashkëpunimin me bizneset gjatë këtij gjashtëmujori, ATK ka intensifikuar edhe fushatat vetëdijesuese për edukimin tatimor, nëpërmjet takimeve me komunitetin e biznesit, aktiviteteve në terren dhe fushatave informuese. Qëllimi është që secili tatimpagues të kuptojë rolin e tij në ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm tatimor dhe përmirësimin e shërbimeve publike. ATK rithekson përkushtimin e saj për të mbajtur transparencë të plotë ndaj publikut dhe mediave, dhe do të vazhdojë me përpjekjet për ngritjen e mëtejme të standardeve në administrimin tatimor të vendit”, shkruan në fund të kësaj komunikate.