Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka konsideruar të papërgjegjshme gjuhen e presidentes Vjosa Osmani drejtuar gazetarëve, derisa i ka bërë thirrje të heqë dorë nga sulmi drejt tyre dhe mediave.
Përmes një komunikate, AGK-ja ka thënë se akuzat dhe insinuatat e presidentes Osmani rrezikojnë sigurinë fizike të gazetarëve.
“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vazhduar edhe këtë të enjte me deklarata thellësisht të papërgjegjshme për postin që mban, duke lidhur ‘disa gazetarë’ me ‘Radojçiqët’ dhe me ‘grusht-shtet’. AGK-ja e dënon ashpër retorikën akuzuese dhe nxitëse të Presidentes Osmani gjatë konferencës për shtyp, pasi që ajo rrezikon direkt sigurinë fizike të gazetarëve. Osmani u është referuar sërish raporteve të AKI-së për të forcuar akuzat ‘për disa gazetarë’, për të cilat AGK mendon se vënë në pikëpyetje sigurinë juridike, jo vetëm të gazetarëve, por edhe të secilit qytetar të Kosovës”, thuhet në reagim.
AGK-ja ka ftuar organet e sigurisë të deklarohen për këto akuza, që konsideron se shërbejnë si intimidim i hapur ndaj gazetarëve, në përpjekje për të ndaluar punën e tyre për të bërë pyetje në interes të publikut.
AGK-ja ka ftuar edhe Osmanin që të heqë dorë nga praktika jodemokratike e sulmeve ndaj gazetarëve dhe medieve, dhe të luajë rolin e saj kushtetues që garanton lirinë e medias dhe shprehjes.
Presidentja sot gjatë një adresimi me media ka folur për disa gazetarë, duke i quajtur “Radoiçiqa”. Ajo ka thënë se nuk përmend emra, por se dihet kush janë pasi “e kanë mizën pas veshit”.
“Nuk janë hetuar gazetarët, janë hetuar Radoiçiqat. Janë hetuar planet për grushtshtet. Nuk mund t’i themi emrat për shkak të pengimit të hetimeve. Përgjatë rrugës së hetimeve, ka gjithçka aty që kanë bashkëpunuar me ta. Është vlerësim i institucioneve që të mos i tregojnë emrat për shkak të mos pengohen hetimet”, ka thënë Osmani.