Për më shumë se 20 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë, mbi 50% e të dënuarve për krime lufte janë pjesë e Ushtrisë Çlirimatare të Kosovës (UÇK), ka thënë Amer Alija, nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
Alija ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së, se për dy dekada, janë dënuar rreth 70 persona nga gjykata ndërkombëtare dhe gjykatat në Kosovë e Serbi, dhe se shumica prej tyre janë shqiptarë.
“Për më shumë se dy dekada janë dënuar rreth 70 persona nga këto institucione të cilat i kam përmendur. Nga Tribunali i Hagës janë dënuar 8 persona, gjashtë eprorë politikë ushtarak serbë dhe 2 pjesëtarë të UÇK-së të rangut më të ulët. Pranë Gjykatave të Kosovës, kemi më shumë pjesëtarë të UÇK-së të dënuar në Kosovë nga misione ndërkombëtare. Po ashtu, procese gjyqësore për krime të luftës zhvillohen edhe në Serbi, atje i kemi 15 serbë të dënuar nga gjykatat serbe dhe 2 shqiptarë. Nëse i krahasojmë kush është dënuar më shumë, po del se diku më shumë se 50% janë dënuar pjesëtarët e UÇK-së dhe më pak janë dënuar ushtarët e Republikës Federative Jugosllave, dhe kjo tregon se kemi një baraspeshim në raport me krimet dhe dënimet. Nëse janë vrarë rreth 10 mijë viktima civile në vitet 98/99 dhe mbi 90% të këtyre viktimave janë shqiptarë, atëherë kemi një mosbalancim mes raportit të krimit dhe viktimave”, ka thënë Alija.
Ndërkohë, duke folur për gjykimin e ish-eprorëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, Alija ka thënë se procedurat pranë kësaj gjykate mund të zgjasin me vite.
“Rasti i Salih Mustafës tashmë është në shqyrtimin kryesore dhe deri tash janë dëgjuar nëntë dëshmitar. Ky rast është nga mesi. Ndërkaq te rasti kundër Thaçit dhe të tjerëve procedura është ende në fazën përgatitore dhe pritet shqyrtimi kryesor diku pas një viti, shqyrtimi kryesor. Arsyeja pse vonohet procedura përgatitore është dokumentacioni voluminoz të cilin e posedon prokuroria dhe të cilën është duke e bartur tek mbrojtja. Procedura e kësaj gjykate mund të zgjasë me vite”, ka shpjeguar Alija.
Ai ka folur edhe për format e përgjegjësisë penale me të cilat ngarkohen ish-eprorët e UÇK-së në Speciale, duke thënë se ato shpeshherë keqkuptohen nga publiku.
Të mërkurën ka vazhduar intervistimi i Nasim Haradinajt nga mbrojtja e tij në Dhomat e Specializuara.