Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar pas paralajmërimit të fundit të KEK-ut, i cili njoftoi se të gjitha bizneset që nuk kanë lidhur kontratë me furnizues të licencuar do të mbesin pa energji elektrike pas datës 30 korrik 2025.
AKB thotë se e kundërshton ashpër paralajmërimin e KEK-ut, duke thënë se energjia është shërbim publik, jo instrument presioni ndaj bizneseve.
AKB i bën thirrje KEK-ut e ZRRE-së, siç thotë të dalin gjuhën kërcënuese ndaj bizneseve dhe të shtyjnë afatin e caktuar deri në arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe të drejtë për të gjitha bizneset.
“AKB kërkon nga KEK-u dhe ZRRE-ja,
Të ndalin menjëherë gjuhën kërcënuese dhe presionin ndaj bizneseve;
Të ofrojnë informacion transparent dhe të plotë për të gjitha procedurat dhe opsionet;
Të shtyjnë afatin e caktuar deri në arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe të drejtë për të gjitha bizneset”, thuhet tutje në reagim.
Aleancë Kosovare e Bizneseve më tej paralajmëron se do të përdorin të gjitha mjetet demokratike dhe institucionale për të mbrojtur interesin e prodhuesve dhe të gjithë komunitetit të biznesit në Kosovë.
“Ekonomia nuk mund të mbahet peng i vendimeve të nxituara dhe i mungesës së përgjegjësisë institucionale. Nuk ka zhvillim ekonomik me kërcënime dhe ndërprerje – ka vetëm humbje për të gjithë”, thuhet në reagimin e AKB-së.
“Ky veprim është i papranueshëm, i nxituar dhe në kundërshtim me parimet e ekonomisë së lirë dhe të drejtave të konsumatorëve. Bizneset e Kosovës, të cilat janë gjeneratorë të zhvillimit ekonomik dhe të vendeve të punës, nuk mund të kërcënohen me ndërprerje të energjisë për shkak të dështimeve dhe mungesës së përgjegjësisë nga institucionet. Energjia elektrike nuk është mall luksi – është shërbim publik jetik për funksionimin e ekonomisë dhe jetën e qytetarëve. Prandaj, është e pafalshme që në vend të mbështetjes dhe zgjidhjeve, bizneset po përballen me presion dhe frikësim nga vetë institucionet që kanë obligim ligjor të garantojnë furnizim stabil”, thuhet në reagimin e AKB-së.