Një person S.G i moshës 31 vjeçare është arrestuar sot rreth orës 12:00 pas një pune intensive taktike dhe operative në terren nga fshati Zhur, Komuna e Prizrenit.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se arrestimi lidhet me pesë raste të vjedhjeve të motoçikletave të ndodhura gjatë muajit shtator.
“Me autorizim verbal të Prokurorit kujdestar, është kryer bastisje në banesën e të dyshuarit, ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuanë. Vlen të theksohet se të gjitha motoçikletat e vjedhura janë gjetur dhe kthyer pronarëve legjitimë, falë angazhimit profesional të zyrtarëve policorë dhe bashkëpunimit me qytetarët”, thuhet në njoftim.
Po ashtu siç bëhet e ditur në njoftim i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me aktvendim të Prokurorit të çështjes është ndaluar për 48 orë.
“Hetimet janë duke vazhduar në drejtim të ndriçimit të rasteve të tjera të mundshme që lidhen me këtë person. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë publike, parandalimin dhe zbardhjen e veprave penale, duke vepruar me profesionalizëm, transparencë dhe në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët”, thuhet në njoftim.